Kultura e debatit – vlerë e komunikimit

Ne pluralizëm për të parën herë u mundësua të debatohet për çështjet e ndryshme shoqërore të cilat janë shqetësim për qytetarët, ku nuk përjashtohen as ato politike, por kultura e debatit si vlerë kulturore e komunikimit mbetet për të dëshiruar, sepse subjektet politike kanë ndikuar në mënyrë negative në këtë aspekt, ngase pothuaj çdo gjë është politizuar, varësisht prej koalicioneve qeverisëse, që nuk është në favor të demokracisë pluraliste. Kjo dukuri ka të bëjë pothuaj në të gjitha vendet e ish-kampit socialist, ku as ne shqiptarët nuk bëjmë përjashtim

Nail Draga

Pikërisht në mungesë të një debati konstruktiv në mes shqiptarëve, ka ndikuar që dukuritë e ndryshme shoqërore të mbesin në heshtje, pa reagim qytetar apo intelektual, gjë që nuk është në favor të pluralizmit shoqëror të mjedisit përkatës, sepse qytetarët jo që dëshirojnë, por kërkojnë të informohen për çështjet të cilat janë preokupuese pa politizime e pa paragjykime për të sotmën dhe të ardhmën.

Debati – nevojë e komunikimit
Ndonëse kanë kaluar tri dekada nga miratimi i pluralizmit, individët ende hezitojnë ta trajtojnë debatin si nevojë e komunikimit shoqëror, sepse ende ekziston infektimi nga koha e monizmit. Me një qasje të tillë duke heshtur nuk i kontribuohet avancimit të vlerave shoqërore, por e kundërta, sepse nuk është në favor të demokracisë pluraliste. Kemi të bëjmë me një vendnumërim me pasoja shoqërore që ndikon negativisht në përgjithësi e në kulturën politike në veçanti, sepse përmes debatit prezantohen vlerat personale, profesionale e partiake për çështjet e përkatëse.

Varfëria mediatike në Mal të Zi
Nga të gjitha vendet e ish-kampit socialist, Mali i Zi veçohet me varfërinë e mediave elektronike, sepse përveç medias shtetërore (TVMZ) ekzistojnë edhe disa private, ku veçohet TV Vijesti. Në lidhje mbi ketë çështje nuk ka dilemë se rolin kryesor e luajnë mediat, kryesisht ato elektronike edhe pse mediat e shkruara nuk duhet nënçmuar. Por, jemi dëshmitarë se media elektronike shtetërore (TVMZ) për shqiptarët është e pranishme vetëm në fushatat parazgjedhore. Gjatë kësaj kohe shqiptarët përmes subjekteve politike janë të pranishëm atje, ku prezentojnë programin e tyre partiak, duke u ofruar të dhëna qytetarëve, gjegjësisht elektoratit të tyre. Një veprim i tillë është normal, por shqiptarët kanë nevojë që të jenë të pranishëm në ekranin e televizionit edhe pas zgjedhjeve, ashtu sikurse edhe qytetarët e tjerë në Mal të Zi. Andaj, është e nevojshme që debati të jetë i pranishëm në vazhdimësi, qoftë në ekranin e TVMZ, apo edhe në televizionet private.
Sepse duke organizuar emisione të kësaj natyre, opinioni i gjerë do të kishte mundësi të informohej detajisht në lidhje me rrjedhat aktuale dhe çështjet preokupuese të shqiptarëve në mjediset ku jetojnë e veprojnë si popullsi autoktone në Mal të Zi.

Gatishmëria e munguar
Edhe pse në rrethana të tjera në pluralizëm, të gjithë jemi dëshmitarë së partitë politike që përfaqësojnë elektoratin e shqiptarëve në këtë mjedis, nuk janë treguar të gatshme të hapin debatin në lidhje mbi çështjet kyçe të cilat janë preokupuese për shqiptarët në veçanti, e qytetarët në përgjithësi. Edhe pse një çështje e tillë është imperativ i kohës te strukturat udhëheqëse të subjekteve politike, ekziston një apati e plotë. Dhe nga gjendja ekzistuese nuk ka dilemë se shqiptarët janë të pakënaqur, sepse gjatë fushatave zgjedhore janë premtuar shumë gjëra, ndërsa realiteti dëshmon diçka tjetër. Në veçanti e kemi fjalën për çështjet kyçe që kanë të bëjnë në lidhje me identitetin kombëtar të shqiptarëve në ketë mjedis, qoftë në kuadër të pushteteve vendore apo atij qendror.
Partitë politike e kanë si obligim që të nxisin debatin duke prezantuar me fakte realitetin shoqëror, pa marrë parasysh gjendjen ekzistuese. Debati duhet të jetë dukuri normale si kudo në botën demokratike me institucionet e pushtetit, në parlament dhe në media, në mënyrë që opinioni i gjerë të ketë një pamje të qartë të zhvillimeve të përgjithshme. Nuk thohet kot se qeverisja është pasqyra e subjekteve politike.

Mediat private si zgjidhje
Në mungesë të emisioneve në gjuhën shqipe në TVMZ, këtë shprazëtirë relativisht janë duke e plotësuar dy media private: TV Teuta (Ulqin) dhe TV Boin (Tuz). Me gjithë angazhimin e këtyre mediave, duhet përpjekur që në TVMZ i cili financohet nga qytetarët, shqiptarët të kenë emisionin e tyre, minimalisht dy herë në muaj, e jo të jemi të pranishëm vetëm gjatë fushatës zgjedhore. Sepse edhe qytetarët shqiptarë në Mal të Zi janë pagues të rregullt të taksave dhe të tatimeve, andaj u takon të prezantohen në këtë medie. Vetëm në këtë formë mund të ndryshojë gjendja e cila në fushën e informimit është nën standardet ndërkombëtare. Duke marrë parasysh se subjektet politike të shqiptarëve nga buxheti qeveritar sigurojnë mjete financiare mujore, ata mund të realizojnë me pagesë emisione të tilla për të qenë transparent para qytetarëve për çështjet aktuale shoqërore e politike. Nga kjo del se ka mundësi për zgjidhje, por duhet edhe vullnet për të gjetur zgjidhjen e dëshiruar, ku përgjegjësia bie mbi subjektet politike, për të qenë transparente para qytetarëve.

Ndërgjegjësimi i elektoratit
Në saje të votimeve në kohën e pluralizmit, del qartë se kemi të bëjmë me një evoluim të elektoratit shqiptar, që dëshmohet me votat e subjekteve politike. Pavarësisht se skena politike brenda vet shqiptarëve ka pësuar ndryshime që nuk është në favor të homogjenizimit të trupit votues shqiptar dhe përfaqësimit të tyre autentik, asnjë udhëheqës nuk ka qenë vetëkritik për të pranuar se veprimet e tyre autokratike e egoiste politike kanë qenë shkaqet kryesore për formimin e partive të reja politike. Madje, një dukuri e tillë ka ndikuar negativisht në kohezionin e elektoratit shqiptar.
Largimi i elektoratit shqiptar nga mbështetja e disa partive politike, dëshmon se demagogjia politike dhe premtimet e parealizuara parazgjedhore kanë ndikuar në distancimin e tyre, nga del se votuesi shqiptar ka filluar të ndërgjegjësohet, që dëshmohet nga rezultati i votimeve i viteve të fundit.

Debati eliminon spekulimet
Nga përvoja e deritanishme del qartë se në mungesë të debatit me qytetarët, hapen mundësi për spekulime të ndryshme që nuk janë në favor të rrjedhave të përgjithshme shoqërore dhe politike në mjediset e ndryshme, ku as ato shqiptare nuk janë përjashtim. Raste tipike të kësaj natyre ka kudo, por për shqiptarët në Mal të Zi janë më të theksuara në komunat: Ulqin, Malësi dhe Plavë-Guci.
Organizimi i tribunave të ndryshme me qytetarët ku do të ftoheshin përfaqësuesit e subjekteve të ndryshme politike, apo të strukturave nga pushteti vendor e ai qendror, do të ndikonte pozitivisht në eliminimin e dilemave ekzistuese. Hapja e një debati të tillë është i nevojshëm, sepse në ketë mënyrë punohet kudo në botën e qytetëruar gjatë një mandati të pushtetit, e jo vetëm në prag të fushatave zgjedhore, sikurse është bërë praktikë tek ne. Moskoordinimi i punëve krijon huti dhe pakënaqësi te qytetarët, të cilët nga një padisponim i tillë refuzojnë të drejtën elementare qytetare për të votuar.
Pikërisht një pakënaqësi e tillë ndikon edhe në refuzimin e votimit ndaj subjektit politik të cilin e kanë votuar më herët, sepse janë zhgënjyer nga mosrealizimi i premtimeve zgjedhore. Raste të tilla ka kudo në Mal të Zi, por Ulqini është tipik në këtë aspekt, që dëshmohet nga zgjedhjet parlamentare e lokale në dy vitet e fundit.

Të fundit

më të lexuarat