
Edukimi i përgjithshëm i njerëzve në lidhje me rëndësinë e shëndetit mendor po aq sa për shëndetin fizik, ka goxha diferencë. Nëse një person pëson një lëndim fizik sado të vogël, ai menjëherë do të kërkojë ndihmën e shpejtë, atë plagë do ta kurojë duke uruar që të mbyllet sa më shpejt, dhe të mos lërë shenjë. Ndërsa, kur kalon një traumë psikologjike, fakti që plagën nuk e sheh si në rastin e mësipërm, nuk duhet menduar se ajo ndoshta nuk ekziston. Prandaj, mendoj që njerëzit duhet të jenë më të informuar mbi shëndetin mendor, pasi kur ky kujdes të jetë bërë pjesë e kulturës, në një situatë të vështirë emocionale vetë personi do të jetë ai që mund të marrë iniciativa për të kërkuar ndihmë tek një profesionist.
Por, sa kërkohet ndihmë?
Situata është më e komplikuar nga një sërë faktorësh që mund të bëhen pengesë. Për shembull, shumë njerëz kanë turp të kërkojnë ndihmë tek psikologu, për shkak se shoqëria do t’i etiketojë ata si njerëz me probleme mendore, të paaftë e lloj-lloj etiketimesh të tjera. Pra, nëse të shohin se troket në derën e zyrës së një terapeuti, fjala merr dhenë dhe ti ‘‘nuk bëhesh më njëri’’. Përveç ndjenjës së turpit që eshtë më e dalluara, një hulumtim i Universitetit Ondokuz Mayis (2015), tregon se faktorët të cilët mund të frenojnë një të rritur për të kërkuar ndihmë psikologjike janë: mosgatishmëria për të ndarë problemet me një person të panjohur, bindja se problemet private duhet të mbahen brenda familjes, dyshimi se dikush tjetër do t’ua zgjidhë problemet dhe mosnjohja e mjaftueshme e procesit të ndihmës psikologjike.
Falë teknologjisë dhe rrjeteve sociale, viteve të fundit po shohim një pjesë të mirë të personazheve publike, shqiptarë apo të huaj, teksa ndajnë eksperiencat e tyre me ankthin apo depresionin. Të ndash me fansat momente të vështira nga jeta dhe të japësh mbështetje për këdo që ka kaluar sfida të ngjashme, është një gjë për tu vlerësuar. Sepse, të jesh i sinqertë e t’u tregosh të tjerëve që edhe unë kam pasur apo kam shumë vështirësi, vlen më tepër sesa ekzpozimi i një jete të rreme perfekte, ku çdo gjë duket se vete në vijë. Secili individ ka nevojë për frymëzim dhe shpresë, aq më tepër dikush që mund të jetë në një moment të vështirë të jetës së tij. Ndoshta këto rrëfime mund të bëhen shkas që dikush të marrë iniciativën që të kërkojë ndihmë psikologjike.
Dr. Erik Kaine, Specialist i Psikiatrisë në Roçester, Nju Jork, liston pesë arsye përse njerëzit duhet të konsultohen me një profesionist të shëndetit mendor. Së pari, kur keni mendime, emocione a sjellje të pakontrolluara, veçanërisht kur ndikojnë në marrëdhëniet tuaja, në punë apo mirëqenie. Së dyti, kur po përballeni me sfida të vështira të jetës si sëmundje të madha, humbje të një personi të dashur, divorc apo probleme në punë. Së treti, kur përdorimi i ilaçeve apo alkoolit ndërhyjnë në shëndetin tuaj. Së katërti, kur ndjeheni të hutuar e të mbushur me emocione, si dhe të paaftë në kryerjen e dilemave të vështira. Dhe e fundit, kur ndjeni se jeta nuk ia vlen të jetohet, jeni të pashpresë dhe në mes të një ankthi të tillë ku nuk mund të merrni vendime për jetë a vdekje, kërkoni ndihmë.
Ndaj, kushdo që vuan në një farë mënyre dhe ndihet në një gjendje emocionale të rënduar, prej një problemi personal, familjar, shoqëror a çfarëdo qoftë, s’duhet të ndjehet i turpëruar apo të hezitojë të kërkojë ndihmë. Dikush mund të ketë mbështetje të madhe nga një shok/shoqe apo i afërm, por kjo jo përherë kjo mjafton, e aq edhe më e vështirë kur dikush nuk e ka as këtë mbështetje. Tekefundit, të bësh konsulta dhe terapi me një psikolog/e, do të thotë të kujdesësh dhe ta duash veten.
