
Në fillim të shekullit XX, në Ulqin u ndërtuan Moli i Vogël dhe Moli i Madh. Në të parin janë lidhur barkat e vogla dhe sandallat, kurse në Molin e Madh barkat e mëdha, vaporët për tregti dhe transportin e njerëzve.
Investimi i parë i gabuar
Në dekadën e gjashtë të shekullit XX filluan punimet për zgjerimin e Molit të Madh. Erdhën zhytësit (dallgiçat), të cilët punon nën ujë për të përgatitur themelet. U vendosën mijëra metra kub beton dhe blloqe, kështu që Moli i Madh shtrihej deri nën Fenerin e Kalasë.
Pas Molit të Madh ishte një gji i vogël, ku ne atëherë si fëmijë dhe të rinj laheshim në det. Në vazhdim ishte Shpella e Qytetit, të cilën me sandall e vizitonin çiftet e reja.
Për sqarim, në kohën kur u bë ky investim i panevojshëm, tregtia detare ishte në zhdukje dhe Moli i Madh ekzistues ishte më se i mjaftueshëm për barkat – anijet që vinin në Ulqin.
Investimi i dytë i gabuar
Njallia (Jallia), që turqisht do të thotë fushë në det, ishte si hark nën pjesën jugore të Kalasë, me plazhin me zhavorr dhe në cekëtinë me rërë të imët. Në anën e majtë ishte Guri i Zi, prej të cilit fëmijët e vegjël kërcenin në det, ndërsa fare majtas ishte Kacemja, prej së cilës kërcenin në det. Midis dy moleve është luajtur vaterpolo dhe janë mbajtur gara sportive në det.
Njallia ka qenë vendi ku të gjithë ne dhe fëmijët tanë kanë mësuar notin dhe një ndër simbolet e Ulqinit. Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare”, me pëlqimin e pushtetit vendor, në vend të Njallisë ndërtoi një marinë të vogël. U zhduk plazhi, Guri i Zi, Kacemja dhe u ndërtua një marinë jofunksionale!
Përveç zhdukjes së Njallisë, lidhja e sandallave në këtë port të vogël nuk është e sigurt, sepse kur është deti i trazuar depërton brenda. Bazuar në pamjen e tij, këtë port të vogël disa me shpoti e quajnë “Vaskë koneze” ose “Xhakuzi”!
Shkallat e Peshkaxhive ishin në anën e djathtë të Plazhit të Qytetit. Aty ishte vendi ku lidheshin fllugat dhe barkat e vogla për peshkim. Prej aty janë nisur dhe po aty janë kthyer peshkatarët pas gjuetisë së peshkut (peshkimit). Edhe këtu, duke mos respektuar përvojën dhe traditën detare-peshkatare të Ulqinit, “Të Mirat Detare” e vazhduan shëtitoren dhe i zhdukën Shkallat e Peshkaxhive
Investimi i tretë i gabuar – Zhdukja e Shkallave të Peshkaxhive
Shkallat e Peshkaxhive ishin në anën e djathtë të Plazhit të Qytetit. Aty ishte vendi ku lidheshin fllugat dhe barkat e vogla për peshkim. Prej aty janë nisur dhe po aty janë kthyer peshkatarët pas gjuetisë së peshkut (peshkimit).
Më pas, peshku është dërguar në “peshkatore”, e cila ishte në afërsi të Hotelit “Republika”. Në fëmijërinë tonë, peshkatarët na lejonin t’i pastronim fllugat dhe na jepnin ndonjë peshk.
Edhe këtu, duke mos respektuar përvojën dhe traditën detare-peshkatare të Ulqinit, NP “Të Mirat Detare” e vazhduan shëtitoren dhe i zhdukën Shkallat e Peshkaxhive.
Në fund, i bashkohem propozimit – idesë që administrimi i bregdetit, që tani bëhet nga NP “Të Mirat Detare”, t’u kthehet në kompetencë gjashtë komunave bregdetare të Malit të Zi, sepse kjo ndërmarrje Ulqinit nuk i ka ofruar asgjë të mirë.