Lamtumirë, koleg i dashur!

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

4 Shtatori më solli një lajm të rëndë për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë pasur privilegjin të punonin me Astrit
Lulushin. Lajmin e zi ma përcolli i vëllai i Astritit, Albert Lulushi, gjithashtu një koleg imi i familjes së nderuar Lulushi: “Wanted to send a brief message about Astrit. He passed away this morning. Thank you for being an important part of his life.” Astrit Lulushi e humbi betejën e fundit nga një sëmundje e rëndë në veshke që e kishte ndjekur me kohë.
Është një fjalë e vjetër ndër ne shqiptarët kudo që jemi, me shprehjen se “Të gjithë jemi bijat dhe të bijtë e vdekjes.” E vërteta e hidhur është se kjo thënie është tepër e ftohtë në çdo rast vdekjeje, por në këtë rast, të kësaj humbjeje të rëndë, siç është kalimi në amshim, mëngjesin e 4 Shtatorit, 2024, të kolegut tonë Astrit Lulushi. Kjo shprehje nuk i teri as lotët e derdhura nga familjarët dhe të dashurit e tij, miq e kolegë. As nuk zvogëloi aspak dhimbjet për humbjen e një kolegu të dashur për të gjithë ata që e kanë njohur si tepër të dobishëm për familjen e tij, për Zërin e Amerikës në gjuhën shqip, ku ka punuar për 30-vjet dhe për të gjithë ata me të cilët ishte në kontakt sa ishte gjallë. Astrit Lulushi ka lindur në vitin 1953 në Tiranë. Ai u arratis nga regjimi komunist Bolshevik sllavo-komunist në vitin 1985 dhe një vit më vonë filloi punë tek “Zëri i Amerikës”, ku e ndjente veten shumë të privilegjuar, ndërsa familja e tij iu bashkua disa vite më vonë, pas shembjes së Murit të Berlinit.
Vdekja është gjithmonë një ngjarje e kobshme dhe në rastin e Astritit, disi e parakohshme, pasi e mori në moshën 71-vjeçare. Por, pasi ky, përfundimisht, është fati i të gjithë nesh – s’i ikim dot, por me lutje e pranojmë si diçka që i dorëzohemi, duam, s’duam. Ndërkaq, në raste të tilla, ato që na mbeten, janë kujtimet dhe trashëgimia lenë pas, janë ato kujtime nga e kaluara që e bëjnë shkuarjen në amshim, ndoshta pak më të lehtë.
Prandaj, sot e kujtoj Astrit Lulushin si koleg të nderuar dhe të respektuar nga të gjithë bashkëpunëtorët e tij, gjatë periudhës që kemi punuar bashkë në Zërin e Amerikës – megjithëse nuk ishim në marrëdhënie të përditshme pune. Astriti ka filluar punën në shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, në vitin 1985, pothuaj menjëherë pasi ishte arratisur nga Shqipëria komuniste. E kujtoj si një gazetar me përvojë, si producent të përpiktë të Shërbimit shqip për programet e radios dhe më vonë të televizionit. Por edhe si folës, përkthyes, gazetar e shkrimtar. Ishte shumë i dashur për të gjithë.
Gjatë punësimit, tek VOA-shqip, Astrit Lulushi trajtonte lloj-lloj temash e subjektesh për transmetim, përfshirë shkencë dhe mjekësi. Ishte i njohur dhe shumë i respektuar edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi ka shërbyer shpesh si korrespondent i Zërit të Amerikës, duke mbuluar zhvillimet e komunitetit dhe duke intervistuar personalitetet e dalluara shqiptaro-amerikane.
Pas 30-viteve punë, Astriti kishte vendosur të dilte në pension nga Zëri i Amerikës 5-vjet më parë, në korrik të vitit 2019. Me atë rast, drejtoresha e atëhershme e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet i dorëzoi Astrit Lulushit dekoratën, “Çmimi i Karrierës”, për arritjet e tija profesionale. Me atë rast Astriti u drejtoi, nga një studio e Zërit të Amerikës, fjalët e fundit si gazetar i këtij enti të madh amerikan lajmesh, dëgjuesve dhe shikuesve të VOA-s shqip:
“Sot është dita ime e fundit si punonjës i Zërit të Amerikës. Pas 30-vjetësh punë tani erdhi koha për të dalë në pension. Njeriu ikë nga vendlindja dhe vjen në Amerikë për të kërkuar liri dhe mirëqenie. Këtu, unë i gjeta të dyja. Gjithashtu ndjehem i privilegjuar që m’u dha mundësia për të shërbyer në një agjenci si Zëri i Amerikës, që zë vendin e nderit mes vendeve të lira. Largohem i përmbushur dhe i nderuar që kam qenë në shërbimin tuaj – ju dëgjues dhe shikues të mrekullueshëm të programeve të Zërit të Amerikës. Ju faleminderit!”
Ishin këto fjalët e Astritit në ditën e pensionimit drejtuar dëgjuesve dhe shikuesve të Zërit të Amerikës. Por duken mjaft të përshtatshme këto fjalë edhe sot që kolegu ynë i dashur, është ndarë përgjithmonë prej kësaj bote: “Në Amerikë gjeta lirinë dhe mirëqenien” — “Largohem i përmbushur dhe i nderuar”, është shprehur ai, si një falënderim ndaj Amerikës që e ka strehuar, ashtu si edhe shumë prej nesh që kemi gjetur strehim dhe liri në këtë vend të bekuar –të arratisur nga anë e mbanë trojet shqiptare.
Edhe ne që e kemi njohur e punuar me Astritin gjatë dekadave – ndonëse të pikëlluar për humbjen e tij — ndihemi të përmbushur dhe të nderuar që e kemi njohur. Ai do vazhdojë të jetë me ne nëpërmjet trashëgimisë kulturore dhe një publicistike me gjallëri mahnitëse që ka lenë pas: të paktën mbi një duzinë librash të botuar dhe qindra e qindra artikuj. Por, shkuarja në amshim e Astritit gjithsesi do të varfërojë gazetarinë dhe letërsinë shqipe jo vetëm në diasporë por edhe anë e mban trojeve shqiptare ku ai ishte pothuaj i pranishëm, vazhdimisht.
Megjithëkëtë, zbrazëtia e tij do të ndjehet shumë, sidomos në rrethin e tij familjar, në radhët e kolegëve të tij gazetarë dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, pjesë e të cilit ishte për pothuaj 50-vjet, si gazetar i Zërit të Amerikës dhe si publicist pas daljes në pension. Familjes së ngushtë, pikësëpari bashkëshortes Lilianës, familjarëve të tij në Amerikë dhe në atdhe, u shprehi ngushëllimet më të sinqerta dhe dhimbjen time më të thellë, me nderim e respekt, duke u përkulur para kujtimit të paharrueshëm të Astritit.

Të fundit

më të lexuarat