Pas dështimit të socializmit si ideologji dhe rend shoqëror në rrethana të reja shoqërore ka ardhur koha qe për çështjet mbarëkombëtare përfaqësuesit e shqiptarëve nga hapësira e tyre etnogjeografike të mblidhen së paku një herë në vit në Tiranë, për të trajtuar çështjet preokupuese kombëtare që janë në favor të avancimit të statusit politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor të popullit shqiptar në mjediset përkatëse. Një veprim i tillë do të dëshmonte se shqiptarët kanë strategjinë e tyre kombëtare, për të sotmen dhe të ardhmen kur janë në pyetje avancimi i çështjeve përkatëse konform standardeve demokratike evropiane, ndërsa data më e përshtatshme është 17 janari që përkon me ditën e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Ndonëse po bëhen tri dekada nga rënia e sistemit monist, organizimet e ndryshme në nivelin mbarëkombëtar për shqiptarët në rrethana të reja shoqërore janë për të dëshiruar. Jo se kanë munguar nismat e tilla, por kanë qenë strukturat qeveritare ato të cilat kanë pasur qasje subjektive, madje duke i injoruar kërkesat e tilla. Nëse deri në vitin 1999 me rastin e çlirimit të Kosovës, një hezitim i tillë ka mundur edhe të arsyetohej, pas këtij viti përgjegjësia bie kryekëput mbi qeveritarët në Tiranë, sepse është obligim moral i shtetit amë të mbledh përfaqësuesit shqiptarë në takime të ndryshme të nivelit mbarëkombëtar.
Rasti i vetëm, 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
Në këtë aspekt deri më tash përjashtim bën vetëm shënimi i vitit jubilar i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte pikërisht data 17 janar 2012 që mblodhi në Tiranë shqiptarët nga hapësira e tyre etnogjeografike në një takim solemn në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e vitit jubilar të shënimit të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Dhe një datë e tillë nuk ishte e rastit, sepse ajo përkonte me 544 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke shprehur një simbolikë të unitetit të shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike. Organizatori, Kuvendi i Shqipërisë ishte kujdesur që ky solemnitet të jetë i nivelit më të lartë, që u dëshmua me dekorin e sallës së Kuvendit, ndërsa intonimi i Himnit Kombëtar bashkoi si asnjëherë deri më tash shqiptarët.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “849” të revistës Koha Javore
