Katastrofa e “të papërmbytshmit”

Momenti më dramatik i asaj nate erdhi vetëm para 2:20 të mëngjesit. Sterna e Titanikut u ngrit lart në ajër, dritat u fikën dhe ngadalë rrëshqiti drejt fundit të detit. Nuk zgjati më shumë se një minutë dhe nuk u duk më!

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Duke qenë kaq e “sigurt” dhe kaq moderne, ajo mblodhi një numër të konsiderueshëm njerëzish të famshëm e të pasur, në mesin e tyre njerëz të artit, të shkencës, të teknologjisë dhe profesioneve të tjera të rangut të lartë. Në mesin e tyre koloneli John Jacob Astor (1864-1912), pasuria e të cilit i kalonte 150.000.000, tregtari dhe bankieri Isidor Straus (1845-1912) me 50.000.000, drejtori i “International Mercantile Marine” J. Bruce Ismay (1862-1937) me 40.000.000, financieri Benjamin Guggenheim (1865-1912) me 5.000.000, koloneli Washington Roebling (1837-1926) – ndërtues i Urës së madhe të Brooklinit (1883), Charles M. Hays (1856-1912) – president i “Grand Trunk Railway”, W. T. Stead (1849-1912) – publicist i famshëm, Jacques Futrelle (1875-1912) – gazetar, Henry S. Harper (1864-1944) i firmës “Harper & Bros”, Henry B. Harris (1866-1912) – drejtor teatri, major Archibald Butt (1865-1912) – ushtarak i presidentit të 27-të amerikan William Howard Taft (1857-1930), inxhinieri Thomas Andrews, i cili mbikëqyri ndërtimin e Titanikut dhe Francis Millet (1848-1912), njëri prej piktorëve më të njohur amerikanë [“The Sinking of the Titanic”,1912, f. 19].
Të gjithë këta i përkisnin klasit të parë të anijes, me lukset më të sofistikuara, të bëra në stile të ndryshme artistike. Duke qenë i dizajnuar në stilin e një hoteli lundrues, ishte menduar që pasagjerët e klasit të parë të harronin se ishin në një anije dhe të ndiheshin sikur ishin në një sallë të një shtëpie të madhe në tokë! Natyrisht, për këtë lloj udhëtimi edhe çmimi ishte i “dizajnuar”; kushtonte rreth 60.000 dollarë me llogari të sotme, për secilin nga 324 pasagjerët e këtij klasi, oferta më e shtrenjtë për akomodimin transatlantik. 30 £ për një dhomë të rregullt, ose 875 £ për një suitë sallonesh.

Në mesnatë kapiteni Smith dha urdhër për zbritjen e varkave të shpëtimit, por të tilla ishin të mjaftueshme vetëm për 1.178 udhëtarë nga 2.201 që kishte Titaniku. Edhe sikur barkat të ngarkoheshin në maksimum, 1.023 pasagjerë do të mbeteshin pa asnjë mundësi për të shpëtuar. Një burim tjetër thotë se në bord kishte 2.224 njerëz: 1.316 pasagjerë dhe 908 anëtarë të ekuipazhit, nga të cilët 711 persona u shpëtuan, ndërsa 1.513 vdiqën


Klasi i dytë nuk ishte aq luksoz, prandaj ishte më i lirë. Në të u akomoduan vetëm 284 pasagjerë. Ndërkohë klasi i tretë kishte më së shumti pasagjerë – 709 dhe kushtonte vetëm 35 dollarë – 650 dollarë sipas llogaritjes së sotme. Kjo pjesë ishte e projektuar fare thjesht, muret e çelikut ishin të lyera me të bardha ose të veshura me panele druri. Ato paguanin 3 dhe 8 £ për suitë. Shumica e tyre u akomoduan në “konviktin” me 164 shtretër të kuvertës “G”. Kishin vetëm dy banjo për të gjithë pasagjerët dhe nuk guxonin të kalonin në ambientet e klasit të parë dhe të dytë. Gjithsejt 1.317 pasagjerë, përfshirë 13 çifte për muajin e mjaltit, 60 përqind meshkuj, 34 përqind femra, ndër ta 107 fëmijë. Bashkë me 908 anëtarët e ekuipazhit, numri i qenieve njerëzore arrinte në 2.225. Ishin edhe nëntë qenë e një derr.
Më 10 prill 1912 “Titanic” filloi lundrimin nga porti i Southampton-it (Britani e Madhe) në drejtim të Nju Jorkut, ku planifikohej të arrinte pas shtatë ditësh, përkatësisht në mëngjesin e 17 prillit. Deri të dielën më 14 prill, me pasagjerët gjithçka shkoi si duhet [“The Sinking of the Titanic”, 1912]. Ditën e parë kaloi me një lundrim të qetë prej 484 miljesh. Ditën e dytë prej 519 miljesh për të arritur më pas në 549 milje, shpejtësia më e madhe e shënuar deri në atë kohë, por që ende nuk e kishte arritur kapacitetin e mundshëm! Në rastin e kushteve të volitshme, këtë do ta arrinte të hënën, por e hëna nuk erdhi kurrë!
Në orën 22:40 të 14 prillit, operatori telegrafik i Titanikut mori shumë vërejtje nga anijet që kalonin në këtë zonë për mollo akulli që kishin përpara, por siç u tha, mesazhet nuk u transmetuan! Vetëm 20 minuta para mesnatës së 14 prillit 1912, Titaniku u përball me një të tillë në ujërat e errëta e të qeta të Atlantikut Verior. Kapiteni dha urdhër që të ndalen motorët dhe të bënin rotacion të kundërt, por ishte shumë vonë, sepse vetëm 37 sekonda më pas “i papërmbytshmi” u gjend përballë katastrofës. Kapiteni i dytë Lightoller u ndie i shqetësuar: “Në rrethana normale një rast i këtillë nuk do të ishte për asnjë shqetësim, por atë natë gjithçka ishte kundër nesh” [Lord:1986, f. 71].
Pavarësisht shpresave se “i papërmbytshmi” nuk pësoi ndonjë dëmtim serioz, lajmin e keq e solli marangozi, se përmbytja e të papërmbytshmit do të zgjasë më së shumti një orë e gjysmë [Lord:1986, ff. 80-81]. Alarmi u dha. Disa pasagjerë fillimisht nuk donin të besonin [Lord:1986, f. 112]. Sado e habitshme të tingëllojë, shumë pasagjerë refuzuan të besojnë që anija do të fundosej. Shumë herë kishin dëgjuar se ai ishte “i papërmbytshëm”. Ishte një perspektivë e frikshme që të mendonin të linin luksin e anijes së ndritshme dhe të rehatshme për të hipur në një varkë dhe për t’u ulur poshtë 60 metra në oqeanin e ngrirë. Për shumë njerëz, vetëm kur harku (përpara) i anijes u zhduk nën oqean, ata kuptuan se Titaniku do të fundosej me të vërtetë. Tani u hyri paniku, por ishte tepër vonë! Burrat kërkonin gratë e fëmijët, familjet u bashkuan, shumë prej atyre që ishin duke fjetur u zgjuan dhe u ngutën në kuvertë, ku u krijua një konfuzion i madh. Tashmë vetëm një rrugë ishte e hapur. Nga ajo që treguan të mbijetuarit, shumica e pasagjerëve u mblodhën në kuvertë për t’u lutur kur kuptuan se anija ishte gati të fundosej! Në kohë telashesh e rreziqesh të rënda, njeriu lutet sinqerisht dhe kërkon ndihmën e Krijuesit të tij.
Në mesnatë kapiteni Smith dha urdhër për zbritjen e varkave të shpëtimit, por të tilla ishin të mjaftueshme vetëm për 1.178 udhëtarë nga 2 201 që kishte Titaniku. Edhe sikur barkat të ngarkoheshin në maksimum, 1.023 pasagjerë do të mbeteshin pa asnjë mundësi për të shpëtuar. Një burim tjetër thotë se në bord kishte 2.224 njerëz: 1.316 pasagjerë dhe 908 anëtarë të ekuipazhit, nga të cilët 711 persona u shpëtuan, ndërsa 1.513 vdiqën. Titaniku që ishte i dizajnuar për të bartur 3.547 vetë, ishte vetëm 2/3-ta e hapësirës së ngarkuar [Lord:1986, f. 83]. Urdhri erdhi që të gjithë burrat të qëndronin mbrapa, kurse gratë e fëmijët do të qëndronin në rreshtin e parë. Disa burra të shëndoshë u shtynë për të kaluar, por oficerët u kërcënuan të tërhiqen: “Gratë dhe fëmijët të parët”. Duke mallkuar në gjuhë të ndryshme, burrat sërish u shtynë, njëri prej tyre ra në ujë, një tjetër u rrëzua në kuvertë duke rënkuar. Operatori radiofonik tek kishte vendosur rripin e shpëtimit, kishte shkuar në kabinën radiofonike për të dhënë mesazhin “Ne jemi përplasur me një ajsberg, jemi të dëmtuar, shpejtoni ndihmën” [“The Sinking of the Titanic”, 1912, f. 82], kur një burrë i qëndroi pas me një thikë, me të cilën do ta sulmonte për t’i marrë rripin e shpëtimit. Operatori tjetër nxori revolverin dhe e vrau në vend [“The Sinking of the Titanic”, 1912, ff. 34-35].
“Unë nuk e lë burrin tim”, thoshte znj. Isidor Straus: “Ne jemi të moshuar dhe më e mira është të vdesim së bashku”, dhe pastaj u largua prej atyre që synonin ta vendosnin në njërën prej varkave të shpëtimit [“The Sinking of the Titanic”, 1912, f. 47]. Një tjetër, identiteti i të cilit kurrë nuk u zbulua, u vesh me një fund grash, vuri në kokë një shami, dhe “si një grua” u vendos në një varkë të shpëtimit [“The Sinking of the Titanic”, 1912, f. 56]. Ismay u akuzua se hyri në një varkë shpëtimi duke anashkaluar gratë dhe fëmijët, si dhe për faktin se ishte ai që udhëzoi kapitenin e Titanikut të rriste shpejtësinë, gjë që çoi në tragjedi. Pesë gra shpëtuan qentë e tyre duke i mbajtur në duart e veta, kurse një grua tjetër shpëtoi një zog-thiu për të cilin thoshte se ishte ‘nuskë’ e saj. Treguesi thotë se nuk brengosej shumë për qentë që shpëtuan, por i vinte keq që shpëtoi zog-thiu derisa qeniet njerëzore po shkonin drejt vdekjes [“The Sinking of the Titanic”, 1912, f. 109]. Momenti më dramatik i asaj nate erdhi vetëm para 2:20 të mëngjesit. Sterna e Titanikut u ngrit lart në ajër, dritat u fikën dhe ngadalë rrëshqiti drejt fundit të detit. Nuk zgjati më shumë se një minutë dhe nuk u duk më!
Ajo që ishte me plagët më serioze ishte një grua që kishte humbur dy fëmijët e saj. Një grua nga kabina e dytë kishte humbur shtatë nga dhjetë fëmijët e saj. Një grua e varfër siriane e quajtur znj. Habush, që bartte para duarve vajzën e saj gjashtëvjeçare, kishte humbur burrin dhe tre vëllezërit e saj [“The Sinking of the Titanic”, 1912, f. 102, 106, 133]. Ndër të mbijetuarit ishin dy fëmijë francezë të cilët ishin transferuar në varkat e shpëtimit thuajse fare të zhveshur. Kush ishin, nga vinin dhe ku shkonin askush nuk dinte, ata tashmë ishin jetimë. (vijon)

Të fundit

më të lexuarat