Mbi origjinën e liqenit Mbi origjinen e Liqenit të Shkodrës ekzistojnë mendime të ndryshme. Mendohet se ka origjinë tektonike-karstike dhe bën pjesë në liqenet poligjenë. Disa studiues mendojnë se liqeni ka qenë gji i Detit Adriatik. Më vonë me krijimin e Malit Rumi, gjiri është ndarë nga deti dhe shndërruar në liqen. Në krijimin e tij, liqeni ka qenë i cektë dhe e quanin moçal apo baltë dhe për këtë arsye në lashtësi është quajtur “Palus Labeatis”. Historiani romak Tit Livi po ashtu e quan moçal, e duke u bazuar në faktin se përreth Liqenit të Shkodrës jetonte fisi i Labeatëve, ai e quan “Labeatide palude”. Emrin “Balta” për Liqenin e Shkodrës për herë të parë e gjejmë në dorëshkrimet e Pop Duklaninit e kjo dëshmon se rreth e rrotull këtij liqeni që në lashtësi kanë jetuar shqiptarët. Ndërkaq, në kristovulat e Mbretit Vladislav shënohet si “Blato” (1234). Liqeni kufizohet në verilindje me Bjeshkët e Nëmuna, në jug e juglindje me malet Tarabash, Rumi dhe Sutorman, ndërsa në veri shtrihet rrafshira e Zetës. Në nivel të ulët të ujit sipërfaqa e liqenit është 369.74 km katror, prej të cilave Shqiperisë i takojnë 2/5 ose 147.72 km, ndërsa pjesa tjetër (3/5) i takojnë Malit të Zi. Pjesa më e madhe e sipërfaqës së Liqenit të Shkodrës gjendet 6 m mbi nivelin e detit, ndërsa një pjesë e fundit e tij është edhe nën nivelin e detit, kështu që thellësia mesatare më e madhe është 7 m, ndërsa në disa vende të ashtuquajtura “syena” thellësia arrin deri në 44 m. Liqeni është i gjatë 44 km, ndërsa gjerësia rreth 12.5 km. Në Liqenin e Shkodrës, kryesisht në pjesën që i takon Malit të Zi, ekzistojnë rreth 50 ujdhesa të vogla apo të mëdha. Në disa prej tyre, që në Mesjetë, janë ndërtuar objekte të ndryshme sakrale dhe përbëjnë një pjesë të historisë dhe kulturës tonë, ndonëse sot ato janë zaptuar nga Kisha Ortodokse Serbe.
Fillet e lundrimit Gjatë shekujve, Liqeni i Shkodrës ishte në pronësi të ilirëve, romakëve, bizantinëve, serbëve e malazezëve, venedikasve, turqve e të tjerëve. Ka dëshmi të shkruara se në kohërat më të hershme nëpër Liqenin e Shkodrës kanë lundruar mjetet lundruese bizantine dhe venedikase (galija) apo veloret turke (otomane), kryesisht të vogla të cilat kanë mundur të hynin në liqen nga lumi Buna. Shënimet e para të shkruara për lundrimin në Liqenin e Shkodrës datojnë që në vitin 167 para erës së re (sipas Tit Livit), kur Mbreti ilir Genci, i cili në atë kohë sundonte në këto vise, gjatë luftës së dytë iliro-romake kishte lundruar nëpër Liqenin e Shkodrës. Pra, lundrimi në Liqenin e Shkodrës është po aq i vjetër sa edhe vetë liqeni. Marijan Bolica duke e përshkruar Sanxhakun e Shkodrës, më 1614, shkruan se piratët ulqinakë, pas okupimit të Shkodrës dhe rrethinës së saj nga turqit më 1474, hynë në liqen nëpërmes Bunës më lundra dhe fregata. Duhet theksuar se pas rënies së Zetës (1499) deri në vitin 1862 e veçanërisht deri në Kongresin e Berlinit (1878), afro 380 vite malazezët nuk patën mundësi ta shfrytëzonin liqenin normalish. Shfrytëzimi i tij për malazezët ka qenë i rrezikshëm dhe vend i konflikteve të përgjakshme me turqit, sepse malazezët nuk kanë luftuar vetëm për t’u liruar nga okupatori, por edhe për përvetësimin e tërësishëm të Liqenit të Shkodrës, nëpërmes të cilit tentonin daljen në det. Vlladika (Peshkopi) Danillo Petroviqi, në vitin 1717 kishte kërkuar nga autoritetet veneciane që ta zaptonin Liqenin e Shkodrës dhe për këtë dëshirë të tyre kërkoi dy galije me nga gjashtëmbëdhjetë (16) rrema. Pasi kjo kërkesë nuk u realizua, Vlladika Petar I tentoi që këtë ëndërr të tyre ta realizojë me ndihmën e Rusisë cariste. Ai në vitin 1778 dërgoi Nikolla Davidoviqin që t’i propozonte Car Aleksandrit I që të zaptohej Shkodra dhe Liqeni i Shkodrës. Megjithatë, e gjithë kjo dëshirë dhe aktivitet i malazezëve për të mbizotëruar me Liqenin e Shkodrës do të mbetet i paarritshëm deri në Kongresin e Berlinit. Edhe shqiptarët mjetet e lundrimit shpeshherë i kanë përdorur edhe si mjete mbrojtëse nga okupatorët e ndryshëm. Është e njohur ndihma e shkodranëve, ulqinakëve e kranjanëve të cilët me mjetet lundruese u erdhen në ndihmë popullsisë së Muriqit, Shestanit apo Oso Kukës në luftën e Vraninës (1861-1862) duke luftuar kundër malazezëve. Dy vite më vonë, malazezët kishin bërë plan për të sulmuar, grabitur e plaçkitur përsëri Krajën. Rrënojat e Kishës së Marashnikut ishin mbushur me malazezë të cilët prisnin momentin për të sulmuar e plaçkitë Blacën e Boboshtin e fshatrat e tjera të Krajës. Mbrojtja më e mirë ishte nga uji, sepse sikur të lejoheshin malazezët të dilnin në tokë, mbrojtja do të ishte më e vështirë. Për këtë qëllim e sjellin me lundër nga Shkodra trimin Adem Boboshti i cili u vërsul fuqishëm ndaj malazezëve të fortifikuar në kishë. Gojëdhënat thonë se ai me shpatën e tij preu shumë prej tyre, një pjesë për të shpetuar u hodhën në liqen nga të cilët shumica u mbytën. Ndërkaq, vetë malazezët në muret e kishës kanë vëndosur një pllakë përkujtimore ku janë të shënuar vetëm 3 persona të cilët, sipas tyre, kanë rënë trimërisht në mbrojtjen e Marashnikut! Liqeni i Shkodrës, sidomos për banorët që jetonin në brigjet e tij, që në lashtësi konsiderohej si burim i jetës. Përveç që liqeni shërbente për peshkim, i tërë transporti i mallrave dhe njërëzve bëhej mbi ujë sidomos deri kur filluan të ndërtohen rrugët tokësore. Për banorët e fshatrave të Shestanit, Muriqit, Boboshtit, Martiqit, Arbneshit e Skjesë, mjeti i lundrimit ishte shumë i domosdoshëm ashtu si ishte gomari, kali apo qerrja në fshatrat tokësore. Duhet theksuar se edhe fshatrat e tjera të Krajës si Ostrosi, Kështënja, Ftjani e Ljarja e kanë shfrytëzuar liqenin për transportin e njerëzve dhe mallrave.
Tipet e ndryshme të mjeteve lundruese Në Liqenin e shkodrës kanë qarkulluar tipe të ndryshme të mjeteve lundruese. Ilirët në brigjet e Liqenit të Shkodrës ndërtonin e meremetonin mjetet e tyre të lundrimit. Përmendet se mbreti ilir Genci, i kishte ndërtuar përnjëherë 54 lembe. Fillimisht banorët lokalë për lundrim kanë përdorur mjete primitive lundrimi. Mendohet se mjeti i parë lundrues ka qenë trapi. Ai ishte mjet i thjeshtë lundrimi, i ndërtuar zakonisht me trungje të lehta, mbi të cilat mbërthehen dërrasa që formojnë një tërësi të gjerë. Ky mjet lundrues ishte shumë i papërshtatshëm, sidomos kur bënte mot i keq dhe frynte erë e madhe. Banorët kishin nevojë për mjet lundrues më të qëndrueshëm, sepse kishin nevojë për transportin e prodhimeve bujqësore, mallrave e sidomos për transportin e bagëtive në livadhe dhe për këtë arsye filloi ndërtimi i mjeteve lundruese të tipit që disa edhe sot lundrojnë në Liqenin e Shkodrës. Na janë të njohura këto tipe të mjeteve lundruese: lundra, lundrica, takja dhe sulja. Dallojnë njëra nga tjetra përnga gjatësia, gjerësia, lartësia dhe fuqia bartëse. Këto mjete lundruese kryesisht ndërtoheshin nga dërrasat dhe fundi i tyre është i rrafshtë. Për ndërtimin e tyre përdoreshin drunjtë që rriteshin në brigjet e liqenit, sidomos gështënja, mani, faleta por edhe lisi. Me zhvillimin e tregtisë dhe hapjes së rrugëve tokësore, për fundin e mjeteve lundruese përdorej druri i çamit (bredhit), pasi është më i rezistueshëm nga uji. Të gjitha mjetet e sipërpërmendura lundruese lundronin me ndihmën e rremave, ndërsa më vonë u paraqiten edhe lundrat me vela, ndonëse më rrallë i përdornin edhe sulet. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, sidomos sulet, vihen në lëvizje me motor të quajtura “penta” me 4 KF. Nga tipet e përmendura të mjeteve lundruese në liqenin e Shkodres, i ka rezistuar kohës vetëm sulja, e cila kryesisht sot shërben vetëm për peshkim. Mjetet tjera i takojnë të kaluarës. Për ndërtimin e mjeteve lundruese në Liqenin e Shkodrës nuk ka pasur punëtori të organizuara apo fabrika. Ato ndërtoheshin nga mjeshtrat lokalë të Shirokës, Krajës e më vonë edhe të Ceklinjanëve. Sidoqoftë, këto mjete primitive lundruese kanë luajtur rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të banorëve përgjatë bregut të Liqenit të Shkodrës, por edhe në mbrojtjen nga sulmet e sunduesve e zaptuesve të ndryshëm ndër shekuj, sidomos nga sulmet, grabitjet dhe plaçkitjet e malazezëve.