
Inaugurimi i “Isa Boletini Way” në Staten Island u paraqit si një fitore e vogël simbolike për shqiptarët e Amerikës. Por simbolikat, kur përdoren pa vetëdije, pa përmasë kulturore dhe pa sinqeritet politik, kthehen shpejt në fasadë.
Emërtimet e rrugëve në SHBA kanë historikisht një qëllim të qartë: nderimin e njerëzve që kanë kontribuuar drejtpërdrejt në komunitetin lokal. Ato janë gjeste të lidhura me gjurmën reale të individëve në një lagje – jo me fotografinë, jo me ceremoni të çastit, por me punë, trashëgimi dhe lidhje konkrete.
Prandaj, reagimi i komunitetit shqiptar rreth këtij emërtimi nuk lidhet me figurën madhështore të Isa Boletinit, sepse emri i tij i ka tejkaluar kufijtë, por me mënyrën dhe motivin e përdorimit të këtij emri. Pse duhet që një ministër nga Mali i Zi, i paguar nga taksapaguesit e këtij vendi, të marrë përsipër një nismë në Amerikë, kur dikasteri i tij nuk i përmbushë as detyrimet minimale ndaj shqiptarëve që i ka në juridiksion?
Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, që duhej të ishte garantuese e mbështetjes kulturore, nuk ka dhënë asnjë cent për të vetmen librari shqipe në Malin e Zi – Librarinë Ulqini, ndonëse zyrtarisht e ka premtuar. Libraria rrezikon të mbyllet, ndërsa ministri gjen kohë dhe buxhet për të fluturuar në SHBA për një foto që koha do ta harrojë para se të thahet boja e tabelës. Ky nuk është nder; është abuzim i detyrës dhe instrumentalizim i komunitetit.
Edhe më keq: komunitetin tonë në diasporë – një komunitet i disiplinuar, i sakrificës, i cili financon shkolla, klasa, aktivitete kulturore pa qenë detyra e tij – po përpiqen ta përdorin si vegël në lojërat e brendshme politike të Malit të Zi. Ky është një mëkat i rëndë politik dhe moral. Diaspora nuk ka nevojë për ministri që sjell përçarje dhe shfaqje, por për partnerë që sjellin mbështetje reale.
Modelin e vërtetë tanimë e kemi: organizatat humanitare si “Trojet Tona”, që veprojnë me rezultate konkrete, që sjellin ndryshim të prekshëm – jo fluskula në ajër. Ato ndërtojnë ura mes vendlindjes dhe mërgimtarëve; politikanët e papërgjegjshëm, përkundrazi, ndërtojnë podiume për veten.
Le të jemi të qartë: askush nuk është kundër nderimit të heronjve kombëtarë. Por nderimi kërkon substancë. Kërkon punë në terren, mbështetje të kulturës, gjuhës dhe institucioneve të komunitetit. Kërkon të investosh aty ku identiteti mbahet gjallë, jo aty ku fotografia del bukur.
E ardhmja e fëmijëve tanë nuk ndërtohet me tabela rrugësh të hedhura kot më kot, por me institucione të gjalla, libra, shkolla, burime dhe solidaritet të sinqertë. Ky është amaneti i vërtetë që duhet t’ua lëmë – jo hijet e ambicieve të politikanëve që kujtojnë se munden “ta prekin Zotin me dorë”.
Diaspora shqiptare e ka treguar pjekurinë e vet. Vendlindja ka për të parë “hajrin” e kësaj pjekurie. Dhe një gjë është e sigurt: komuniteti nuk do të bëhet mashë për askënd.
