Kujt i pengon ndërtimi i monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Ulqin ?

Xheladin Zeneli

Këtë muaj, përkatësisht më 30 tetor, mbushen plot katër vite nga dita kur Kuvendi i Komunës së Ulqinit miratoi ngritjen e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në rrethrrotullimin që gjindet në bulevardin kryesor të këtij qyteti i cili e mban emrin e këtij heroi tonë kombëtar.
Ky vendim është aprovuar edhe nga Ministria e Kulturës së Malit të Zi. Pjesën financiare të ndërtimit të monumentit që nga fillimi e ka marrë përsipër mërgata shqiptare në SHBA, përkatësisht Fondacioni “Dom Simon Filipaj” me seli në Nju Jork, i cili në bashkëpunim me OJQ “Don Gjon Buzuku” në Ulqin, kanë kontraktuar projektuesin dhe ndërtuesin e monumentit në fjalë.
Pas tejkalimit të shumë peripecive ligjore e administrative, pengesave të ndryshme, ndër të tjera edhe lidhur me atë se si do të shkruhet emri i heroit në piedestal, etj, ky projekt ka mbetur ende pa u realizuar.
Që nga viti 2018 kur është aprovuar vendimi për realizimin e këtij projekti, janë ndërruar tre kryetarë komune, por asnjëri prej tyre deri më sot nuk ka arritur që ta vendosë nënshkrimin e tij në ekzekutimin e vendimit për realizimin e monumentit në fjalë.
Padyshim se përgjegjësia kryesore për zvarritjen e realizimit të këtij projekti bie mbi pushtetin lokal të Ulqinit në mandatin e kaluar, ku dy kryetarët e Komunës (të dy nga radhët e PDS-së),të cilët derisa ishin në atë pozitë nuk e kanë nënshkruar formalisht ekzekutimin e vendimit për vendosjen e këtij monumenti.
Gjithashtu, përgjegjësi mbajnë edhe partitë politike që veprojnë në Komunën e Ulqinit e që vetë identifikohen si parti nacionale shqiptare dhe të cilat në një mënyrë apo tjetër, kanë qenë dhe janë pjesë përbërëse e qeverisjes lokale, por që për habi me këtë rast nuk kanë reaguar mjaftueshëm dhe ka pasur një mungesë vendosmërie nga ana e tyre për realizimin e këtij monumenti në një afat të arsyeshëm kohor.
Paraqet një paradoks fakti se si këto parti nacionale shqiptare në fushatat e tyre parazgjedhore valvisin flamurin kuq e zi, pra ‘flamurin e Skënderbeut’, dhe thirren në identitetin, kulturën, traditën dhe historinë tonë kombëtare shqiptare, dhe mbledhin vota në emër të patriotizmit, por kur është puna për të vepruar në mënyrë konkrete, siç është pra ngritja e monumentit të heroit tonë kombëtar në Ulqin, përveç ndonjë zëri të vetmuar, ata me heshtjen dhe ngurrimin e tyre kanë qenë shumë pasivë dhe pa ndikim.
Kur zvarritja nuk është më pasojë e një burukracie dhe procedure administrative, por varet vetëm nga nënshkrimi formal i kreut të Komunës së Ulqinit, atëherë mund të shtrohet edhe pyetja se mos vallë dikujt po i pengon vendosja e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Ulqin ?!
Mbetet të shihet nëse kryetari i ri i Komunës i cili gjendet vetëm disa muaj në krye të detyrës, a do të vendos nënshkrimin e tij për aprovimin e monumentit në fjalë. Siç dihet, kryetari i tanishëm i Komunës së Ulqinit vjen nga radhët e një partie qytetare, pra nga Aksioni Reformist i Bashkuar (URA) dhe po ashtu dihet deklarata e ‘bosit’ të tij partiak, z. Abazoviq lidhur me ‘prejardhjen serbe’ të prindërve të Skënderbeut, që nxiti reagime të shumta në opinionin shqiptar.
Nga koha e ardhjes në pushtet të koalicionit të ri qeverisës në Komunën e Ulqinit të dalur nga zgjedhjet lokale të 27 marsit 2022, nuk ka pasur ndonjë prononcim publik lidhur me këtë, çka le të kuptoj se monumenti në fjalë nuk është një ndër prioritetet e saj.
Pas gjithë kësaj që u tha më lart, tashmë nuk shtrohet më pyetja se kur do të vendoset monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Ulqin, por a do të realizohet ndonjëherë ky projekt i rëndësishëm kulturor për popullatën shumicë të kësaj Komune.
Mosrealizimi eventual i ngritjes së monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në rrethrrotullimin e bulevardit kryesor të qytetit, jo vetëm që do të ishte zhgënjim i rradhës së qeverisjes lokale ndaj atyre që u është premtuar, por njëheri edhe një fyerje ndaj heroit dhe figurës më të shquar historike e kombëtare të shqiptarëve, të cilët janë popullatë shumicë në Komunën e Ulqinit.

Të fundit

më të lexuarat