
Sëmundja e shekullit, Covid-19 shpërtheu anembanë botës dhe siç duket s’ka të ndalur. Shifrat e të prekurve nga ky virus vdekjeprurës vijojnë të jenë të larta. Çdo ditë e më shumë po merr jetë njerëzish, pa dallim moshe e gjinie. Situata aktuale epidemiologjike është e përshkallëzuar dhe mjaft komplekse. Numri i lartë i vdekjeve është tepër shqetësues, dhe ka shkaktuar frikë.
Efektet e krizës epidemike kanë paralizuar dhe zhytur botën në një recesion të thellë, sa ekonomike, aq edhe psikologjike. Vala e dytë dhe më e fortë e pandemisë që nga mesi i qershorit e këndej, ka penguar rimëkëmbjen ekonomike në gjithë globin. Pandemia po rrezikon tregjet e punës dhe po kërcënon të përmbysë progresin e bërë në drejtim të rritjes së mirëqenies sociale. Kufizimet e udhëtimit dhe masat e distancimit social kanë dobësuar gjithashtu rritjen ekonomike, në veçanti të atyre me varësi nga turizmi. Papunësia rritet çdo ditë e më shumë, numri i personave që kanë rënë në varfëri vlerësohet të jetë shtuar.
Ashtu, si në vendet e tjera të botës, covid-19 po tregohet më shumë se agresiv edhe në Ulqin dhe Anë të Malit. Në këtë zonë janë shënuar shifra të larta të të infektuarve, duke marrë jetë njerëzish, madje pa kursyer asnjë moshë. Koronavirusi gjatë muajit shkurt, në këtë mjedis ka shënuar bilanc tepër të lartë, qindra të infektuar e dhjetëra humbje jete, por ajo më e dhembshmja është bilanci tragjik i shumë të rinjve tanë. Gjendja e trishtë ka ndryshuar formën dhe stilin e jetesës, duke vënë në rrezik shëndetin dhe mirëqenien ekonomike të popullsisë. Situata paraqitet tejet shqetësuese. Spitalet dhe shtëpitë e shëndetit janë tepër të ngarkuara .
Në Mal të Zi, situata e pandemisë është tejet kritike, duke qenë se ka një rritje të theksuar të rasteve pozitive. Kohëve të fundit nga pasojat e koronavirusit shumë persona kanë ndërruar jetë dhe janë konfirmuar shumë raste të reja të infektimit, është njoftuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e infektimit me Covid-19 prej fillimit të pandemisë e deri në fund të muajit shkurt është 1003 persona, ndërkohë janë shëruar 521 pacientë. Numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive me Covid-19, në Mal të Zi, është 8.605 persona , kurse prej fillimit të epidemisë, në mars të vitit të kaluar e deri në fund të shkurtit,1003 persona kanë vdekur, thuhet në kumtesën e bërë publike të Institutit të Shëndetit Publik.
Autoritetet shëndetësore përherë u drejtohen qytetarëve që të mos neglizhojnë asnjë simptomë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim mjekun e familjes. Gjithashtu, strukturat shëndetësore, në bashkëpunim me ato qeveritare, në parandalimin e përhapjes së pandemisë, shtrënguan masat epidemiologjike, pasi që numri i rasteve të reja është në rritje, por nuk mjafton me kaq !. U mbyllën objektet hoteliere, baret e restorantet, si dheu bënë kufizime të tjera, ndërsa shkollat JO ! Aty ku virusit nuk i shpëtuan shumë nxënës e punëtorë të arsimit. Nuk u mbyllën as kopshtet, as çerdhet e fëmijëve e disa pika të tjera, ku grumbullimi njerëzve nuk është i paktë !. Çuditërisht !!!
Virusit nuk i shpëtoi as një miku im, por fatmirësisht e sfidoi. Në një bisedë të afërt dhe miqësore me të, ndër të tjera ai ka një mesazh : … “për të gjithë ata që ende nuk e besojnë sa i rrezikshëm është ky virus, ua them nga përvoja ime personale dhe e familjes sime. Kujdes dhe sa më shumë vigjilencë në respektimin e të gjitha masave parandaluese, për shëndetin tuaj dhe të familjarëve të dashur”, vuri në pah miku im. Andaj t’i respektojmë masat e duhura :
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë !
Mbani higjienën !
Respektoni distancën !
Mendoj se duhet të rritet kontrolli dhe të mbyllemi së ‘paku izolim dyjavor ,kështu, me bindje se Covidi edhe nëse nuk do të shporret, numri i të infektuarave do të zvogëlohet ndjeshëm. Derisa, vazhdohet me këtë avaz, situata do të përkeqësohet edhe më shumë dhe na presin sfida edhe më të mëdha !.
Procesi i vaksinimit ka fillua, por po shkon me ritëm tejet të ngadalësuara ! Dozën e parë të vaksinës e morën personeli shëndetësor, ata të cilët janë në vijën e parë të luftës me covid.
Por jo vetëm kaq !
Kriza e përgjithshme globale e shkaktuar nga Covid-19 ka prekur edhe fushën mediatike, duk krijuar një realitet dhe dinamikë të re. Përveç presionit financiar, kjo gjendje nxori në pah problemet e vazhdueshme strukturore me të cilat përballen gazetarët.
Në kohën e pandemisë me të cilën po përballet bota sot, puna e gazetarëve të fushës së shëndetësisë përballen me sfida të mëdha, pasi fillimisht shtohet rreziku për t’u infektuar nga virusi vdekjeprurës. Megjithatë, vëmendja më e madhe mediale këto ditë është fusha e shëndetësisë për shkak të virusit, dhe kjo ka ndikuar në rritjen e përgjegjësisë për raportim objektiv. Kështu, pas punëtorëve shëndetësorë, padyshim edhe roli i mediave dhe gazetarëve është i madh. Roli i mediave në këtë kohë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për faktin se ndihmojnë në informimin dhe orientimin e saktë të publikut. Në këtë kohë kërkohet etikë, dhe detyrë parësore e çdo medie e gazetari është informimi i saktë, i shpejtë dhe objektiv. Gazetaria duhet të jetë në shërbim të publikut, informimit të drejtë dhe të informimit profesional gazetaresk, e jo të jetë në shërbim të çlirimit emocional. Mediat dhe gazetarët duhet të punojnë në sensibilizimin e qytetarëve të informojnë në kohë reale pa shkaktuar panik.
Gjatë pandemisë, gjërat po ndryshojnë, qeveria, ekspertët mjekësorë, shkencëtarët dhe media po veprojnë kundër një armiku për të cilin dihet shumë pak. Vëmendja kryesore e mediave është intensive. Megjithatë, ka divergjenca edhe mes shkencëtarëve në lidhje me Covid-19.
Me zhvillimin e mediave digjitale, mediave sociale dhe raportimit nga qytetarët, në saje të përparimit të teknologjisë së informacionit, ka një transformim të dukshëm në këto vitet e fundit. Edhe roli i mediave sociale gjatë kësaj kohe është i madh. Mediat sociale luajnë rol jetik në komunikim, në mirëqenien psikologjike, thirrjen për ndihmë, mbledhjen e donacioneve etj.
E vërtetë është se teknologjia e sotme na mundëson që ta kemi lajmin për një kohë shumë të shkurtër, por duke shtuar se shumësia e medias, mundëson edhe shumësinë e gabimeve .
Një pjesë e rëndësishme e publikut përdorin edhe mediat sociale, të cilat shërbejnë për të mbushur boshllëkun e informacionit. Mediat sociale u shërbejnë autoriteteve publike për të përhapur edhe më shumë mesazhet dhe informacionin zyrtar, duke plotësuar kështu dhe ndonjëherë më shpejt sesa vetë mediat tradicionale .
Ndërsa sa i përket lirisë se mediave, del se raporte të ndryshme konfirmojnë se vazhdon ende një klimë pasigurie dhe presioni ndaj gazetarëve me një trend të tkurrjes së hapësirës së mediave kritike.
Sot, media si një nga mjetet më të rëndësishme për përhapjen e informacionit është e nevojshme të përfshihen në hartimin e planeve në përgatitjen e njerëzve për t’u përshtatur me kriza dhe sfida të tjera.
