Largimi nga bregdeti

Rruga Tivar-Ulqin përcjell vijën bregdetare që kur e kalon tunelin e parë dhe lë pas Zalefin, pastaj nëpër Dobra Vodë, Peçuricë, Luginën e Ullinjve (Utjehë) deri te tuneli ku fillon territori i komunës së Ulqinit. Pjesa e rrugës që vazhdon deri në Fushën e Ulqinit largohet plotësisht prej zonës bregdetare, duke lënë mënjanë një pjesë të Krruçit, komplet Valdanosin, Mendrën, Lugun e Xhemiles, Bashbylykun, Limanin

Gani Karamanaga

Largimi i parë
Rruga përgjatë bregdetit të Malit të Zi mbërriti deri në Tivar. Është dashur të kalojnë dhjetë vite që të fillojë ndërtimi i rrugës prej Tivarit deri në Ulqin. Ndërtimi i saj përfundoi në vitin 1972.
Kjo rrugë përcjell vijën bregdetare që kur e kalon tunelin e parë dhe lë pas Zalefin, pastaj nëpër Dobra Vodë, Peçuricë, Luginën e Ullinjve (Utjehë) deri te tuneli ku fillon territori i komunës së Ulqinit.
Pjesa e rrugës që vazhdon deri në Fushën e Ulqinit largohet plotësisht prej zonës bregdetare, duke lënë mënjanë një pjesë të Krruçit, komplet Valdanosin, Mendrën, Lugun e Xhemiles, Bashbylykun, Limanin. Kështu për shumicën e ulqinakëve këto zona mbesin të panjohura.

Largimi i dytë
Në dekadën e tetë të shekullit të kaluar ndodhi largimi i dytë nga zona bregdetare e Ulqinit. Të gjitha institucionet, duke filluar nga Komuna, Shtëpia e Shëndetit, Gjykata, Stacioni i Autobusëve u ndërtuan në Fushën e Ulqinit.

Largimi i tretë
Rana është me siguri pjesa më e bukur e Ulqinit. E rrethuar prej siujdhesës Suka dhe Kalasë shekullore formon Limanin e Ulqinit me plazhin e qytetit, shëtitoren, tri hyrjet në plazh, shkallët e para, të dyta dhe të treta.
Në fillim të Ranës është sheshi, ku dikur ishte hoteli “Republika“. Në Ranë gjithmonë janë mbajtur të gjitha manifestimet, qofshin ato muzikore si edhe Panairi i Librit.
Në vitin 2025 pushteti vendor vendosi që Panairi i Librit të organizohet në vendin ku dikur ishte tregu i gjelbër. Po ashtu edhe manifestimet tradicionale të fundvitit të mbahen në lokalitetin e përmendur. Kështu, ky mund të konsiderohet si largimi i tretë prej zonës bregdetare.
Në fund, këtë mospajtim dhe vërejtjen time po e përfundoj me një thënie të axhës sonë Maliq Karamanaga (1895-1980), i cili për ndonjë gjë të pakuptueshme thoshte: “Zhallosno!“

Të fundit

më të lexuarat