
Vështirë se mund të gjesh një vend më të bukur se Malin e Zi. Të gjithë bien dakord për këtë. Cilësia e jetës këtu është e mirë në raport me të gjitha rrethanat që na rëndojnë, por jo aq e mirë saqë çdo i ri padyshim të mendojë për të krijuar jetën e tij këtu. Edhe pse Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, kjo ecje përpara nuk ka sjellë rezultate konkrete në jetën e përditshme që do t’i ndjenin të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë po largohen nga vendi. Hulumtimet e fundit tregojnë se 50 për qind e të rinjve kanë deklaruar se duan të largohen nga Mali i Zi dhe se 70 për qind e tyre mendojnë për këtë. Kjo e dhënë do të duhej të jetë shqetësuese, për të mos thënë alarm i kuq për qeverinë dhe vendimmarrësit shtetërorë. Qeveria e tashme, ato të mëparshmet dhe të gjithë akterët politikë pohojnë se duhet ta trajtojnë këtë problem, se duhet investuar te të rinjtë, duke ofruar sa më shumë mundësi për zhvillimin e tyre personal e profesional.
Vendimmarrësit do të duhej të jenë të vetëdijshëm se vlera më e madhe e çdo shteti përparimtar, pra edhe e Malit të Zi, janë të rinjtë që bartin një energji të re, të cilët mund ta ndryshojnë sistemin për mirë. Pse të rinjtë largohen nga Mali i Zi? Këtë pyetje ua bëmë disa të rinjve të shkolluar të disa universiteteve. Përgjigjet e tyre ishin të ndryshme. Ata thonë se largimi i të rinjve nga Mali i Zi kryesisht është pasojë e drejtimit të politikave publike në vend, mënyra e sjelljes së politikës dhe politizimi i të gjitha institucioneve, dominimi i punësimit politik, mungesa e perspektivës, pamundësia e punësimit dhe pavarësia ekonomike. Ndër arsyet dhe gjërat që i detyrojnë të rinjtë e kualifikuar të largohen nga vendlindja, shumë prej tyre, përmendin edhe shqetësimin që kanë nga fërkimi i vazhdueshëm politik, faktin që ende po jetojmë në kaluarën, që nacionalizmi dhe e djathta po rriten , e arsye të tjera. Të rinjtë, pra, janë të lodhur nga funksionimi dhe jetesa e tillë.
Nga ana tjetër ekspertët shfaqin mendimin se është shkatërruese që 70 për qind e të rinjve mendojnë të largohen nga Mali i Zi, sepse nuk mendojnë se është një vend ku mund të gjejnë punë, të fitojnë aftësitë e nevojshme, të krijojnë familje dhe të planifikojnë jetën e tyre. Ata vlerësojnë se qeveria dhe vendimmarrësit shtetërorë duhet të merren më shumë me të rinjtë, për të cilët disa hulumtime tregojnë se janë disi anemikë, se nuk janë aktivë , se janë të painteresuar për atë që po ndodhë në këtë moment, si politika, vendimmarrja etj.. “ Të rinjtë janë aktivë, përpiqen, por nuk kanë hapësirë për të shprehur dëshirat, pritshmëritë apo dëshirat e tyre. Në një mënyrë ata nuk respektohen nga shoqëria, nuk mund të ndikojnë në vendimmarrje, zëri i tyre nuk dëgjohet dhe si pasojë e një injorance të plotë janë një grup i të rinjsh që duan të largohen nga Mali i Zi dhe ndoshta të qëndrojnë atje”, theksojnë ekspertët. Sipas tyre edhe ata që vendosin të kthehen do të kthehen vetëm nëse krijojmë një sistem për ta ku ata mund të besojnë se mund të krijojnë potencialin e tyre të plotë. Derisa të rinjtë e kualifikuar në Mal të Zi, në fakt do të kenë nevojë për një kartë politike, apo kartë anëtarësie për të gjetur një punë në administratën shtetërore dhe për t’u marrë me disa çështje dhe detyra serioze, atëherë nuk kemi pse të habitemi për largimin masiv të të rinjve, shumica e të cilëve nuk e duan këtë situatë, e cila në vendet e tjera perëndimore është ndryshe.
Brezi i ri do të ndjehet mirë, i lumtur dhe i sigurt vetëm atëherë kur shteti të ketë një vizion dhe strategji të qartë të zhvillimit, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik , që jeton në paqe , bashkëpunim e besim , ku kriter kryesor i arritjeve profesionale dhe personale do të jetë meritokracia e jo partitokracia. Në këtë mënyrë mund të punojmë në pengimin e largimit të të rinjve, që është një problem që, për fat të keq, kërcënon thelbin e shtetit, themelet dhe të ardhmen e tij , si dhe për të ndërtimin e gjeneratave të ardhshme, që është edhe premtimi i qeverisë aktuale. Ka ardhur koha që largimi i të rinjve mos t’ua lërë vendin të moshuarve.
