Lajmi i “jashtëzakonshëm” për fitoren e kryebashkiakut të Nju Jorkut

E “jashtëzakonshmja” shpjegohet në disa versione, e para prej të cilave është përballja e tij me kundërshtimin e fortë nga një grup miliarderësh të profilit të lartë, që kërkuan me milionat e tyre për të penguar fitoren e tij. Presidenti Donald Trump dhe Elon Musk ishin të dy mbështetës të Cuomos, por nuk ka të dhëna nëse kanë shpenzuar para për garën

Hajrudin S. Muja

Janë të paktë ata që kanë dëgjuar për personalitetet si: Abdullah H. Hammoud, kryetar i Bashkisë së Dearborn (Miçigan); për Amir Omar, kryetar i Bashkisë së Richardson (Teksas); për Aisha Chughtai, zëvendëspresidente e Këshillit të Qytetit të Mineapolisit; për Ilhan Omar, Rashida Tlaib, Andre Carson – anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve; për Omar Fateh, kandidat për kryetar të Bashkisë së Mineapolisit dhe emra të tjerë, si Keith Ellison, Lateefa Simon etj., por të gjithë kanë dëgjuar për Zohran Mamdanin – kandidatin dhe fituesin e zgjedhjeve për postin e kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, qytetit me diversitet të madh racor dhe kulturor, duke mposhtur rivalin e kalitur – ish-guvernatorin demokrat Andry Cuomo. Fitoren e tij shumë gazeta prestigjoze e vlerësuan si “lajm të jashtëzakonshëm”. Përse “i jashtë-zakonshëm” – një individ i ardhur në Amerikë si fëmijë, i diplomuar në Kolegjin “Bowdoin”, me një diplomë Baçelor në Studime Afrikane, i deklaruar për respektimin e ligjeve të shtetit që u përkasin të gjithëve, i cili i ka pranuar rregullat e sistemit, qëndrimet politike të të cilit janë socialdemokratike si çdo tjetër dhe që ka shërbyer si anëtar i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut nga distrikti i 36-të, që nga viti 2021, duke përfaqësuar lagjen Astoria të Queens-it?
Por vërtet, shumëçka e bën të jashtëzakonshëm. Nga këto të jashtëzakonshmet, e fundit mund të jetë se ai është një mysliman. Veç posteve të larta që posedojnë të lartpërmendurit myslimanë, në mungesë të të dhënave zyrtare, thuhet se në SHBA jetojnë rreth gjashtë milionë myslimanë, me 2 769 xhamitë e tyre dhe me 300 shkolla aktive, në të cilat i ndjekin mësimet më shumë se 50 mijë nxënës dhe studentë.
E “jashtëzakonshmja” shpjegohet në disa versione, e para prej të cilave është përballja e tij me kundërshtimin e fortë nga një grup miliarderësh të profilit të lartë, që kërkuan me milionat e tyre për të penguar fitoren e tij. Sipërmarrësi dhe filantropi Bill Gates me 1.75 milion dollarë; biznesmeni Michael, donatori më i madh me 8.3 milionë dollarë; bashkëthemeluesi miliarder i AirBnB – Joe Gebbia, me 1 milion dollarë; familja Tisch, nga vjen komisionarja e Departamentit policor të Nju Jorkut, Jessica Tisch, me 1.3 milion dollarë; presidenti i Kongresit Botëror Hebraik – Ronald Lauder, me 2 milionë dollarë; kryetari i bordit të “Estée Lauder Companies” – William Lauder me 500 mijë dollarë; manjati i pasurive të paluajtshme dhe kazinove Steve Wynn me 500 mijë dollarë; menaxheri i fondeve spekulative Daniel Loeb me 350 mijë dollarë; manjati i medias Barry Diller me 250 mijë dollarë; Marcella Guarino Hymowitz, gruaja e investitorit Gregg Hymowitz, me 250 mijë dollarë; Richard Kurtz, një manjat i pasurive të patundshme që jeton në Palm Beach (Florida), me 100 mijë dollarë; filantropistja Alice Walton me 100 mijë dollarë [Forbes, 4.11.2025]. Shumica e këtyre i kanë dhënë kontributet përmes organizatave, në krye të të cilave qëndron lobi i fuqishëm cionist “American Israel Public Affairs Committee” [AIPAC]. Kishte edhe disa miliarderë të tjerë, që folën kundër Mamdanit, por nuk i hapën portofolet e tyre. Presidenti Donald Trump dhe Elon Musk ishin të dy mbështetës të Cuomos, por nuk ka të dhëna nëse kanë shpenzuar para për garën. Në gjithë garat janë shpenzuar 81.871 milionë dollarë (58.2 milionë për Cuomon, 16.8 milionë për Mamdanin dhe 6.871 milionë për Sliva Curtisin) [CNBC, 30.10.2025].
Mund të quhet fitore e jashtëzakonshme përballë kërcënimeve të Presidentit Trump, përkundër deklaratave të tij se nëse fiton do ta burgosë Netanjahun po erdhi në Nju Jork, megjithëse botërisht dilte në mbrojtje të palestinezëve dhe dënonte agesionin izraelit në Gaza, përkundrejt luftës së pakompromis të grupeve cioniste kundër tij, me gjithë atë fushatë të paparë dhe para të derdhura kundër tij, me gjithë premtimet se do t’i rrisë tatimet për milionerët…
Komentuesit e ndryshëm përpiqen të shpjegojnë se përse pas gjithë këtyre parave të derdhura kundër Mamdanit, ai i fitoi dukshëm rivalët e tij. Arsyeja e së jashtëzakonshmes mund të lidhet me debatin e parë publik, që u mbajt më 22 tetor 2025. Në këtë debat, një pyetje e çuditshme iu bë të gjithë kandidatëve për pozitën e kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut. Pyetja ishte: “Cilin vend të huaj do ta vizitoni të parin, nëse ju fitoni?” Gjashtë nga shtatë kandidatët kishin të njëjtën përgjigje: “Izraelin”, përveç Zohran Mamdanit, i cili u përgjigj: “Unë do të qëndroj në Nju Jork. Plani im është të fokusohem në çështjet që kanë të bëjnë me qytetarët e Nju Jorkut”. Pas përgjigjes, për Mandanin kishte një pyetje shtesë: “Z. Mamdani, a do ta vizitoni Izraelin?”. Mamdani sërish iu përgjigj: “Si kryetar i Bashkisë do të qëndroj afër hebrejve të Nju Jorkut, për sigurinë e tyre…”. Në pyetjen tjetër se “A besoni që Izraeli ka të drejtë të ekzistojë?”, ai u përgjigj: “Unë besoj se ka të drejtën e ekzistencës”. Përgjigjja sërish ishte e pakënaqshme: “Si shtet çifut?”. Ai tha: “Si shtet me të drejta të barabarta për të gjithë”. Përgjigjja e Mamdanit ishte më se normale, ndryshe nga të gjithë të tjerët! Pse duhet një kryetar Bashkie i Nju Jorkut t’i bënte vizitë një vendi të huaj, qoftë edhe Izraelit? Kjo përgjigje ishte “thyerja e akullit” për kandidatët e posteve të larta për një kohë të gjatë!
Një arsye shtesë pse mund të quhet fitore e jashtëzakonshme, si kryetari i parë mysliman i Nju Jorkut në historinë e Amerikës, është sepse fitoi përballë kërcënimeve të Presidentit Trump, përkundër deklaratave të tij se nëse fiton do ta burgosë Netanjahun po erdhi në Nju Jork, megjithëse botërisht dilte në mbrojtje të palestinezëve dhe dënonte agresionin cionist izraelit në Gaza [New York Times, 5.11.2025], me gjithë luftën e pakompromis të grupeve cioniste kundër, përkundër deklaratave të tij të hapura se është një mysliman që nuk ka në plan të heqë dorë nga besimi i tij dhe nuk do ta ndryshojë mënyrën e jetës.
Ai do të ulet në karrigen e kryebashkiakut në janarin e vitit 2026, edhe përkundër një fushate nga më të sponsorizuarat e islamofobisë që u përdor kundër tij. Fitoi me një milion vota më shumë se 50%, për të parën herë që nga viti 1969, pothuajse fare i pambështetur. Mori mbi 50% të votave, duke ruajtur një diferencë prej rreth 10 pikësh ndaj ish-guvernatorit Andrew Cuomo, i cili kandidoi si i pavarur me mbështetjen e Donald Trumpit dhe Elon Muskut, si dhe kandidatit republikan Curtis Sliwa, që arriti vetëm 10% të votave. Fitoi përkundrejt thirrjeve të vazhdueshme për heqjen e shtetësisë dhe deportimin e tij. Fitoi përkundër “paralajmërimit” të kryebashkiakut Eric Adams se fitorja Mamdanit është fitore e “ekstremizmit islamik” [The New Yorker, 2.11.2025]! Fitoi edhe përkundër shumë kritikave, të ngjyrosura me nuanca specifike antimyslimane. Fitoi edhe pse u bombarduan me imazhe antisemitizmi, të financuara nga 26 miliarderë, mediave që u shërbejnë [Forbes, 1.11.2025], duke errësuar e trashur mjekrën e Mamdanit. Pavarësisht këtyre imazheve dhe paralajmërimeve, shpesh histerike rreth antisemitizmit të tij të dyshuar dhe armiqësisë shumë më mirë të dokumentuar ndaj Izraelit, fitoi një pjesë të madhe të votave hebraike [Haaretz, 6.11.2025], një ndryshim i rëndësishëm diplomatik që reflekton tensionet midis zyrtarëve izraelitë dhe ndryshon dinamikën politike të Nju Jorkut [Headline360]. Fitoi përkundër zërit të tij në mbështetje të kauzës palestineze [The New Yorker, 2.11.2025]. Fitoi edhe përkundër etiketimit “komunist”, “budalla” dhe “mbështës i xhihadit global” [The New Yorker, 2.11.2025]. Fitoi përkundër “paralajmërimeve” të kundërshtarëve se fitorja e tij do ta çojë Nju Jorkun në distopi, një distopi që e kemi këtu pasi mbyllja e qeverisë ka hyrë në javën e pestë, qindra mijëra njujorkezë po përgatiten që çmimet e tyre të sigurimit shëndetësor të rriten ndjeshëm [The New Yorker, 2.11.2025]. Fitoi me votat e hebrejve dhe të krishterëve, duke afirmuar kështu identitetin e vet fetar e kulturor dhe duke theksuar kështu jo ndasitë, por pasurinë e diversitetit, ku duhet të ketë barazi absolute për të gjithë. Fitoi me deklaratën se po përmbyset një dinasti politike dhe se qyteti është ndërtuar nga emigrantët dhe do të mbetet i tillë. Fitoi, jo për shkak të meritës së partisë për të cilën kandidoi, por për shkak të individit që iu përgjigj nevojave të vërteta të klasës së mesme, diçka që e majta e ka harruar me kohë. Fitorja e tij ka shfaqur ngjyrat e vërteta të qytetit, duke përcaktuar veten kundër forcave të fanatizmit. Sfondi fetar i tij hodhi nën hije debatet e politikës, duke i detyruar votuesit të përballen me një zgjedhje, midis pranimit dhe paragjykimit. Masa e madhe e njerëzve të thjeshtë shprehën urrejtjen e tyre për miliarderët llafazanë që kërkojnë të “blejnë” zgjedhjet, përmes përhapjes së dezinformatave në mediat që kanë në dorë. Vullneti i votuesve nga të gjitha sfondet shënoi një kapitull të ri për qytetin më të madh në Tokë.
Një nga aspektet më të urryera që kam parë në këtë “të jashtëzakonshmen”, janë disa shqiptarë që e vjellin jashtë të zezën që mbajnë brenda vetes, për shkak se në Nju Jork paska fituar një mysliman në postin e kryebashkiakut. Ata shpërfaqin haptas racizmin dhe urrejtjen në komentet e tyre, duke ofenduar një person për shkak të besimit, megjithëse është e qartë se kjo urrejtje u drejtohet edhe bashkëkombasve të tyre të atij besimi. Të paktët prej tyre shprehin solidaritet për Palestinën, por shumica janë servilë të Izraelit dhe të cionizmit. Kështu ndodh kur injoranca bën të veten, kur mungon kujtesa kolektive dhe kur shpërfaqet fatkeqësia e lavazhit të trurit, që ka vazhduar edhe pas ardhjes së demokracisë dhe i ka lënë shqiptarët si një popull pa shtyllë kurrizore dhe pa vlera! E turpshme dhe e neveritshme.

Të fundit

më të lexuarat