Jam shqiptar dhe gjuha ime amtare është gjuha shqipe

Hajrullah Hajdari

Këto ditë në Mal të Zi po zhvillohet regjistrimi i popullsisë, familjeve dhe banesave. Është ky regjistrimi i dytë në Mal të Zi pas shkëputjes nga Jugosllavia gjegjësisht nga Republika Socialiste e Serbisë dhe Malit të Zi. Regjistrimi do të zgjasë deri më 15 dhjetor 2023.
Regjistrimi i popullsisë apo censusi është një akt shumë i rëndësishëm statistikor të cilin shteti e shfrytëzon për qëllime të ndryshme ekonomiko-sociale e shpeshherë edhe politike.
Edhe pse përcaktimi i numrit të përgjithshëm të popullsisë është funksioni kryesor i regjistrimit, duke marrë parasysh rrethanat politike në të cilat u përgatit regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, shënimet që do të dalin nga regjistrimi në lidhje me kategoritë e identitetit (përkatësia etnike, nacionale, gjuhësor, fetare) për shumë individë apo parti politike janë shumë më të rëndësishme se sa funksioni kryesor i tij. Kjo edhe për faktin se disa parti politike për realizimin e qëllimeve të tyre politike po synojnë mbisundimin ndaj komuniteteve tjera kombëtare, marrjen e primatit ndaj tyre, sepse ruajtjen e identitetit qoftë kombëtar apo fetar e kanë shumë më rëndësi. Kjo qasje është prezente sidomos te partitë politike të profilizuara serbe apo malazeze. Për këtë arsye e shumë të tjera popullsia shqiptare në Mal të Zi duhet ta ketë të qartë se ky regjistrim i popullsisë nuk është çështje vetëm statistikore, por më shumë se aq. Prandaj shqiptarët nëse dëshirojnë që pozita e tyre shoqërore, kulturore dhe politike të forcohet gjithnjë e më shumë atëherë me patjetër duhet të bëhen pjesë e regjistrimit dhe pa mëdyshje, lirisht e pa frikë të deklarojnë përkatësinë e tyre kombëtare dhe gjuhësore. Populli shqiptar pothuajse në të gjitha regjistrimet e popullsisë të organizuara nga Principata apo Mbretëria e Malit të Zi, Mbretëria SKS, Mbretëria e Jugosllavisë, Jugosllavia Socialiste e deri ne ditët e sotme, në mënyra të ndryshme ka qenë i diskriminuar dhe shpeshherë kanë pasur ndikim në asimilimin e tyre. Ta deklarosh si gjuhë amtare gjuhën shqipe e kombi mos të deklarohej shqiptar është rezultat i veprimeve diskriminuese ndaj shqiptarëve në të gjitha lëmit e jetës.

  • Manipulimi i shtetit me përkatësinë kombëtare të shqiptarëve
    Me qëllim që edhe njëherë të rikujtojmë divergjencat e krijuara dhe të pasqyruara në regjistrimet e popullsisë që në kohën e rënies së trojeve shqiptare nën sundimin e shteteve sllave, më poshtë po japim disa shënime krahasuese të regjistrimeve të popullsisë.
    Sa ishte numri i popullsisë në trojet shqiptare të zaptuara nga Mali i Zi nuk ka shënime të sakta, sepse pjesa më e madhe e tyre (Ulqini, Kraja, Podgorica, Trieshi) nuk pranuan të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë të vitit 1879. Megjithatë, dihet se sipas këtij regjistrimi në Tivar (Tivari dhe Zalevi) 78,75% të popullsisë ishin shqiptarë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1981 në Tivar dhe Zalev shqiptarë u regjistruan vetëm 305 veta! Po ashtu sipas statistikave malazeze në vitin e okupimit (1912) në Krahina e Plavës dhe Gucisë 85,24% të popullsisë ishin shqiptarë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1981në në Komunën e Plavës dhe Gucisë shqiptarë u deklaruan vetëm 20,63% të popullsisë. Po sipas statistikave malazeze – listave të Kapetanive, viti 1913, Rozhaja me rrethinën e tij numëronte 431 shtëpi, prej të cilave vetëm 21 shtëpi ishin serbë!
    Në Jugosllavinë e Titos u organizuan 6 regjistrime të popullsisë:

Në regjistrimin e vitit 1991, 2003 dhe 20011 vërejmë një rritje të vetëdijes kombëtare, pasi anomalitë e regjistrimit të shqiptarëve si malazezë janë zvogëluar dukshëm. Por, edhe më tutje te shqiptarët, sidomos në Tivar, Bashkësinë Lokale të Shestanit, në Salç, Krruç e Braticë si edhe në Plavë e Guci, përveçse kemi një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që janë me prejardhje shqiptare por deklarohen si malazezë, kemi edhe të tillë që deklarohen se gjuha amtare e tyre është gjuha shqipe ndërsa deklarohen se me kombësi janë malazezë. S’do mend se ky është rezultat i ideologjisë komuniste dhe punës së palodhshme të UDB-ës për gjithë ato vite. Kulmi i manipulimeve apo propagandës antishqiptare arrihet në regjistrimin e vitit 1961. Sipas këtij regjistrimi në Krajë banonin 1980 malazezë ose 54% të popullsisë së përgjithshme, ndërsa në fshatrat Bes, Muriq Naltë dhe Pinç edhe pse të banuar me 100% shqiptarë nuk u regjistrua asnjë shqiptar! Anomali, keqpërdorim dhe poshtërsi e pushtetit, që u përsërit nga regjistrimi në regjistrim me të vetmin qëllim: asimilimin sa më të lehtë të shqiptarëve!

  • Gjuha shqipe, element i tkurrjes së vetëdijes kombëtare
    Për dukurinë e shprehjes ndryshe të gjuhës dhe kombësisë po japim këto fakte:
    Në regjistrimin e vitit 1991 se gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare u deklaruan 43.907 (6.57%) qytetarë ndërsa me kombësi shqiptare u deklaruan 40.415 qytetarë ose 3.492 (7.14%) më pak. Në vitin 2003, 32.603 qytetarë u deklaruan se gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare 32.603 (5,27) ndërsa me kombësi shqiptare u deklaruan 31.163 (5,03) ose më pak 1.440 qytetarë. Ndërkaq në vitin 2011 gjuha shqipe është gjuhë amtare e 32.671 (5,27) qytetarëve ndërsa me kombësi shqiptare janë deklaruar 30.439 (4,91)!
  • Lirisht e pa frikë të deklarohemi: Jam shqiptar me kombësi dhe gjuhë
    Rezultatet e paraqitura flasin mjaftueshëm për transmetimin e një të pavërtete nga ana e shtetit dhe politikës së tij që i është servirur publikut dhe shqiptarëve. Si ka mundësi që gjuha amtare dhe kombësia të jenë të ndryshme?! Ato nuk mund të ndahen, janë të njëjta por paraqesin problem për ata që janë në dilemë për shtetësinë dhe kombin. Nëse dikush mendon se pasi jeton në Mal të Zi atëherë me kombësi është malazez, por gjuhë të nënës e ka shqipen, gabohen rëndë, sepse kombësia dhe shtetësia janë dy kuptime të ndryshme juridike dhe politike, e në rastin e shqiptarëve në Mal të Zi mjet i vyer i politikës dhe pushtetit për tkurrjen e ndjenjës kombëtare.
    Ajo që sot u duhet shqiptarëve në Mal të Zi është të mos kenë frikë nga deklarimi real i të vërtetës dhe origjinës së tij. Prandaj, bëhuni pjesëmarrës në regjistrimin e popullsisë dhe lirisht shprehuni: Jem shqiptar e gjuha ime amtare është gjuha shqipe. Mbrojtja shënimeve të dhëna mbrohen me ligj.
    Vetëm kështu e tregojmë sa e duam veten, kombin dhe vetëm kështu të tjerët do të na respektojnë e duan më shumë, ndryshe do të na manipulojnë e urrejnë edhe më shumë.

Të fundit

më të lexuarat