Kufiri mes politikës dhe identitetit

Në ligjërimin mbi konfliktin aktual në Lindjen e Afërt, po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë fenomeni i barazimit të popullit hebre me shtetin e Izraelit. Kjo i kontribuon rritjes së antisemitizmit, sepse vendimet politike të një shteti i atribuohen tërë komunitetit fetar dhe etnik

A.M. Perkaj

Më 7 tetor 2023, organizata ushtarake palestineze Hamas ndërmori një sulm të koordinuar të papritur ndaj shtetit të Izraelit, duke u fokusuar në qytete, pikat kufitare në Rripin e Gazës, objekte ushtarake dhe vendbanime civile. Gjatë sulmit u vranë 1 195 qytetarë izraelitë dhe të huaj, përfshirë 815 civilë, ndërsa rreth 250 persona u morën peng me qëllim që Izraeli të detyrohej t’i lironte të burgosurit palestinezë.
Pasoi një ofensivë ushtarake izraelite dyvjeçare, e shënuar me bombardime intensive dhe operacione tokësore në Gaza, e cila rezultoi me vrasjen e më shumë se 68 000 palestinezëve dhe plagosjen e mbi 170 000 personave. Sulmi i Hamasit është konflikti i parë i armatosur brenda territorit de jure të Izraelit që nga lufta arabo-izraelite e vitit 1948.
Armëpushimi u arrit në fillim të tetorit 2025 me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësve të Egjiptit, Turqisë dhe Katarit. Marrëveshja parashikon tri faza të zbatimit. Në fazën e parë, Hamasi ka liruar pengjet e mbetur gjallë (20 të tillë), ndërsa kufomat e të vdekurve iu dorëzuan autoriteteve izraelite. Izraeli u zotua të lirojë rreth 2 000 të burgosur palestinezë, përfshirë edhe ata me dënime të përjetshme, gjë që shkaktoi reagime të ashpra në opinionin publik izraelit.

Reziku i identifikimit të hebrenjve me shtetin e Izraelit
Në ligjërimin mbi konfliktin aktual në Lindjen e Afërt, po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë fenomeni i barazimit të popullit hebre me shtetin e Izraelit. Kjo i kontribuon rritjes së antisemitizmit, sepse vendimet politike të një shteti i atribuohen tërë komunitetit fetar dhe etnik.
Izraeli, si një subjekt politik, vepron brenda interesave të tij gjeopolitike dhe vendimeve ushtarako-strategjike, ndërsa populli hebre ekziston si një komunitet fetar dhe kulturor shumë më i gjerë se kufijtë e shtetit izraelit. Identifikimi i të gjithë hebrenjve me qeverinë izraelite çon në stigmatizim kolektiv, pa e bërë dallimin midis kritikës së politikës së një shteti dhe urrejtjes ndaj një komuniteti etnik.
Pasojat shkatërruese të një identifikimi të tillë shfaqen veçanërisht në hapësiren digjitale, ku rrjetet sociale e bëjnë të mundur përhapjen e shpejtë të ideve ekstreme. Gjatë luftës në Gaza 2023-2025, në postime dhe, më shpesh në komente, në platforma si X (ish-Twitter), Instagram, Facebook dhe TikTok, u regjistrua një rritje drastike e qëndrimeve antisemite, të cilat shpesh e kalonin kufirin e aktivizmit politik dhe hynin në sferën e urrejtjes ndaj gjithë popullit hebre. Në komente të postimeve veçanërisht shqetësues është trendi i lavdërimit të Adolf Hitlerit dhe relativizimi i Holokaustit, gjë që tregon një dobësim të rrezikshëm të vetëdijes historike dhe rritje të ekstremizmit ideologjik. Përmbajtje të këtilla në vend që të shprehin solidaritet me civilët palestinezë, në fakt ringjallin modelet e propagandës naziste dhe thellojnë më tej jotolerancën ndaj hebrenjve si popull.
Një retorikë e tillë është veçanërisht e rrezikshme në kontekstin evropian, ku antisemitizmi ka një histori të gjatë me pasoja tragjike. Për këtë arsye, debatet aktuale mbi konfliktin izraelito-palestinez kërkojnë dallim të saktë mes nivelit politik dhe atij identitar për ta parandaluar përhapjen e urrejtjes dhe përsëritjen e modeleve të vjetra të diskriminimit.

Përgjegjësia morale e komunitetit ndërkombëtar dhe e mediave
Roli i komunitetit ndërkombëtar dhe i mediave në këtë kontekst është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Raportimi selektiv, toni ideologjik dhe interpretimi sipërfaqësor i ngjarjeve komplekse kontribuojnë në krijimin e stereotipeve dhe përhapjen e urrejtjes. Mediat dhe akterët politikë kanë obligim të bëjnë dallim mes kritikës së politikës së shtetit të Izraelit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj popullit hebre. Padrejtësia e bërë ndaj palestinezëve nuk mund të korrigjohet me një padrejtësi të re ndaj hebrenjve.
Përgjegjësia qëndron edhe mbi komunitetin akademik, i cili përmes shfaqjeve publike duhet të kontribuojë në diferencimin e realitetit politik nga identitetet kolektive, duke krijuar kështu hapësirë për dialog racional dhe empati të vërtetë. Vetëm një qasje e tillë mund të parandalojë përsëritjen e tragjedive të shekullit të kaluar në forma të reja.

Të fundit

më të lexuarat