Krim i heshtur i verës

Përtej ndërgjegjësimit qytetar, mbetet shqetësues edhe fakti që vetëqeverisja lokale në Tuz, ende nuk ka themeluar një Njësi të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të vetën, siç e ka Ulqini, Tivari apo komunat e tjera, çka do të garantonte ndërhyrje të shpejtë në raste emergjente siç janë zjarret, sepse çdo vonesë mund të jetë fatale, sidomos në rastet kur zjarret rrezikojnë jetë njerëzish apo prona banimi. Në situata të tilla, çdo minutë vlenx

Toni Ujkaj

Zjarret e përsëritura nuk janë një dukuri e panjohur gjatë stinës së verës në të cilën ndodhemi. Pothuajse çdo vit, sapo fillojnë të rriten temperaturat – zakonisht që nga muaji qershor, aty-këtu shfaqet një flakë, një erë tymi, një re hiri që paralajmëron një tjetër vatër zjarri.
Me rritjen edhe më të madhe të temperaturave, që gjatë korrikut dhe gushtit arrijnë mbi 40°C, siç ndodhi javën e kaluar, zjarret jo vetëm shtohen, por edhe bëhen më të rrezikshme.
Ato shpërthejnë kryesisht në zona malore dhe pyje të dendura, por jo rrallë edhe në toka fushore.
Rasti i para disa javësh ndodhi në hyrje të qytetit të Tuzit, ku një zjarr përfshiu një sipërfaqe të gjerë pronash, duke rrezikuar banesa dhe objekte përreth. Për pasojë, një automjet i parkuar pranë rrugës u përfshi dhe u shkatërrua plotësisht nga flakët.
Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në komunën e Ulqinit që në fillim të qershorit, ku zjarret dogjën objekte, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Edhe ditëve të fundit janë shënuar disa vatra zjarri në zona të ndryshme të Malësisë, veçanërisht në fshatin Triesh, ku një zjarr masiv ka djegur sipërfaqe të mëdha të natyrës dhe ka rrezikuar edhe objekte banimi.
Gjithashtu, edhe në Podgoricë, një sipërfaqe e madhe pronash u përfshi nga zjarri, si dhe në disa qytete të tjera të vendit.
Sipas autoriteteve përkatëse, në shumicën e rasteve, shkaktar i drejtpërdrejtë është faktori njeri. Dhe pikërisht për këtë arsye, zjarret sezonale janë bërë një shqetësim serioz jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë në Evropë.
Kjo dukuri që fatkeqësisht po kthehet në një “normalitet” veror, vazhdon të paraqesë sfida të mëdha për institucionet shtetërore, të cilat çdo sezon mobilizohen për të përballuar vatra zjarri që përfshijnë hektarë të tërë pyjesh, kullotash, tokash pjellore, madje edhe banesa apo objekte afariste.
Ministria e Punëve të Brendshme, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret apeloi te qytetarët që të mos ndezin zjarre në ambient të hapur dhe të mos përdorin mjete piroteknike. Nga ana tjetër, edhe Komuna e Tuzit ka lëshuar një urdhëresë për ndalimin e ndezjes së zjarreve në ambient të hapur nga data 3 qershor deri më 30 shtator. Mirëpo, megjithë përpjekjet për të vetëdijesuar qytetarët, ato nuk po japin rezultatet e pritshme.
Çdo shpërthim flakësh që shfaqet para syve tanë është dëshmi se diku mungon ndërgjegjja, ndalesa morale dhe respekti për natyrën. E kur mungon kjo, pasoja është një krim i heshtur që përsëritet vit pas viti.
Në rastet kur dikush merr guximin t’i vërë flakën natyrës, duke shkatërruar një të mirë të përbashkët, nevojitet veprim më i ashpër institucional: patrullime të vazhdueshme, monitorim më i mirë i hapësirave publike, ndëshkime konkrete dhe transparente ndaj shkelësve, por edhe sigurimi i mjeteve të domosdoshme për reagim emergjent.
Gjithashtu, vetëm nëse rastet kur është vënë zjarri me vetëdije marrin trajtim të drejtë dhe përgjegjësit ndëshkohen siç duhet, mund të japim një shembull që ndërgjegjëson të tjerët dhe t’i dalim zot natyrës, për ta ruajtur me fanatizëm, jo për ta djegur dhe shuar.
Në fund të fundit, çdo vatër zjarri që digjet është një plagë që i shkaktohet natyrës dhe ne vetë e paguajmë çmimin. Ruajtja e ambientit tonë nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por përgjegjësi e secilit prej nesh.
Vetëm përmes vetëdijësimit të përbashkët, bashkëpunimit të qytetarëve dhe ndëshkimeve të prera ndaj fajtorëve, mund të ndalim këtë cikël të shkatërrimit.
Natyra është thesari ynë më i çmuar dhe ta mbajmë gjallë atë, është një obligim ndaj vetes, fëmijëve tanë dhe të ardhmes së këtij vendi.
Zjarret kur janë të qëllimshme janë një krim i dënueshëm me ligj dhe sjellin pasoja penale për këdo që i vë flakën natyrës me vetëdije.
Megjithatë, përtej ndërgjegjësimit qytetar, mbetet shqetësues edhe fakti që vetëqeverisja lokale në Tuz, ende nuk ka themeluar një Njësi të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të vetën, siç e ka Ulqini, Tivari apo komunat e tjera, çka do të garantonte ndërhyrje të shpejtë në raste emergjente siç janë zjarret, sepse çdo vonesë mund të jetë fatale, sidomos në rastet kur zjarret rrezikojnë jetë njerëzish apo prona banimi. Në situata të tilla, çdo minutë vlen.
Vetëqeverisja lokale, si në rastin e Tuzit, nuk duhet të mbetet pa këtë njësi, sepse kjo është një nevojë thelbësore për sigurinë publike, veçanërisht gjatë muajve më përvëlues të vitit.

Të fundit

më të lexuarat