Ulqin – Në prani të anëtarëve dhe simpatizantëve, përfaqësuesve të partive politike, mysafirëve etj. Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka shënuar të shtunën mbrëma (9 shtator 2023) në Ulqin 33-vjetorin e themelimit të saj.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i LD në MZ, Saubih Mehmeti ka thënë se këtë aktivitet e kanë konceptuar si mbrëmje falënderimi për të gjithë ata që kanë kontribuar përgjatë 33 vjetëve të rrugëtimit së bashku.
Ai ka falënderuar dhe shprehur mirënjohje të veçantë për diasporën shqiptare në Evropë, Australi e në veçanti në SHBA, si dhe ka përshëndetur themeluesit e LD në MZ.
Mehmeti ka thënë se personalisht ndjehet me fat dhe i privilegjuar që edhe në 33-vjetorin e themelimit të LD në MZ është bashkudhëtar që nga fillimi e deri më sot edhe me shumë të tjerë. “Por njëkohësisht më takon edhe barra e rëndë nga pozita e kryetarit të LD në MZ që këto procese duhet t’i vazhdojmë në kushte dhe rrethana jofavorizuese për politikën shqiptare, sidomos në trevat ku shqiptarët janë pakicë, si në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Andaj është obligim i yni, si individë, si politikë dhe si shoqëri, por edhe i dy shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës, që më tepër të angazhohemi dhe t’i kushtojmë rëndësi pozitës, kërkesave dhe të drejtave të shqiptarëve si pakica aty ku jetojnë”, është shprehur kryetari i LD në MZ.
Në fjalën e tij, ai është përqendruar edhe në situatën aktuale politike në Mal të Zi, me theks të posaçëm në politikën shqiptare në Malin e Zi.
“Ju e dini shumë mirë se pas dy qeverive të dështuara, në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet e parakohshme më 11 qershor të këtij viti. Rezultati pas zgjedhjeve në shikim të parë është mjaft i kënaqshëm, por kjo nuk duhet të na gëzojë për faktin se këtë rezultat unë nuk ia atribuoi angazhimit të partive politike shqiptare dhe koordinimit mes tyre, por më tepër si gabime dhe dështime të njëpasnjëshme të kundërshtarëve tanë politikë, si pasojë e daljes së ulët në votime. Gjithsesi katër përfaqësues autentikë të shqiptarëve autoktonë në trevat e veta etnike, sot në Malin e Zi, është një fat dhe një momentum jashtëzakonisht i mirë dhe i favorshëm të cilin ne duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht dhe kjo arrihet nëse kemi kurajën, dëshirën dhe qëllimin e mirë t’i kontribuojmë vërtet çështjes sonë kombëtare”, ka theksuar Mehmeti.
Ai ka thënë se pozicioni i LD në MZ lidhur me formimin e qeverisë së re të Malit të Zi është i qartë.
“LD në MZ është deklaruar qartë se do të mbështesë çdo qeveri pro-evropiane, e cila nuk konteston pavarësinë e Kosovës dhe të Malit të Zi dhe e cila do të angazhohet në garantimin e të drejtave të shqiptarëve si pakica autoktone në trojet e veta etnike, sipas ligjeve dhe standardeve të BE-së, dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi. Aq më tepër që shqiptarët janë popull autokton”, ka deklaruar Mehmeti.
Kryetari i LD në MZ ka thënë se kjo parti “mbetet gjithmonë e përkushtuar dhe e gatshme për bashkëpunim të sinqertë, parimor e profesional me të gjitha subjektet politike shqiptare, pavarësisht divergjencave mes nesh dhe dallimeve të cilat unë i cilësoj më tepër teknike, partiake sesa substanciale”.
Në ceremoninë e kremtimit të 33-vjetorit të LD në MZ kanë folur dhe kanë përshëndetur edhe nënkryetari i LD në MZ, Marash Dedvukaj, deputeti Nikollë Camaj nga Lidhja Demokratike Shqiptare, nënkryetarja e UDSH-së, Hadixha Gjoni, kryetari i nderit i LD në MZ, Mehmet Bardhi, bashkatdhetari Nazim Cuca i cili jeton në SHBA, ndërsa Kolë Vulaj ka deklamuar një pjesë recitale kushtuar aksionit policor “Fluturimi i shqiponjës”.
Lidhja Demokratike në Mal të Zi është themeluar në Tuz, më 9 shtator 1990, dhe është partia e parë politike shqiptare në periudhën e pluralizmit politik në Malin e Zi.
i. k.
