Lidhja me tolerancën e feve

Agjërimi si institucion i edukimit shpirtëror mbeti një praktikë e njohur që nga fillimi i jetës njerëzore në tokë, për të gjitha fetë dhe për të gjithë popujt, natyrisht me mënyra të ndryshme të kohës dhe të aplikimit

Hajrudin S. Muja

Praktika fetare e agjërimit është element i rëndësishëm i jetës fetare, një fenomen mbarëbotëror që mund të gjendet në religjionet e të gjithë popujve të botës, ndonëse me praktika dhe mirëkuptime të ndryshme [Arbesman:1949-1951, ff. 1-71]. Ndërsa myslimanët agjërojnë me heqjen dorë nga ushqimi prej agimit deri në perëndim të diellit, disa popuj e religjione të caktuara kanë agjëruar duke mos folur për një kohë të caktuar, disa kanë hequr dorë vetëm nga ushqimi, ose vetëm nga pirja, disa të tjerë u janë shmangur disa ushqimeve të caktuara brenda një periudhe të caktuar. Në Kur’an thuhet qartë se iu është bërë i obligueshëm agjërimi: “sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, që kështu të bëheni të devotshëm” [Kur’an:2:183]. Konsiderohet si një mënyrë për t’u afruar më shumë me Hyjnoren, për të pastruar trupin ose për t’u përgatitur për një ritual më të përsosur. Qëllimi është që t’i mohohen trupit kënaqësitë dhe nevojat fizike në mënyrë që të arrihet një lidhje më e thellë me perënditë.
Ndonëse paganizmi nuk ofron ndonjë drejtim specifik për agjërimin, e konsideron si një praktikë të fuqishme shpirtërore që paganët mund të dëshirojnë ta përvetësojnë për arsye të ndryshme, duke qenë një ritual fetar, një katalizator shpirtëror, një thellësi shpirtërore përditshmërie etj. Është një praktikë shpirtërore e testuar nga koha, që mund t’i ndihmojë paganët t’i marrin dhuratat e prodhimit veror me shëndet, gëzim, vlerësim dhe falënderim. Shqiptatët e kohës pagane thuhet se më 23 dhjetor, pas ditës së “Brymsit” barinjtë bënin agjërimin, fusnin një gur të vogël në gojë në mëngjes dhe gjatë gjithë ditës nuk hanin as nuk pinin, deri në mbrëmje kur ktheheshin në shtëpi. Në raste të tilla, kuptimi i tyre për Zotin edhe tradita e tyre e agjërimit janë të pamjaftueshme dhe të paqarta. Hindusët idhujtarë e kanë për akt moral e shpirtëror dhe një formë të adhurimit në ditë të caktuara të çdo muaji [Bhagavad Gita 3:13; Rig Veda X.117].

Sot teologët nuk e konsiderojnë thjesht si një detyrim apo një zakon, por si diçka që lidhet me misterin e jetës dhe të vdekjes, të shpëtimit dhe të mallkimit


Në traditën monoteiste, Adami [Ademi] ishte njeriu i parë që krijoi Zoti dhe e ngarkoi me detyrat për një jetë të përkohshme dhe me udhëzimet deri te një jetë e përhershme. Këshilla e parë për të ishte: “mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” [Zanafilla 2:17]. Prej atëherë fetë u ndanë, por agjërimi si institucion i edukimit shpirtëror mbeti një praktikë e njohur që nga fillimi i jetës njerëzore në tokë, për të gjitha fetë dhe për të gjithë popujt, natyrisht me mënyra të ndryshme të kohës dhe të aplikimit. Krijesa e parë njerëzore ishte e privuar nga “fruti i ndaluar” [Kur’an 7:19; Bibla – Zanafilla 3:4-5]. Bibla porosit të agjërohet në fshehtësi (pa mburrje) [Mateu 6:16-18], Moisiu 40 ditë e 40 net nuk hëngri dhe nuk piu [Eksodi 34:28], Jezusi agjëroi 40 ditë e 40 net [Mateu 4:1-2], Davidi agjëroi [2 Samuel 12:16]. “A nuk është ky agjërimi që zgjedh unë”, thoshte profeti Isaiah [58] disa shekuj para ardhjes së Jezusit!? Sot teologët nuk e konsiderojnë thjesht si një detyrim apo një zakon, por si diçka që lidhet me misterin e jetës dhe të vdekjes, të shpëtimit dhe të mallkimit. Në kontekst, Shën Vasili i Madh pati shprehur mendimin: “Për shkak se nuk agjëruam, na dëbuan nga Parajsa, le të agjërojmë tani që një ditë të kthehemi atje”.
Dijetarët e feve kanë botuar vëllime të shumta librash për të shpjeguar rëndësinë dhe dobinë shpirtërore të agjërimit, përmes të cilit adhurohet dhe lartësohet Zoti. Ekspertët nga fusha e mjekësisë kanë dhënë shpjegime mbi dobitë shëndetësore të agjërimit, kurse spitalet e njohura në vende të ndryshme të botës kanë themeluar institucione të posaçme që i shërojnë pacientët e vet përmes terapive të agjërimit. Studiues të ndryshëm botërorë kanë bërë studime të tilla edhe në fushën e psikologjisë, përkatësisht në përfitimet e agjërimit në aspektin fiziologjik, në qëndrueshmërisë fizike dhe atë psikike, duke i dhënë agjërimit ndikim të drejtpërdrejtë në psikikën e agjëruesit. I bazuar në njohuri të tilla shkencore Dr. Randi Fredricks tha në një ligjëratë të tij se “Agjërimi ka fuqinë për të ndryshuar individin, komunitetin, por dhe botën.” Në fund studentëve iu dha një këshillë: “Agjëroni, që të jeni të shëndetshëm!”.
Një studim mjekësor, duke shpjeguar se si funksionon agjërimi si dietë, thotë se trupi njerëzor është i krijuar për t’u mbrojtur nga uria, duke ruajtur rezerva lëndësh ushqyese të nevojshme për të mbijetuar. Gjatë kohës së agjërimit qelizat vihen nën stres dhe trupi fillon të çlirohet nga ato rezerva ushqyese. Në një situatë të këtillë, përfitimet shëndetësore janë të mëdha.
Mark Mattson, shefi i Laboratorit të Neuroshkencave në Institutin Kombëtar dhe profesor i neuroshkencës në “Johns Hopkins University”, duke studiuar efektet e agjërimit në aspektin shëndetësor ka gjetur se agjërimi zvogëlon dukshëm shanset për të zhvilluar sëmundje neurodegjenerative si alzheimer dhe parkinson, duke qenë se gjatë këtij procesi varfërohen rezervat e glikogjenit, trupi djeg yndyrnat dhe prodhon. Në kohën e kufizimit të kalorive, truri prodhon një proteinë të quajtur “brain derived neurotrophic factor” (BDNF) që promovon neurogjenezën dhe forcon lidhjet sinaptike. Nivelet më të larta të BDNF-së janë të lidhura me përmirësimin e kujtesës [Sugarman, 2016].
Studime të tjera e lidhin agjërimin me përmirësimin e nivelit të glukozës në gjak, reagimin më të lartë ndaj insulinës dhe rrezikun më të ulët të diabetit, të kolesterolit të keq, me norma më të ulëta të sëmundjeve të zemrës, me normalizimin e shtypjes së gjakut, me nxitjen e proceseve të ndryshme të riparimit qelizor, me reduktimin e inflamacionit dhe çrregullimin imunologjik auto-imun.
Një hulumtim i vitit 2016 tregoi se një kombinim i agjërimit dhe kimoterapisë ngadalësoi përparimin e kancerit të gjirit dhe kancerit të lëkurës. Metodat e kombinuara të trajtimit bënë që trupi të prodhonte nivele më të larta të qelizave të zakonshme paraardhëse limfoide (CLP) dhe limfociteve infiltruese të tumorit. Një studim i vjetër ka gjetur se “minjtë që agjëronin për çdo të dytën ditë, në 83% të rasteve jetonin më gjatë se minjtë që nuk agjëronin”!
Letërsia dhe kujtesat popullore kanë dhënë mjaft rrëfime në lidhje me traditën e agjërimit në shoqëri dhe kohë të ndryshme. Tradita shqiptare e agjërimit lidhet disi me tolerancën e feve, e madje edhe me konvertimet e tyre, një fenomen që ka habitur shumë ushëpërshkrues e relatorë. Aravantini na sjell një legjendë për banorët e fshatit Kurvelesh, të cilët vuanin nga uria dhe i kërkuan peshkopit të Himarës e Delvinës që t’i lejonte të thyenin agjërimin e kreshmeve, për shkak se ata ishin të lodhur nga “agjërimi” [uria]gjatë tërë vitit. Despoti u nevrikos aq shumë sa i kërcënoi nëse do të thyenin agjërimin! Në ‘llogarinë’ e tyre menduan që nëse nuk e thyejnë agjërimin do të vdisnin nga uria, që do të thotë vetëvrasje, dhe vetëvrasja të krishterin e çon në ferr. U bënë të gjithë myslimanë, edhe ashtu ‘për ferr’, por do të jetonin më gjatë [Kola:2007, f. 285]!
Moorey tregon se në vendet ku shumica e popullatës ka qenë e krishterë, në shenjë respekti kasapët e krishterë nuk kanë shitur mish derri gjatë muajit të Ramazanit. Ndërsa të krishterët i vizitonin familjet myslimane për festën e Bajramit, myslimanët e nderonin ditën e agjërimit të Shën Mërisë, festën e Shën Gjergjit dhe festën e Shën Nikollës. Ai thotë se në disa vende është thënë se prifti ka lexuar Kur’anin për respekt të një myslimani të vdekur [Moorey:2015, f. 23]! Llunji tregon se si malazezët e hershëm të Ulqinit, të varfër e të pastrehë, në fillim ishin hyzmeqarë, punonin tokat e mblidhnin ullishtat e shqiptarëve, banonin nëpër qemerë dhe buma të kalasë. Gratë të cilat shërbenin në familjet e shqiptarëve, e flisnin mirë shqipen, mbanin Ramazanin e faleshin sipas traditave të myslimanëve, askush nuk i detyronte, e bënin me vullnet të vet [Llunji:2013, ff. 23-24].

Të fundit

më të lexuarat