Uran Butka
E veçanta e Kuvendit të Mukjes ishte trajtimi me përparësi dhe kompetencë i çështjes sonë kombëtare në krizë, veçanërisht i Kosovës. Në Mukje u bë përpjekja e parë institucionale për zgjidhjen e çështjes së Kosovës sipas vullnetit të popullit shqiptar dhe në bazë të parimit universal të vetëvendosjes së kombeve. Përfaqësuesit kryesorë të Ballit dhe ata të Nacional-çlirimtares u shprehën se e konsideronin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore vetëm të pjesshëm dhe të realizuar dhunshëm nga okupatorët fashistë për interesat e tyre. Por ata ndaheshin kur rrihnin të përcaktonin qëndrimin ndaj momentit që aktualisht po kalonte apo duhet të evoluonte ky proces.
Mid’hat Frashëri insistoi që çështja e Kosovës detyrimisht të trajtohej e të përcaktohej në këtë kuvend dhe të luftohej për zgjidhjen e saj të drejtë, sepse, nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë, pas luftës, as që do të përmendej më çështja kosovare dhe Kosova do të ishte e humbur. Ai parashtroi që zgjidhja e statusit të saj të bëhej mbi të drejtën kombëtare të Shqipërisë etnike dhe mbi parimin e vetëvendosjes së kombeve, të garantuar nga Karta e Atlantikut.
Ky formulim respektonte vullnetin e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe përjashtonte ndryshimin e kufijve me dhunë. Ky formulim harmonizohej edhe me politikën e Fuqive të Mëdha Antifashiste që kishin shpallur botërisht se nuk njihnin kufijtë e ndryshuar me dhunë nga pushtuesit nazifashistë, pra ishte njëherësh edhe një pohim edhe një bashkëreshtim në Frontin Antifashist Ndërkombëtar.
Një rol të rëndësishëm në arritjen e konsensusit luajtën sidomos Ymer Dishnica, Abaz Kupi, Hasan Dosti, Mustafa Gjinishi, Hysni Lepenica, Omer Nishani, Nexhat Peshkëpia e të tjerë.
Vendimet e Konferencës së Mukjes ishin të qenësishme, jo vetëm për momentin historik, por edhe për ardhmërinë e Shqipërisë e të kombit shqiptar, sepse ato konfirmonin bashkimin dhe jo ndarjen, siguronin luftë të përbashkët kundër çdo okupatori, për një Shqipëri të lirë e të pavarur, mundësonin në të ardhmen një Shqipëri demokratike dhe rreshtimin përbri Aleatëve të mëdhenj Antifashistë, por edhe përcaktonin rrugën më të drejtë për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.
Ky program i përbashkët u arrit, pasi të dyja përfaqësitë u treguan tolerante dhe i bënë lëshime njëra-tjetrës. Në këtë pikë, Mukja është edhe shembull i mendimit e i veprimit demokratik si pjesëmarrje, bisedim konstruktiv e tolerancë të admirueshme, një kompromis e një zotim i përbashkët. Është një model i dialogut kombëtar, i debatit dhe i mirëkuptimit. Aleanca që u arrit në Mukje, premtonte se edhe në të ardhmen forcat politike shqiptare do të merreshin vesh midis tyre për çështjet themelore. Mukja ishte triumfi i shqiptarizmit mbi nacional-shovinizmin dhe internacionalizmin proletar, i ndërgjegjes dhe i veprimit kombëtar mbi atë antikombëtar, i drejtimit progresist perëndimor mbi atë lindor, aziatik e bizantin, i platformës thellësisht demokratike mbi atë totalitare, fashiste apo komuniste.
Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë Shtamës kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat.
Proklamatë
”Çetat vullnetare partizane të Ushtrisë NÇ dhe çetat e Ballit Kombëtar nën komandën e majorit Abaz Kupi më datën 4 të gushtit 1943, në orën 10.00, mbasi muarën vesh se ushtria italiane shkonte për në Mat, u nisën për t’i prerë rrugën në të gdhirë. Kur çetat mbërritën në këtë vend, ushtria armike, mbasi dogji disa shtëpi që ndodheshin afër rrugës si dhe komunën dhe zyrën e botores, kaloi dhe po i afrohej Qafë Shtamës. Mbasi çetat nuk mund të arrinin në kohë, në ato pozita ku do t’i pritnin, u detyruan të ecnin gjithë natën dhe si kaluan malin e Liqenit, i dolën përpara në kufirin e Matit, dy km afër Qafë Shtamës.
Plot në orën 7:10 të ditës së nesërme, ushtria italiane e përbërë prej 750 vetave, mbërriti në vendin e pritjes e përnjëherësh filloi luftimi, i cili zgjati 3 orë rresht dhe mbaroi me shpartallimin e plotë të ushtrisë armike.
Humbjet e armikut janë: 150 të vrarë, 40 të plagosur, 7 robër. Në mes të të vrarëve italianë është edhe oficeri kolonel A. P. Skarpa, të cilit i është gjetur në xhep një medalje të fituar kur ka hyrë në tokën shqiptare ditën e 7 prillit 1939. Është kapur një material kolosal. Të numëruar deri tani janë: një mortajë e rëndë me gjithë municione, 6 mitraloza të rëndë komplet me municione, 10 mitralozë të lehtë dhe mjaft municione për to, 160 armë lufte, 7 radio fushore marrësedhënëse, 5 kuaj. Gjithashtu janë marrë revolverë, material sanitar, batanije e materiale të tjera të ndryshme. Humbjet tona janë një i vrarë dhe dy të plagosur. ”Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë(AQSH, f.270,D-5,v.1943).
Kjo luftë, dy ditë pas Mbledhjes së Mukjes, tregoi se kjo nuk ishte një shprehje historike, por një realitet, nuk ishte vetëm një marrëveshje në letër, por edhe një marrëveshje konkrete për bashkëpunim në luftë, nuk ishte një tradhti që, sipas E. Hoxhës, binte ndesh me interesat e Luftës Antifashiste, por ishte një lidhje bese në dobi të luftës çlirimtare dhe të çështjes kombëtare, nuk ishte një gjë formale e një “grackë”, siç thoshte E. Hoxha, po një vendim e një veprim i vullnetit të një populli; ishte, në fund të fundit, një ndërgjegje e kthyer në lëvizje e forcave partizane dhe atyre nacionaliste, që luftuan së bashku si shqiptarë e si vëllezër kundër okupatorëve, nën drejtimin e Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë.
Enver Hoxha, nën presionin e emisarëve të PKJ-së në Shqipëri, prishi dhe shkeli në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare Marrëveshjen e Mukjes.
Marrëveshja e Mukjes prekte sidomos interesat dhe synimet e qarqeve shoviniste serbomëdha që sundonin në PKJ, të cilat kërkonin përjetësimin e pushtimit serb të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, si edhe nënshtrimin e plotë të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Prandaj, edhe prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes ishte kryesisht rezultat i ndërhyrjes jugosllave , të cilës nuk i interesonte kurrsesi marrja dhe plotësimi i atyre vendimeve. Reagimi i shpejtë e i vendosur i kolonit malazez në Kosovë, M. Popoviqit, ishte i kuptueshëm. Kur aktet e marrëveshjes së Mukjes iu dorëzuan “mentarit” të Enverit, ai i tërbuar i grisi ato, i bëri copë-copë dhe ia hodhi në surrat Enver Hoxhës.
Kjo ndërhyrje brutale e Partisë Komuniste Jugosllave në punët tona të brendshme vërtetohet edhe nga një letër që udhëheqësi real i PKSH-së, M. Popoviqi, i dërgoi Titos: “Kemi ndikuar në PKSH dhe në LNÇL që gjithsesi të prishim Marrëveshjen e Mukjes”.
(Vijon)
(Vijon nga numri i kaluar)
E. Hoxha, nën diktatin e M. Popoviqit, me të cilin ishte në Vithkuq, pa përfillur Këshillin e Përgjithshëm Nacional-çlirimtar, i cili kishte nënshkruar me Ballin Kombëtar Marrëveshjen e Mukjes, pra, pa mbledhur dhe pa marrë mendimin e Këshillit të Përgjithshëm LNÇL, më datën 8 gusht 1943, si një partiak u dërgoi një letër –qarkore shokëve të partisë së Vlorës, Gjirokastrës etj. “Lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacional-çlirimtare dhe disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk i keni shpërndarë, çirrini dhe të mos flitet më për të”.
Shkak tjetër kryesor për prishjen e njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes ishte çështja e pushtetit. Synimi i pushtetit është një akt normal në çdo kohë, por vendimi i PKSH-së për ta marrë pushtetin me dhunë e me gjak, duke shkelur edhe vendimin e Mukjes se çështja e pushtetit do të zgjidhej pas luftës me zgjedhje demokratike. Kjo solli edhe luftën civile në Shqipëri, pasoja më tragjike e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.
Luftën civile e ka pohuar edhe vetë E. Hoxha: “Në Veri, parulla “O me ne, o kundër nesh ishte gjithë politika e shokëve, por edhe kur shihej se kishte mundësi të punohej me njerëz që kishin qëndruar jashtë Frontit, përgatitnin terrenin jo për marrëveshje por për t’i zhdukur këta njerëz nga prapa. Në Lumë po vihen në plumb kot së koti dhe në mënyrë histerike katundarë, të cilët dorëzohen dhe shokët tanë i pushkatojnë. Po vriten në Tiranë me duzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë, të cilët duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen.
Një punë e tillë nuk është okazionale, por është i tëri toni që i është dhënë punës organizative të Partisë dhe ushtrisë… Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të zhdukin edhe anëtarët e Partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”. Lufta civile ndërmjet shqiptarëve e dobësoi dhe e shmangu luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Luftime të përgjakshme u zhvilluan sidomos në qarkun e Vlorës, Mallakastrës, Korçës, Matit, Dibrës, Kukësit, Lumës, Shkodrës, Mirditës etj. Vetëm në Malësinë e Madhe lufta frontale ndërmjet ushtrisë qeveritare dhe malësorëve të Kelmendit vazhdoi një muaj e gjysmë, me viktima të shumta nga të dy palët ndërluftuese. Vetëm kur brigadat NÇ u futën nga Jugosllavia dhe me ndihmën e jugosllavëve, atëherë u thye rezistenca ne Malësinë e Madhe.
Edhe misionarët e huaj ushtarakë e kanë vëzhguar dhe raportuar luftën civile sipas optikës dhe interesave të tyre, por të gjithë e kanë pranuar si një realitet të hidhur.
“Mendoja të ndaloja gjakderdhjen e popullit shqiptar, por nuk ia arrita dhe këndej e tutje unë nuk do të përzihem në vëllavrasjen tuaj”, i thotë Gjenerali Dejvis E .Hoxhës.
“Komunistët vendosën të zhduknin çdo rival të mundshëm, para se të ndodhte zbarkimi i pritshëm i aleatëve, konstatonte britaniku Xhuliano Emeri. Për këtë arsye ata i drejtuan të gjitha energjitë e tyre kundër Ballit Kombëtar, pjesëtarët e të cilit ishin natyrisht armiqtë e tyre të klasës. Ballistët, nga ana e tyre, reflektuan në pranimin e kësaj ndeshjeje dhe marrëdhëniet ndërmjet dy organizatave u keqësuan shpejt, deri në fillimin e përleshjeve të armatosura”.
“Taktika e komunistëve ishte t’i shpallnin armiq ata që s’mendonin njëlloj apo që nuk bashkoheshin me ta”, shkruante britaniku Dejvid Smajl.
Edhe gjenerali Uilson, komandanti suprem i ushtrisë Aleate të Mesdheut, kërkonte nga E. Hoxha: “Më duhet t’ju vë në dukje se armët dhe furnizimet që ju dërgojmë, janë të destinuara vetëm për një qëllim, pikërisht për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të toleroj që ju t’i përdorni këto armë për të vrarë dhe likuiduar bashkatdhetarët tuaj për qëllime politike”.
Lufta civile në Shqipëri, që nisi pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe vazhdoi përgjatë tre muajve të fundit të vitit 1943, kulmoi në vitin 1944. Viti 1944 ishte viti i përgjakshëm i luftës civile ndërmjet shqiptarëve, që shkaktoi me mijëra viktima, shkatërrim të plotë të vendit, ekonomisë dhe të jetës, ndarjen nga Perëndimi dhe kyçjen në Perandorinë komuniste të Lindjes.
Udhëheqësia doktrinore e PKSH dënoi për tradhti delegatët e saj në Kuvendin e Mukjes, edhe pse i kishte autorizuar për marrëveshje. Mustafa Gjinishi u dënua me vdekje dhe u vra në vitin 1944 në një pritë të organizuar nga E. Hoxha, Ymer Dishnica, një nga protagonistët e shquar të Marrëveshjes së Mukjes, u dënua me burg dhe pastaj me internim, po ashtu edhe disa nga delegatët e tjerë të Nacional-çlirimtares. Gjithashtu, i quajti tradhtarë e kolaboracionistë delegatët e Ballit Kombëtar, me të cilët lidhi marrëveshje bashkëpunimi pak ditë më parë. Madje, nisi mësymjen e armatosur për asgjësimin e tyre.
Prishja e Marrëveshjes me pasoja kombëtare
Pasojat e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe të luftës civile vazhduan për gjysmë shekulli komunizëm, por ndjehen e dhe sot, në ndarjen dhe politikën e sotme konfliktuale, në urrejtjen dhe armiqësinë, mungesën e kompromisit e të bashkëpunimit për interesat e popullit dhe ato kombëtare. Shqipërisë i duhet një Mukje tjetër, që t’i bashkojë shqiptarët në përpjekjen e tyre për një Shqipëri të pavarur, të lirë e demokratike, për integrimin brenda vetes dhe integrimin në familjen e madhe Evropiane. Mesazhi i Mukjes është aktual: shqiptarë, e mira dhe interesi i Shqipërisë, i kombit shqiptar dhe i çdo shqiptari kërkon mirëkuptimin e bashkëpunimin për interesat madhore të Shqipërisë e të kombit, dhe jo ndarjen dhe armiqësinë, interesat personale dhe luftën e paprinciptë. Mirëkuptimi është akti i parë i çlirimit të një kombi.
(Fund)
