
Kemi dëgjuar dhe dëgjojmë kryetarë apo kandidatë për kryetarë komunash, që njohuritë mbi legjislacionin e punës së tyre i kanë në nivele të mjerueshme. Shikojmë përballjet publike të kandidatëve në fushata zgjedhore, se si i ngatërrojnë kompetencat thelbësore, se si arsyetohen nga përgjegjësia e veprimit apo mosveprimit karshi shkeljes së ligjit, pikërisht nga mungesa e mosnjohjes së ligjit.
Të qenit kandidat apo kryetar komune, nënkupton njohjen e mjaftueshme të legjislacionit me të cilin përballet puna e ndërlikuar e drejtuesit të pushtetit lokal. Kandidati dhe kryetari komunal, është i mangët të kryejë detyrën nëse për shembull nuk ka njohurinë e Ligjit për vetëqeverisje lokale, Ligjit për planifikim urbanistik, Ligjit për policinë, Ligjit për veprimtarinë komunale, Ligjit për ndërtim, Ligjit për legalizim e ndërtimeve ilegale, Ligjit për mbrojtje mjedisore. Njohuria mbi këto ligje hap rrugën e përgatitjes psiqike e morale për fazën e dytë të rëndësishme, zbatimin ligjor kundrejt trysnive politike, interesit personal, ndikimit nga faktorë kriminal dhe krimit të organizuar. Njohja e ligjit, guximi për ta zbatuar atë, janë esenciale në drejtimin e pushtetit lokal.
Realisht, komunat plagën me të madhe nuk e kanë nga mungesa e ideve të projekteve dhe financave që duhet të vijnë nga jashtë, sepse programe e premtime projektesh “copy-paste” të animuara, mund të bëhen me qindra dhe janë bërë me qindra në fushatat e kaluara. Financat janë ato varen sipas fuqisë së të ardhurave komunale, dhe kjo gjendje dihet edhe para se të kërkohen mandatet, prandaj edhe përllogatiren projektet premtuese të fushatave zgjedhore. Komunat plagën më të rëndë e kanë mënyrën e realizimit të deformuar të projekteve, rendom i atyre 20-30% projektesh të realizueshme nga 100% që premtohen në fushata zgjedhore. Komunat në përgjithësi vuajnë nga shkatërrimi i të mirave ekzistuese, uzurpimi i hapësirave publike, hapësirave të gjelbra, burimeve natyrore, shkatërimi i kulturës dhe objekteve historike, vuajnë nga tenderimet antiligjore dhe keqmenaxhimi i buxhetit komunal. Mosnjohja e ligjit dhe zbatimi i tij nga një pjesë e konsiderueshme e kandidatëve, kryetarëve, po edhe kandidatët dhe këshilltarët komunal, e shndërron këtë gjendje në një të keqe të heshtur, pa përballje ligjore dhe pa rrugëzgjidhje të qëndrueshme.
Mosnjohj e ligjeve adekuate ndodh edhe me kandidatë e kryetarë që kanë të mbaruar shkencat juridike dhe që më pas kanë mungesë leximi, në kuptimin e legjislacionit dhe me atë çka pretendojnë të përfaqësojnë. Ka prej kandidatëve që thirren në atë se institucioni komunal ka sektorin juridik dhe kinse janë të mbuluar në këtë drejtim, por jo, ky është arsyetim i palogjikshëm, tallës me veten dhe detyrën, rrjedhimisht me popullatën. Një menaxher Đkomunal që nuk e njeh ligjin përkatës, jo që nuk mund të ketë ide se si t’i avancojë me zgjidhje problemet, por më tepër edhe mund të manipulohet nga faktorë të tjerë.
Mund të thirren edhe në arsyetimin se nuk janë avokatë, ekspertë juridikë, ekonomista, arkitektë apo inxhinierë, por është e pashmangshme që për të qenë të suksesshëm, së paku duhet të njohin 5-6 ligjet me të cilat përballet përditshmëria e punës së tyre. Në mungesë të kësaj njohurie, ne sot shohim kryetarë komunash e kandidatë të cilët flasin atë që nuk kuptojnë çka flasin. Ju mbetet vetëm dëshira për të kandiduar, si ambicje personale karrieriste. Në anën tjetë, mosnjohja e ligjit të bën të paaftë të përballesh me kundër-kandidatin mbi punët antiligjore, gjithashtu edhe me premtimet false, të cilat rëndom janë premtime propagandistike e të parealizueshme kundrejt kapacitetit financiar e mundësive ligjore në vetëqeverisjen lokale.
Në shtetet si ky i yni, ku sundimi i ligjit është si në vendet e pazhvilluara, njohja e ligjit të bën të kuptosh, të aftëson në bindjen e votuesit se në cilat raste një akt i padrejtë komunal ka pasur mbrojtje nga gjyqësori dhe prokuroria e politizuar dhe jo-profesionale. Aktgjykimet nuk janë çdoherë drejtësi. Drejtësi është vetëm interpretimi i drejtë dhe zbatimi rigoroz i ligjit. Mund të korruptosh apo shantazhosh gjyqësorin dhe prokurorinë, por nuk mund të zhbësh ligjin material, nuk mund ta fshehësh atë nga gjykimi publik dhe gjykimi i drejtësisë së të nesërmes. Shembull, mund të ndërtosh një rrugë në kundërshtim me planin urbanistik, të legalizosh objekt në kundërshtim me ligjin, të japësh leje ndërtimi për banesa kolektive vend e pa vend, të realizosh tenderime të paligjshme, dhe njëkohësisht këto akte antiligjore të kenë mbrojtje me vendime të plotfuqishme gjyqësore e prokuroriale.
Mosnjohja e ligjeve elementare, e bën kandidatin për kryetar komune të pamjaftueshëm e të heshtur para fenomeneve negative. E bën që në pjesë të madhe të përballjeve të shërbehet me klishe, propagandë partiake. E kuptojmë se në kulturën e politikëbërjes sonë, kemi kryetarë të partive politike të nivelit lokal e qëndror, kryetarë komunash dhe kandidatë partiakë nga të gjitha partitë, që nuk kuptojnë dhe zbatojnë drejt as statutin partiak, dhe që ndoshta gjysmën e vendimeve e kanë anti-staturore, megjithatë të keqen nuk mund ta marim si të mirëqenë, pavarësisht ngjyrave partiake, etnike apo fetare.
