Komunistët fituan bindjen se duke mohuar Zotin po bëheshin “përparimtarë”

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Në kohën e Renesancës, humbja e besimit te dogmat zyrtare rreth Jezusit dhe përpjekja për të gjetur një prehje shpirtërore te besimet ekzotike, shpjegon më së miri përhapjen e ateizmit [Hofman:2003, f. 17]. Fjala “zot” ishte ndër fjalët më të abuzuara në historinë njerëzore, shpesh e barasvlerësuar me “lirinë”, “drejtësinë” dhe “dashurinë”! Fridrih Niçe (1844-1900), fillimisht si besimtar e në fund si i çmendur, ka portretizuar një shembull në “The Madman”, për atë njeriun e çmendur i cili në një mëngjes kishte shkuar në treg dhe duke qarë bërtiste: “Jam duke kërkuar Zotin”! Shumica e atyre që nuk besonin në Zot qëndronin bashkë e qeshnin. “Përse ka humbur?”, pyeti njëri. “Apo ndoshta është fshehur”, tha tjetri. “Vallë të ketë frikë nga ne… apo ndoshta ka migruar”, bërtisnin e qeshnin!
I çmenduri ua ndërpreu të qeshurat: “Ku është Zoti… ua them unë, e kemi vrarë unë dhe ju, të gjithë ne jemi vrasësit e tij!” Natyrisht i çmenduri pastaj vazhdoi me “argumentet” e veta të çmendura se pas “vrasjes” së Zotit, asgjë nuk ka ndryshuar në horizont! Shkoi pastaj në kishë dhe pasi këndoi “requiem aeternam deo”, sërish bërtiti: “Çfarë janë tani këto kisha nëse nuk janë varrezat e Zotit?” [Nietzche:1954, f. 125]. Kur e shpalli Zotin “të vdekur”, ai nuk mendonte për fetë, por për Krishterimin: “Unë e konsideroj Krishterimin një mallkim të madh, çoroditja e brendshme më e madhe, instikti më i madh i hakmarrjes, për të cilën asnjë mjet nuk është aq helmues, aq tinzar, aq i nëndheshëm dhe aq zemërngushtë” [Nietzche:1921, f. 125].
Në “Gesamite Briefe” ai mbante një tjetër qëndrim për islamin, për: “atë që Evropa e ka humbur, burrërinë, respektin, autoritetin dhe dëshirën e cila fuqimisht afirmon jetën” [Nietzche:1996].
Megjithatë ai mbeti njëri ndër kryesorët e bindjeve ateiste që solli motivimin e Sigmund Frojd-it (1856-1939) dhe Karl Jung-ut (1875-1961) për lëvizjen “Zoti është i vdekur” [Berlinerblau:2005]. Të tilla bindje i dhanë edhe Stalinit (1878-1953) fuqinë e duhur për ta gjallëruar ateizmin në arenën politike [Zacharias:1990, f. 24]. Historiani Pol Xhonson [në: “The Modern Times”], ndryshe nga Baynes (1969), thotë se të gjithë ‘djajtë’ e shekullit XX, përfshirë Hitlerin dhe Musolinin, në të vërtetë kishin pikëpamje të tilla.
Të tilla bindje përfshinë edhe mendjet shqiptare në periudhën e viteve të hershme të pavarësisë. Në vitet e ’30-ta të shekullit të kaluar, ateizmi ishte bërë një “modë” a një “sëmundje” e intelektualëve të kohës. Në vitin 1934 ishte ndezur një debat i ashpër ndërmjet Ismet Totos në gazetën “Illyria” me “Mistika e re” dhe broshurën “Grindje me klerin” [Univers, #2/2002, ff. 267-286] nga njëra anë dhe Ismet Dibrës, Junus Bulejt, Gjergj Fishtës dhe Anton Harapit nga ana tjetër. Një tjetër ateist që kishte pikëpamje antifetare ishte Ilo Mitkë Qafzezi, i cili përveçqë botonte herë pas here shkrime në “Gazeta e Korçës”, iu përvesh edhe punës për përkthim të pjesërishëm të Kur’anit, jo për të njohur lexuesin me të vërtetën islame, por për të shpifur kundër tij [Basha:2011, f. 377].
Më pastaj erdhën komunistët të cilët pavetëdijshëm fituan bindjen se duke mohuar Zotin po bëheshin ‘përparimtarë’. Në shtator të vitit 1967, Enver Hoxha përshëndeti ndërmarrjet e studentëve të shkollës “Naim Frashëri” të Durrësit për të eleminuar kishat e xhamitë në Shqipëri dhe “për të fshirë obskurantizmin religjioz” [Moorey:2015, f. 62]. Me dekretin 4337 ndaloi besimin fetar (1967), mbylli e shkatërroi 2.169 objekte fetare, shndërroi në bare, kafene apo shtëpi kulture dhjetëra kisha, xhami e teqe, librat e shenjtë u dogjën, varret e njerëzve të respektuar u përdhosën [Fevziu:2012, f. 210]. Sikurse shkruante “Nëntori” i përmuajshëm: “Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë” [Zickel & Iwaskiw:1992, f. 86]. Ndaj prijësve myslimanë e të krishterë u ushtrua dhunë, shumica e tyre u vranë, u burgosën ose ikën. Në Shkodër u hap “Muzeu ateist” (1973-1990), i vetmi i llojit të tillë në botë, kurse Pjesa C, neni 37 i Kushtetutës së vitit 1976 thotë: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe perkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor” [Kushtetutat, 2006, f. 141].
Ata përvetësuan vlerat e huaja duke ua paraqitur fenë si një virus që duhej të luftohej. “Feja e Shqyptarit asht shqyptaria” e Pashko Vasës, që Rilindja Kombëtare e përdori për të bashkuar shqiptarët [Rizvanolli:2007, f. 295]! Ata ia dolën që të përjashtojnë lutjet për heronjtë dhe t’i zëvendësojnë me fjalën “Lavdi” ose “Të qoftë i lehtë dheu”; në vend të ngritjes së duarve ose shenjës së kryqit “një minutë heshtje”, lutjet i zëvendësuan me krisma pushkësh, të gjitha këto në emër të modernizimit, demokracisë e përparimtares! Ndonëse i shkaktoi të këqija të pafund popullit, nuk e zhduku dot. Murej tregon një barcoletë që kishte dëgjuar kur vizitoi Shqipërinë post-ateiste, ku thuhet se kur njëri tha “unë jam ateist”, tjetri e pyeti: “A je ateist mysliman apo ateist ortodoks?!” [Moorey:2015, f. 22].
Se çështja e besimit në Zotin është ndjenjë e lindur, natyrë dhe ndërgjegje, e argumenton vetë nevoja për hulumtime, vetë përpjekjet njerëzore për të gjetur të vërtetën, për ta rehatuar shpirtin. Ata u përpoqën të mësojnë për një gjë që e ka emrin “përtej natyre” (metafizikë) dhe neve nuk na intereson sa patën sukses, por kush u tha se përtej natyrës është një send që duhej hulumtuar e studiuar? Ata u bindën për nevojën e lidhjes së njeriut me një qenie më të lartë, se: “Bota nuk mund të jetë pa një fuqi prapa saj”. Kur dijetarët konstatuan për pesë shqisat e jashtme, na dhanë të kuptojmë se ka edhe të tjera që e lidhin njeriun me botën e tij të brendshme. Në këtë përpjekje ata do të duhej të ndaleshin aty ku ndalej mendja, që kështu të mos e ngatërronin “kuptueshmërinë” me “parashikimin”. Mendja iu tha se ekziston një fuqi që e drejton, e mbikëqyrë dhe e orienton këtë botë. Kjo është gjë e kuptueshme për të gjithë dhe me kaq çështja do të merrte fund. Emri i kësaj fuqie, forma dhe veçoritë pastaj nuk janë çështje e mendjes por e parashikimit. Kjo Fuqi do të lajmërohej dhe do të udhëzonte njerëzit vetë përmes Shpalljeve dhe të dërguarve të Tij. Ngatërrimi filozofik i kuptueshmërisë me parashikimin lindi idhujtarinë dhe ateizmin. Prandaj pra, pati të drejtë Francis Bekon (1561-1626), kur në esenë “Of Atheism” (1597), shprehej se: “një filozofi e vogël mund ta bëjë njeriun ateist!” Filozofia duhet të heshtë për atë që nuk mund ta thotë, sepse e pathëna nuk është joekzistuese, ajo ekziston e madje edhe paraqitet.
Ndërkohë, shkenca nuk mund të krijojë argument për ekzistencën e Zotit, sepse Hyjnorja nuk vjen përmes eksperimenteve dhe edukimeve [Fllu:2019, f. 135], por përmes shpalljes së mesazhit. Tragjedia e vërtetë brenda këtij konteksti është ndryshimi i madh ndërmjet asaj që besojmë dhe asaj që dimë! Humbja e udhës në fizikë dhe metafizikë përgjatë jokorrektësisë në aplikimin e teologjisë dhe filozofisë, është e ngjashme me një shpatë që e përdorë në mënyrë të papërgjegjshme dhe përfundon duke prerë kokën e vet! Sa herë që janë shfaqur zbulime të reja, faktet e mëparshme shkencore janë hedhur poshtë. Shkenca mund të shtrojë një tezë dhe të mbledhë ithtarët e vet, por në asnjë rast nuk mund ta dëshmojë se ne jemi “produkt i një rasti të verbër”!
Po, cili njeri me ndërgjegje të pastër mund të besojë se fjalori u zhvillua për shkak të një eksplodimi në shtëpinë botuese?! Cili produkt i dizajnuar në përvojën njerëzore nuk tregon dizajnuesin e vet?! Cila mendje dhe ide mund të mbrojë mundësinë që jeta të ketë filluar rastësisht, duke përdorur analogjinë e një tufe majmunësh që godasin tastierën e kompjuterit dhe përfundojnë duke shkruar një sonet shekspirian?! Këto pyetje që kërkojnë përgjigje i ka shkruar Xherald Shreder [“Has Science Discovered God”] – një ish-ateist që u pendua për mosbesimin e tij! Nëse teorema nuk funksionon me një sonet, atëherë është absurd sugjerimi se vepra e madhe dhe shumë e ndërlikuar e fillimit të jetës të jetë mundësuar rastësisht [Fllu:2019, ff. 75-76]! Ajo nuk ka shpjeguar asgjë në këtë drejtim dhe prandaj sa më shumë që dimë, më fantastike bëhet bota dhe më e thellë errësira rreth saj.

(vijon)

Të fundit

më të lexuarat