Kult për shqiptarët

Ishte meritë e patriotit dhe intelektualit Faik Konica, i cili në vitin 1899, në revistën “Albania”, të cilën e drejtonte, na rizbuloi flamurin kombëtar. Ndërsa flamuri kombëtar në kryengritjen e Malësisë së Madhe, më 6 prill 1911, nën drejtimin e Dedë Gjon Lulit, është sjellë nga Palokë Traboini, kurse më 28 nëntor 1912 në Vlorë, me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, është flamuri i Alesandro Kastriotit, i cili ia ka dhuruar në Paris Et’hem bej Vlorës, ndërsa ditë më pas ai është zëvendësuar me flamurin e punuar nga Marigo Pozo

Nail Draga

(vijon nga numri i kaluar)

Flamuri u rizbulua nga Konica
Nga shek. XV e më pas, shqiptarët shqiponjën dhe flamurin kombëtar e kishin kult, por në rrethana të okupimit nga osmanët, vetëm në shek. XIX, kur fillon Rilindja Kombëtare Shqiptare, na paraqitet në skenë flamuri kombëtar me ngjyrë të kuqe e shqiponjën e zezë në mes. Ishte meritë e patriotit dhe intelektualit Faik Konica, i cili në vitin 1899, në revistën “Albania”, të cilën e drejtonte, na rizbuloi flamurin kombëtar. Ndërsa flamuri kombëtar në kryengritjen e Malësisë së Madhe, më 6 prill 1911, nën drejtimin e Dedë Gjon Lulit, është sjellë nga Palokë Traboini, kurse më 28 nëntor 1912 në Vlorë, me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, është flamuri i Alesandro Kastriotit, i cili ia ka dhuruar në Paris Et’hem bej Vlorës, ndërsa ditë më pas ai është zëvendësuar me flamurin e punuar nga Marigo Pozo.
Ndonëse pavarësia e Shqipërisë kishte të bënte me të gjithë hapësirën etnogjeografike shqiptare, ajo në saje të vendimeve të Konferencës së Londrës (1913) u përgjysmua, ku jashtë kufijve të saj politikë mbeti gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare, që paraqet temë të veçantë të mbijetesës në mbrojtje të identitetit kombëtar.

Himni është kushtrim kombëtar
Para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në pranverën e vitit 1908, poeti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Asdreni, do t’i jepte korit të kolonisë shqiptare në Bukuresht poezinë e tij ”Betimi mbi Flamur“ si tekst për Himnin Kombëtar. Kështu filloi të këndohej Himni Kombëtar, që do të vinte me anë të poetit Hilë Mosi nga Bukureshti në Korçë dhe prej atje do të përhapej gojë me gojë dhe shpejt e shpejt në disa anë të Shqipërisë. Dhe, pasi qe kënduar përreth katër vjet në fusha dhe male, kënga e Himnit të Flamurit do të futej edhe në Kuvendin Mbarëkombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912. Atë ditë historike, kur prijësi i Kuvendit të pavarësisë, Ismail Qemali, do të çonte Flamurin, ai do të bekonte edhe himnin e këtij flamuri që do të këndohej nga kuvendarët dhe do shpallej Himn Kombëtar. Që nga ajo kohë, për më shumë se një shekull, Himni i Flamurit ka qenë preludi i tërë aktiviteteve patriotike, kulturore, artistike e sportive për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Fjalët e Himnit Kombëtar janë një kushtrim për shqiptarët për të qenë të bashkuar si komb rreth Flamurit të përbashkuar.

Shqiptarët me status të dyfishtë
Në lidhje me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, në botimet e mia vazhdimisht kam cekur e po e përsëris edhe në këtë takim me rastin e shënimit të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, se shqiptarët në Malin e Zi nuk janë si popujt e tjerë në këtë vend, sepse ata kanë status të dyfishtë: 1. Janë pjesëtarë të popullit shqiptar; dhe 2. Janë shtetas të Malit të Zi.
Si i vetmi popull autokton, ata janë edhe të vetmit me përkatësi etnike josllave, andaj kanë identitetin e tyre të veçantë për nga gjuha, historia, flamuri, kultura dhe tradita kombëtare shqiptare, duke qenë pjesë integrale e popullit shqiptar, në tërë hapësirën e tyre etnogjeografike. Andaj në këtë aspekt, për ne shqiptarët ekziston Flamuri Kombëtar shqiptar, i cili është i të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e jo i një shteti tjetër!
Ndërsa duke qenë shtetas të Malit të Zi, ata angazhohen për mbrojtjen dhe avancimin e identitetit kombëtar shqiptar përmes përfaqësuesve të tyre autentikë, sipas normave ligjore shtetërore dhe ndërkombëtare.

Dy informata për flamurin
Me këtë rast, më duhet të prezantoi dy informata, të cilat besoj se kanë vlerë në lidhje me përdorimin dhe shpalosjen e Flamurit Kombëtar shqiptar në shkollën “Bedri Elezaga” në Katërkollë.
E para ka të bëjë me faktin se sipas Ligjit për Simbolet Kombëtare, të miratuar nga Kuvendi i Malit të Zi në vjeshtë të vitit 2000 (Fleta zyrtare, nr. 55/00), me rastin e 29 Nëntorit si festë shtetërore atëherë ende e njohur në Jugosllavi, krahas flamurit shtetëror kam vendosur Flamurin Kombëtar shqiptar për të parën herë pas vitit 1982, kur ka qenë i ndaluar nga pushteti i kohës. Por këtë veprim timin nuk e kanë përkrahur shkollat tjera në komunën e Ulqin, por shumë më vonë pas një viti.
Dhe e dyta, me rastin e festës së 1 Majit 2001, në shkollën në Fraskanjel, ku janë vendosur flamuri shtetëror dhe ai shqiptar, përfaqësuesit e Ushtrisë Jugosllave të kohës, kur kanë kaluar pranë shkollës e kanë hequr flamurin shqiptar dhe e kanë marrë me vete. Një ditë pas këtij akti antishqiptar, ka ardhur në shkollë sanitari i shkollës në Fraskanjel, T. Osja, më ka informuar për çështjen përkatëse. Gjatë ditës kam kontaktuar me Kazermën e Ushtrisë Jugosllave në Zogaj dhe kam kërkuar takim me përgjegjësin në lidhje me këtë çështje. Më kanë informuar në telefon se do të vijnë nesër në takim. Por, unë i informova se nesër jam i zënë, por ju pres një ditë më pas, në orën 12:00, në zyrë në shkollë. Pikërisht ditën dhe në orën e caktuar ka ardhur oficeri ushtarak me mbiemrin Babiq, ku pasi i kam kërkuar shpjegim për incidentin e ndodhur me flamurin shqiptar, më ka kërkuar falje.
Në pyetjen time se ku gjendet tash flamuri shqiptar, ai e hapi çantën dhe ma ka dorëzuar personalisht. Ishte ky një veprim korrekt nga ana e tij, por mos të kisha reaguar, çdo gjë kishte mbetur në heshtje.
Ishte ky një rrëfim për të dëshmuar se flamuri shqiptar nuk ka qenë i pranueshëm asnjëherë për pushtetin, sepse simboli i identitetit tonë kombëtar shqiptar iu pengon.

Flamuri valon gjatë tërë vitit
Por sot, më duhet të them edhe një të dhënë që duhet vlerësuar, sepse me ardhjen e Mustafë Bardhit në postin e drejtorit të shkollës, para saj qëndron flamuri shqiptar gjatë tërë vitit e jo vetëm për festat e rastit. Këtij veprimi i ka ndihmuar edhe norma ligjore (Fl. zyrtare, nr. 003/20), por edhe guximi i tij personal, që dëshmohet edhe me këtë organizim të këtij takimi për shënimin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, përkatësisht Pavarësisë së Shqipërisë.
Gëzuar dhe urime 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar shqiptar! (Fund)

(Fjala e mbajtur më 26 nëntor 2024, me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit në SHF “Bedri Elezaga“ – Katërkollë)

Të fundit

më të lexuarat