Interesimet e para për rregullimin e banjave të Ulqinit

Hajrullah Hajdari

(Vijon nga numri i kaluar)

Dështimi i investimit në Kala pati ndikim të dukshëm në rritjen e ndërgjegjësimit të organeve shtetërore dhe qytetarëve për ngritjen e objekteve në funksion të zhvillimit të turizmit në këtë qytet të bukur bregdetar. Numri i vizitorëve gjatë muajve të verës sa vinte e rritej gjithnjë e më shumë. Numri, por edhe struktura e shfrytëzuesve të banjave të parregulluara të Ulqinit tregoi se është e nevojshme të ndërhyhet për të krijuar kushte më të mira për mysafirët. Mysafirët i ishin lëshuar vetvetes, nuk kishte dhoma të zhveshjes as bufe apo restorant afër banjës. Shteti, përkundër komplimenteve për banjat e Ulqinit dhe veçoritë e tyre shëruese për të cilat lajmëronin gazeta vendase dhe të huaja, nuk ndërmerrte asgjë për përmirësimin e kushteve, jo vetëm në afërsi të banjave por as në qytet.
Bukuritë natyrore dhe mundësia për zhvillimin e turizmit ishin të pakontestueshme, ndërsa nga ana tjetër interesimi për banjat e Ulqinit tashmë ishte i dukshëm. Të ndikuar nga dëshpërimi i parë për investimet e Kibalçiçit dhe interesimi që po vazhdonte për banjat e Ulqinit, në dhjetor të vitit 1907, deputetët e popullit Pjetër Dobrec(i)oviqi dhe Zhivko Dragoviqi i drejtohen Kuvendit Popullor me një lutje me dy kërkesa: “1. Të porositet kushdo qoftë që të bëjë përshkrimin e bukurive të Ulqinit, banjave të tij, kushteve klimatike etj. dhe të lutet piktori ynë i shquar Poçek, që për një shpërblim modest, të fotografojë vendet më të bukura të Ulqinit të cilat duhet t’i botojë në një libër të ilustruar, me të cilën do të njoftohet bota me Ulqinin dhe do të shërbente si reklamë për ne, 2. Të obligohet Qeveria e Principatës që të gjejë ndonjë sipërmarrës i cili do të rregullonte banjat dhe dhomat e larjes në Ulqin me qëllim të tërheqjes së botës së pasur evropiane, të cilët kërkojnë shëndet dhe kënaqësi”. Më përpara Dobrecoviqi dhe Zhivkoviqi kishin bërë të ditur qëndrimin e tyre në lidhje me mundësitë dhe rëndësinë e valorizimit të bukurive natyrore, jo vetëm të Ulqinit, por edhe të Malit të Zi. Qëndrimin e tyre e kishin shprehur kështu: “Edhe pse ne jemi mësuar që veten ta konsiderojmë të varfër, e po ashtu edhe atdheun tonë, mendojmë se kjo nuk është e drejtë, sepse vendi në të cilin banojnë afër 20 banorë në 1 km2 dhe i cili ka aq shumë pasuri natyrore, nuk mund të jetë i varfër, natyrisht nëse pasuritë do t’i përdorim siç duhet”. Sa i përket Ulqinit dhe bukurive natyrore dhe mundësisë për valorizimin e tyre ata ishin shprehur: “ Një ndër pjesët më të bukura të vendit tonë, që pak kund mund të gjenden, është bregdeti ynë, e në këtë bregdet varoshi i Ulqinit dhe rrethina e tij, të cilët sa i përket bukurive natyrore dhe butësisë së klimës i tejkalojnë bukuritë e Nicës, Abacisë e vendeve të tjera të ngjashme”. Në kërkesën e tyre ndër të tjera thuhej: “Nuk është e nevojshme të tregojmë rëndësinë e domosdoshme dhe përfitimet që do të vijnë, prandaj mendojmë se Kuvendi Popullor me kënaqësi do ta aprovojë kërkesën tonë”.
Kuvendi Popullor e mori seriozisht këtë kërkesë dhe më datën 21 janar 1908, në mbledhjen XXI të tij, pas një shqyrtimi të shkurtër vendosi: “I rekomandohet qeverisë, që sipas mundësive, ta përfundojë (realizojë) kërkesën”. Vendimi zyrtarisht iu dërgua kryetarit të Kuvendit Popullor Lazar Tomanoviqit. Nuk dihet nëse Këshilli i Ministrave e ka marrë në konsideratë vendimin. Mirëpo si edhe në rastin e mëparshëm, kërkesa e deputetëve ulqinakë mbeti në ad acta (shkresa u protokollua në KM më 14 shkurt 1908 dhe mban shënimin: ad acta).

  • Kërkesa e parë për ndërtimin e hotelit në Ulqin
    Larja në det dhe shfrytëzimi i rërës së banjave të Ulqinit po bëhej traditë. Interesimi për banjat e Ulqinit sa vinte e shtohej, por shteti nuk ndërmerrte asgjë për krijimin e kushteve të mysafirëve që dëshironin të shfrytëzojnë detin, rërën dhe cilësitë e tij shëruese. Mosinteresimi i shtetit për zhvillimin e Ulqinit ishte evident. Deputeti i Kuvendit Popullor Serdar S. Pllamenac, në letër dërguar Përfaqësisë së Popullit (Kuvendit), më 20 nëntor 1906, nr. protokolli 373, ndër të tjera theksonte: “… nga aneksimi e gjer më sot, pothuajse nuk është bërë asgjë në asnjë drejtim që do ta përparonte këtë pasuri, dhuratë e natyrës, të pasur nga natyra, për ta zbutur gjendjen e vështirë të popullsisë, përkundrazi, mund të thuhet se është punuar ashtu, më qëllim apo pa qëllim, që ky rajon sot është në gjendje më të keqe se në vitit 1880”. Pra kishin kaluar 26 vjet, ndërkaq në Ulqin nuk po punohej e ndërtohej asgjë për mirëqenien e popullsisë. Deputeti në fjalë pasi thekson se qeveria përveçse e ka përshkruar gjendjen në Ulqin në një ngjyrë shumë të dobët kundër asaj çka ekziston atje, në përfundim të letrës shkruan: “Çfarë mendojnë të bëjnë për ta përparuar këtë vend të lënë mbrapa, sipas natyrës më i pasuri në vendin tonë, ku do të mund të vendosen 2/3 e banorëve të Malit të Zi, i cili pa asnjë dyshim mund të jetë një ndër vendet më të bukura për banjat në detin Adriatik”.
    Çfarë duhet të kishte Ulqini për sigurimin e kushteve për vizitorët dhe pushuesit, sidomos të huajt, kushte që tani më në Evropë janë bërë shprehi? Stevo P.Uskokoviqi, më 27 prill 1911, në kërkesën drejtuar Drejtorisë së famshme të Komunës të qytetit të Ulqinit shprehet se duhet ndërtuar një hotel i cili për momentin do t’i plotësonte nevojat e vizitorëve dhe të pushuesve, pra turistëve. Ai kërkoi që komuna të lejojë të ndërtonte një hotel në shtëpinë e profesor Pupinit. Ai zotohet se do të ndërtojë kabinat dhe bufetë të cilat do të jenë të furnizuara me të gjitha që një vizitor dëshiron të ketë. Për ta realizuar këtë investim Uskokoviqi kërkon nga komuna që ta lirojë nga taksat për lejen e punës për dy vjet dhe nga taksat komunale për 10 vjet.
    Një kërkesë të tillë për ndërtimin e banjave dhe një kafeneje në Ranë, më 11 maj 1911, Komunës së Ulqinit ia kishte dërguar Shoqëria, e ngritur nga banorët e Ulqinit të përfaqësuar nga Petar Vuksanoviqi dhe Pero N.Shabani. Në kërkesën e tyre theksohej se u bashkuan për ta themeluar një Shoqëri me qëllim që të ndihmojmë zbukurimin e Ulqinit, sepse ai është vend i atillë, nga natyra më mirë i zbukuruar, por i duhet dora e njeriut ashtu si njeriut i duhet buka. Nëse do ta ndihmojmë, Ulqinin me të drejtë do ta quajmë Abicia serbe, sepse banjat e këtij qyteti janë të vetme në bregdetin malazez. Ky mendim na ka nxitur, theksojnë ata në kërkesë që “ të punojmë për të ngritur në tokën e komunës, pranë detit kabinat e nevojshme për larje, e pranë tyre edhe një barakë të cilën do ta furnizojmë sa më shumë që është e mundur për kënaqësinë e publikut”. Koncesionin e kërkuan për gjashtë vjet dhe kërkuan që të shfrytëzojnë lirisht parkun-livadhin e komunës dhe të lirohen nga taksat komunale.
  • (fund)

Të fundit

më të lexuarat