Kosova mes iluzioneve dhe realitetit

Tragjedia më e madhe e Kosovës nuk është gjithmonë presioni i jashtëm, por refuzimi i udhëheqjes politike dhe i një pjesë të shoqërisë për ta parë realitetin. Nëse shoqëria dhe elita politike nuk i njohin dobësitë dhe nuk i përshtasin strategjitë, Kosova rrezikon të përfshihet në kriza të brendshme dhe të jashtme, të humbasë shansin historik që i ka dhënë komuniteti ndërkombëtar

A.M. Perkaj

Ndërsa bota po ndryshon më shpejt sesa që politikanët po përshtaten, politika në Kosovë duket sikur ende jeton në kohën e kaluar. Shpallja e zgjedhjeve të reja hap pyetjen: a e sheh shoqëria kosovare realitetin në të cilin ndodhet? Zgjedhjet renditen, qeveritë bien, sloganet politike po përsëriten – dhe problemi mbetet i njëjtë.
Kosova e pavarur ka filluar si shoqëri më proamerikane në Evropë. Mirënjohja për ndërhyrjen e NATO-s gjatë Luftës së Kosovës 1998-1999 ishte thellësisht e rrënjosur. Pa atë mbështetje, Kosova, me shumë gjasa, nuk do të ekzistonte si realitet politik dhe institucional.
Megjithatë, në një shoqëri që ka qenë sekulare me dekada, po bëhet gjithnjë e më i dukshëm forcimi i konservatorizmit fetar dhe i lëvizjeve islame që burimin e kanë jashtë Ballkanit. Paradoksi është i qartë: identiteti politik i shtetit lidhet fuqishëm me Perëndimin, ndërsa në një pjesë të shoqërisë po rriten ndikimet ideologjike që kanë pak të përbashkët me vlerat perëndimore.
Në hapësiren politike të Prishtinës, vërehet edhe një dukuri tjetër: kontrasti midis figurave kyçe është i qartë. Albin Kurti e udhëheq një politikë konfrontuese, shpesh sikur nuk i vëren ndryshimet në politikën globale dhe mbështetet në idenë e vjetër të mbështetjes pa kushte nga ana e Perëndimit. Vjosa Osmani, nga ana tjetër, zhvillon një politikë balancimi në rrethanat e reja ndërkombëtare, por, sistemi kushtetues e kufizon ndikimin e saj real. Faktorët e jashtëm vërejnë që Osmani nuk reagon impulsivisht, zgjedh fjalët dhe ruan me kujdes kredibilitetin e Kosovës në sytë e Perëndimit, gjë që është e rrallë në hapësiren konfrontuese politike të Kosovës.
Konteksti historik shpjegon më tej kompleksitetin e situatës. Kushtetuta e vitit 1974, përmes autonomisë së Kosovës brenda RSFJ-së, krijoi bazat për emancipim politik dhe kulturor të shqiptarëve. Sekularizmi i shoqërisë dhe institucionet autonome mundësuan zhvillimin e arsimit dhe administratës. Sot, këto baza përballen me sfida të reja: pavarësi formale me varësi nga mbështetja ndërkombëtare, ndërsa në shoqëri shfaqen ndikime ideologjike dhe fetare që më parë nuk ishin të rëndësishme.
Një nga faktet më pak të njohura historike për opinionin e gjerë, në këtë rast lidhur me Shqipërinë, tregon sa vendimtar ishte ndikimi amerikan në Ballkan. Pas Luftës së Parë Botërore, presidenti amerikan Woodrow Wilson refuzoi t’i pranonte planet e fqinjëve të Shqipërisë për copëtimin e saj dhe mbështeti fuqimisht ruajtjen e shtetit shqiptar. Historikisht, Shqipëria, falë atij vendimi të SHBA-së, ka mbijetuar si shtet, çka tregon sa vendimtar mund të jetë ndikimi ndërkombëtar për shtetet e vogla të Ballkanit.
Tragjedia më e madhe e Kosovës nuk është gjithmonë presioni i jashtëm, por refuzimi i udhëheqjes politike dhe i një pjesë të shoqërisë për ta parë realitetin. Nëse shoqëria dhe elita politike nuk i njohin dobësitë dhe nuk përshtasin strategjitë, Kosova rrezikon të përfshihet në kriza të brendshme dhe të jashtme, të humbasë shansin historik që i ka dhënë komuniteti ndërkombëtar.
Vjosa Osmani është presidente që e kupton Perëndimin, di ta vlerësojë rëndësinë e komunikimit diplomatik dhe rregullave të politikës ndërkombëtare. Por, në terrenin vendas ku shpesh vlerësohet konfrontimi dhe retorika e ashpër, stili i saj i balancimit e bën atë njëkohësisht të fuqishme dhe të ndieshme.
Kurti, nga ana tjetër, vazhdon të udhëheqë politikën e konfrontimit, shpesh duke mos i njohur ndryshimet në realitetin global. Pikërisht kjo e përcakton momentin e sotëm të Kosovës – mes iluzioneve dhe realitetit.
Kosova ende ka mundësinë të balancohet mes arritjeve të saj historike dhe sfidave të botës moderne – por kjo mundësi kërkon guxim për ta parë realitetin, dhe mençuri për t’iu përgjigjur atij.

Të fundit

më të lexuarat