Koha për këndellje të ndërkombëtarëve

Ky rast duhet t’i shërbejë si këndellje politikës ndërkombëtare që të ndryshojë qasjen e gabuar ndaj krizës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke fajësuar palën kosovare për dështimet e deritashme në procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve. Ai po ashtu ka treguar se KFOR-i, i cili është përgjegjës për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës, nuk po e kryen detyrën e vet sipas obligimeve të marra në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës

Ismet Kallaba

Ajo që ishte paralajmëruar prej kohësh nga përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës dhe ndonjë zë i paktë i politikës ndërkombëtare, si deputetja britanike Alicia Kearns, dhe analistë ndërkombëtarë, njohës të mirë të rrethanave politike në rajon, ndodhi të dielën në Banjska, në pjesën veriore të Kosovës. Një grup i organizuar kriminal, i përbërë nga dhjetëra serbë të armatosur, ndërmorën një aksion terrorist kundër Kosovës, me ç’rast u vranë një polic nga radhët e Policisë së Kosovës dhe disa terroristë serbë.

Në qoftë se kohës së fundit Kosova ka qenë në një defensivë diplomatike në raport me Serbinë, ndonëse të gjitha argumentet janë në anën e saj, tashmë Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë rast për të argumentuar para botës demokratike të drejtën e saj


Por a duhej të ndodhte rasti Banjska dhe edhe një viktimë e pafajshme (polici i vrarë i Kosovës, Afrim Bunjaku) që bashkësia ndërkombëtare më në fund të kuptojë se kush është fajtori i vërtetë për situatën ekzistuese në veri të Kosovës dhe në raportin ndërshtetëror Kosovë-Serbi?!
Ky rast, më i rëndi deri tani në përplasjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe disa incidente të tjera të mëparshme, janë pasojë e politikës së gabuar dhe miopisë së bashkësisë ndërkombëtare, e cila duke toleruar politikën kriminale serbe në Kosovë i ka frymëzuar ekstremistët serbë që të kryejnë akte kriminale ndaj forcave të sigurisë dhe vetë shtetit të Kosovës.
Në përpjekje për të afruar Vuçiqin dhe për ta larguar atë nga Rusia dhe Putini, megjithëse ai kurrë nuk ka deklaruar një gjë të tillë, bashkësia ndërkombëtare e ka favorizuar atë, duke u bërë kështu palë me agresorin dhe dënuar padrejtësisht më të dobëtin – Kosovën, me vendosjen e sanksioneve, përjashtimin nga stërvitja “Defender 2023” etj. Serbia dhe serbët lokalë janë toleruar për sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, punonjësve të medias etj., si dhe rrëmbimin me qëllim poshtërimi të tre pjesëtarëve të PK-së nga xhandarmëria serbe në territorin e Republikës së Kosovës.

A duhej të ndodhte rasti Banjska dhe edhe një viktimë e pafajshme (polici i vrarë i Kosovës, Afrim Bunjaku) që bashkësia ndërkombëtare më në fund të kuptojë se kush është fajtori i vërtetë për situatën ekzistuese në veri të Kosovës dhe në raportin ndërshtetëror Kosovë-Serbi?!


Serbia ka shpërfaqur sërish fytyrën e vet të vërtetë, siç ka qenë në fakt gjithmonë, duke dëshmuar edhe një herë se nuk ka hequr dorë nga politika e pretendimeve territoriale ndaj fqinjëve të saj. Serbia është sponsorizuese e terrorizmit në Kosovë dhe në vende të tjera në rajon, një dorë e shtrirë e Rusisë në orvatjen për të krijuar vatra të reja lufte në Ballkan. Rasti Banjska, si pjesë e luftës hibride të Serbisë kundër Kosovës, demaskoi politikën shtetërore serbe dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe në vende të tjera në rajon, objektet e së cilës në vend të faltoreve për besimtarë janë shndërruar në strehë të grupeve kriminale dhe terroriste. Në të njëjtën kohë, falë profesionalizmit të policisë dhe organeve të tjera të rendit dhe sigurisë së Kosovës, ka dështuar skenari serb për të provokuar gjakderdhje me qëllim të akuzimit të Kosovës për kryerjen e masakrës në një objekt fetar (manastir të KOS-it). Këtë dyshim e përforcon edhe më tepër deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka theksuar se “pyetja më e rëndësishme është se çfarë ka kërkuar Policia e Kosovës atje (në Manastirin e Banjskës), sipas cilit ligj dhe sipas cilit dokument”. Ndërsa Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të zënë me presh në dorë, iu desh tërë dita për të sajuar gënjeshtra mbi atë që e ka parë gjithë bota, të dokumentuar me pamje – fotografi dhe video. Ky rast ka dëshmuar po ashtu se Serbia nuk njeh gjuhë tjetër, përpos asaj të forcës.
Konflikti i armatosur në Banjska përbën një grusht të madh për bashkësinë ndërkombëtare dhe një fitore të politikës së drejtë të qeverisjes kosovare, të personifikuar nga kryeministri Albin Kurti, i cili përkundër presioneve të ndryshme nuk ka pranuar të lëshojë pe në mbrojtjen e të drejtës së Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Rasti duhet t’i shërbejë si këndellje politikës ndërkombëtare që të ndryshojë qasjen e gabuar ndaj krizës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke fajësuar palën kosovare për dështimet e deritashme në procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve. Ai po ashtu ka treguar se KFOR-i, i cili është përgjegjës për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës, nuk po e kryen detyrën e vet sipas obligimeve të marra në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës.
Në qoftë se kohës së fundit Kosova ka qenë në një defensivë diplomatike në raport me Serbinë, ndonëse të gjitha argumentet janë në anën e saj, tashmë Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë rast për të argumentuar para botës demokratike të drejtën e saj.
Kosova dhe shqiptarët kanë fatin e keq që të kenë fqinj një shtet të tillë hegjemonist si Serbia, i cili historikisht ka pasur dhe ka pretendime territoriale ndaj tokave shqiptare, gjë që deri diku edhe ka arritur ta bëjë duke aneksuar pjesë të tëra të trungut shqiptar.

Të fundit

më të lexuarat