
- Krejt papritur, shqiptarët në Malin e Zi u vunë në shënjestër. Një grusht njerëz do thonin, tanët dhe të huajt. Por, ja që shqiptarët në Malin e Zi nuk mund të shihen assesi jashtë kontestit dhe kontekstit. Në emër të kontestit, një grup huliganësh kanë ndërprerë shfaqjen e filmit shqip në Podgoricë. Kurse, duke mos e përfshirë kontekstin (historik), regjisori shqiptar ka krijuar një fshat markezian me dhe te shqiptarët në Malin e Zi, duke i paraqitur ata në variantin më të butë – të lënë e çmendurakë.
Arti flet gjuhë universale dhe gjithkujt që i pengon kjo gjuhë, problemin e ka me botën dhe jo me individë dhe gjuhë të caktuara. Fatkeqësisht, në Ballkan dhe jo vetëm, ka gjithnjë e më shumë individë dhe masa që thirren në qiell e tokë, por që, në tokë e përtokin Zotin, kurse në qiell e damkosin tokën. Le ta quajmë sinjal ose bekim nga universi apo Zoti të gjithë ngjarjen e ndërprerjes së dhënies së filmit “Lejleku” nga regjisori shqiptar Isa Qosja në një festival filmi në Podgoricë. Sepse, paraqitja e “corpus alien”-ash është vetëdijësim dhe këndellje për indin e shëndoshë. Për rrjedhojë, trupi i shëndoshë përjeton njëfarë rilindjeje, njëfarë pranvere, njëfarë sh’njergji a sulltan-nevruzi. Paçka se, personazhi kryesor kur e pyesin në është me Krishtin apo me Muhamedin, përgjigjet: me Amerikën. - “Lejleku”, falë kësaj ngjarjeje skandaloze, fitoi hapësirë anë e kënd Ballkani dhe tëhu. Dhe “Lejleku” s’e kishte paraparë që një korb mund t’i bënte “nder” kaq të madh.
Pas ngjarjes së shëmtuar reagoi secili që pretendonte t’i kishte dy fije mend në kokë. Dhe u bë mirë. Polet u ndriçuan dhe, edhe një herë u pa që megjithatë Mali i Zi po ndërton një shoqëri të shëndoshë, ani pse me shumë vështirësi dhe ataqe. Për rrjedhojë, filmi do të jepej në kanalin nacional malazez RTCG1 dhe do përmbyllte festivalin në fjalë si kurorë e këtij manifestimi. Sigurisht, ky do të jetë vetëm fillimi i fluturimit të “Lejlekut”… Korbat do duhej ta mendonin së paku dy herë tjetërherë, por si duket përveçse të ligj, janë dhe të marrë.
Intermezzo:
Kishte shkuar, njëherë e një kohë, njëri për të bërë pazar një pulë. Ngjarja doemos do të kishte ndodhur diku në Ballkan. Meqenëse mbahej për “njeri pazari”, nënkuptonte që ia dilte të blinte çka të donte me çmimet më të ulëta të tregut. Atë ditë u sorollat sa andej-këndej, derisa gjeti një pulë sa gjysma e vlerës së tregut. I emocionuar që ia kishte dalë edhe kësaj here, e tundte pa pushim pulën si trofe teksa ia rrëfente historinë një miku të rastit.
- Sa (kushtojnë) pulat, lum jarani?!
- Nga 10 markë, përveç çales 5 markë.
- Aha, po mirë se unë s’e dua për m’arë (mbarësi), por e dua për valë (zierjeje).
Dhe kështu ia kishte dalë “i zoti” zotëri të blinte një pulë me gjysmë çmimi, pa pyetur se si e se nga çka çalja kishte mbetur e tillë. - Sepse, “nëpër valë” s’kishin ç’i duheshin këmbë, as krahë.
- Për filmin… (të cilin e pashë nga transmetimi në RTCG1)
Filmi si përmbledhje tentonte të shquante ekstremet. Për rrjedhojë, në qendër të tij ishin vënë dy jetë krejt të ndryshme përmes dy personazheve: Jasemit dhe Sutës. Të dy, të privuar ose diktuar nga normat e një katundi të përtejbjeshkëve (që presupozohet të jetë në Malësinë e Malit të Zi – nëse jo, kjo ka rëndësi të bëhet e ditur), shfaqin tablonë “bardhë e zi” të një vendi dhe mendjeje në braktisje. Suta mbetet e vejë dhe e vetmuar që në krye të rrëfimit, kurse njëkohësisht Jasemi e çon në shtëpi gruan e dytë dhe bëhet vetë i tretë. Me anë të kësaj thyerjeje tentohet që të vihen në pah rolet gjinore në një ambient kanonik, ku gruaja hera-herës ia kalon me “burrni” vetë burrit.
Kohëndodhja presupozohet të jetë në fund të shekullit të 20-të dhe fillim të shekullit të 21-të meqenëse një familje e tretë komunikon në vazhdimësi me djalin e vet në Amerikë përmes platformës Skype. Ekstremet e ndërmjet dy botëve Malësi – ShBA hapin një tjetër perspektivë tragjike. Prindër që nuk i kanë parë fëmijët e tyre me dekada të tëra dhe fëmijë që janë trazuar nga kalimi i “Urës së Botës” duke humbur shumëçka humane.
Paralelja e tretë, me simbolikë impozante, është lejleku. Prania e një shpendi të bardhë që krrokat natën.
Është korb a lejlek!?
Përcjellë risk të bardhë a të zi!?
Duhet vrarë apo mëkuar!?
Janë këto dilemat fundamentale të një vendi të braktisur nga njeriu dhe Zoti, por që përmes minaresë dhe teknologjisë duket se qëndron disi në mes të dy botëve, dy A-ve, ekstreme po ashtu: Ahiretit dhe Amerikës. - Megjithatë, mbi filmin do të duhej të shquheshin dhe kritika që profesionistët do duhej t’i bënin të qarta gjatë analizës në mënyrë që vepra të marrë vëmendjen dhe peshën e duhur. Nga këndvështrimi i një shikuesi, unë do veçoja përsëritjen e disa kuadrove të vendngjarjes (që krijon bindjen sikur fajin për fatin e njeriut e ka vendi) dhe lajmërimeve po të përsëritura nga minaretë (vdekja dhe mortja s’kanë nevojë për mocion për të përcjellë emocion).
Kritikë e mirëqenë do të kishte mundur të ngritet mbi aludimin e vendndodhjes së zhvillimit të ngjarjes – një fshat shqiptarësh, të lënë e të çmendur, në kufirin shqiptaro-sllav (diku në Malin e Zi, ku shqiptarëve u dihen pllam’ e dhmall’), pa e vënë në dukje askund konfliktin dhe kontekstin historik. Në film, në asnjë pjesë, nuk kuptohet qartazi as shkarazi shkaktari i getoizimit të atij vendi dhe që në masë të madhe për faktor ka konfliktin në fjalë dhe jo hijen e bjeshkëve. Ideja e “nëmjes dhe lën’jes” nga bjeshkët, po ashtu, nuk është pjesë e trashëgimisë dhe historisë shqiptare, por e kundërshtuesve dhe mohuesve të saj. Por, si për ironi të fatit ose esencë të faktit, ndodhi ngjarja në Podgoricë dhe besoj, e kuptoi
lejleku,
korbi,
bilbili,
bufi,
huligani,
shikuesi
e produksioni
se konteksti historik është i pakapërcyeshëm në raport me shpalosjen, qoftë dhe artistike, të shqiptarëve në Malin e Zi. Prandaj, një mesazh i përmbledhur le të jetë si në titull, në të folmen e zonës së filmit që, lejleku, le të fluturojë, sado që të çalojë.
