
(vijon nga numri i kaluar)
Kur i mohon njeriut se është krijesa kryesore e Zotit, se do të kthehet sërish te Krijuesi dhe se do të japë llogari për veprat e jetës së tij, e ke shndërruar në një fantazëm të pasigurt robotike [Palushi: 2006, f. 21]. Ata u munduan me çdo kusht t’i bëjnë njerëzit të harrojnë Zotin, pa ndier se për shumë njerëz “besimi është çështja më e rëndësishme në jetë” [Ghodsee:2010, f. 86].
Sipas verifikimit të QSHRT-së (2004), 9.778 gra ishin përndjekur gjatë regjimit, 90 prej tyre të ekzekutuara dhe 6 të vdekura në burg. Rreth 25% të grave të intervistuara kanë qenë të burgosura gjatë periudhës së diktaturës, prej të cilave 75% me më shumë se dhjetë vite, 46.2% e tyre të keqtrajtuara gjatë burgimit apo internimit. Nxjerrja e një “bilanci” rezulton në qindra ekzekutime, mijëra vite burgime dhe akoma më tepër internime [Mapo, 30. 11. 2015]. Disa të vetëvrara gjatë hetuesisë, disa me ndjenja të brishta kishin humbur aftësinë mendore dhe ishin çmendur. Disa raste lindjesh në burg të grave të arrestuara në gjendjen e shtatzënisë, të cilat nuk paraqisnin kurrfarë rrezikshmërie shoqërore [Panorama, 7. 8. 2011]. Rasti i veçuar i Liri Gegës, e cila duke qenë me barrë, u arrestua dhe u pushkatua bashkë me të shoqin, Dali Ndreun, që të dy militantë të Luftës Nacional-Çlirimtare, rast që u bë i njohur botërisht nga një fjalim i Nikita Hrushovit [Panorama, 7. 8. 2011]. Veç kësaj, gratë kishin peshën e vuajtjeve më të mëdha, sepse për çdo burrë që ishte në burg, “barra” më e madhe e familjes binte mbi gruan. Ndërsa në rininë e saj ëndërronte për “parajsën e jetës” dhe përvojën e dashurisë, befas i shndërrohej në një skëterrë të mbushur plot mistere dhe tmerre të pafundme e të pabesueshme.
Në librin “Mëkatarët” paraqiten madje raste nga më absurdet, kur një deputet fut vëllain e tij në burg për t’i marrë gruan, kur gruaja fut burrin në burg për “operativin” etj. Rreth viteve ’60-të, në një fshat të Dibrës, punëtori i Sigurimit i vuri syrin një vajze të fshatit që ishte e fejuar me një fshatar. Operativi i krijoi një akuzë false të fejuarit të vajzës, të cilin shumë shpejt e arrestuan. Ndërkohë që ai vuante burgun në kampin e Rubikut, vajza ra në duar të punonjësit të shtetit. Kur i shoqi mësoi të vërtetën, për habinë e të gjithëve, e humbi kontrollin, mbuloi kokën me një batanije dhe i nxori të dy sytë. E shtruan në spital, por asgjë nuk mund t’ia kthente shikimin, e me gjithë këtë, e rikthyen në burg [Panorama, 7. 8. 2011].
Prej atyre mijëra absurditeteve tragjike ishte edhe rasti i inxhinierit Agron Canaj, kur fillimisht i vendosur refuzoi kërkesën e Sigurimit për “bashkëpunim” në vitin 1974, por kur e ftuan pas dy muajsh në zyrën e hetuesit dhe u gjend para një skene të llahtarshme të dhunimit të së shoqes Lumturies dhe vajzës Iridës nga dy hetuesit, qe i detyruar të pranojë kompromisin me djallin e të padisë veten dhe shokët për biseda të lira. Nga shokët që paditi, njëri u ekzekutua, tjetri vuajti 12 vjet burg, kurse vetë Agroni dhjetë. Pas burgut mësoi fatin e familjes nga nëna e vetme të cilën e gjeti të gjallë dhe një letër lamtumire dhe të historisë së hidhur që i kishte lënë e shoqja që ishte vetëhelmuar. Nata e “Sigurimit” nuk kishte përfunduar me kaq. Ato ishin bërë pre e akteve shtazarake të atyre dy banditëve. Kur u kthyen në shtëpi, Irida ishte çmendur dhe u detyrua të shtrohet në spitalin psikiatrik, ku i dha fund jetës së saj të njomë. Pas pak kohe Lumturia vuri re se në barkun e saj po rritej fëmija i atij krimineli dhe prandaj ishte detyruar të marrë vendimin e vetëvrasjes. Kështu vdekja posedonte vlera më të mëdha se jeta, sepse “të shpëtonte” nga vuajtjet e vazhdueshme.
Gjatë kësaj periudhe në dhomën e gjykatës lejoheshin vetëm komunistët dhe simpatizantët e tyre, të cilët vazhdimisht britnin “vareni”! Mikrofonat në sallën e gjyqit ishin të lidhur me radiostacione, nga ku e dëgjonin të gjithë njerëzit. Mjaftonte të gjendeshe në karrikën e të akuzuarit dhe duhej të ishe fajtor: “Partia nuk gabonte”.
Ali Selenicën, avokat në mbrojtjen e një të akuzuari për krim e agjitacion, prokurori Nevzat Haznedari e sulmoi me një gjuhë të ndyrë dhe e akuzoi që po mbronte “armikun e popullit”, sepse ai ishte fashist. Aliu i tha se i vetmi fashist në gjykatë ishte prokurori Nevzat. Prokurori e ndërpreu seancën për një orë dhe në këtë kohë avokat Aliu u gjend në pranga në qelinë e Korçës. Pas tre muaj torturash që ia bëri vetë prokurori Nevzat, Aliu u dënua me burg të përjetshëm si “armik i popullit”. Dy bijtë e tij provuan të ikin, por i vranë duke kaluar kufirin. Aliu vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1963 [Moorey:2015, ff. 89-91].
Në vitin 1985 në një popullatë tremilionëshe, 32.000 njerëz ishin në burg. Raporti i OKB-së më 1955 thoshte se ndërmjet viteve 1945 dhe 1954, 80.000 burra, gra e fëmijë (mbi 12 vjeç) ose 6.2% e popullatës kishte kaluar një kohë në burgjet politike, 16.000 prej tyre u zhdukën [Charleston 2015, f. 81]. Është parashikuar se deri në rënien e komunizmit, 1/3 e qytetarëve kanë qenë të arrestuar nga oficerët e Sigurimit [Moorey:2015, f. 35]. Disa të burgosur zgjodhën rrugën më të lehtë të shpëtimit, vrapuan drejt gardhit me tela që t’i qëllonin rojet. Edhe familjet e tyre u torturuan, u internuan dhe u pushuan nga puna. Shumë nga ata që nuk u persekutuan, u detyruan të bashkëpunonin, u kërcënuan me përdhunimin e fëmijëve ose arrestimin e vetë atyre.
Ka kohë që rastësisht kam lexuar një rrëfim në lidhje me dy “shokë të ngushtë” në kohën e bllokut komunist. Njëri prej tyre kishte qenë ‘hije e tjetrit’, një spiun me damkë, i cili të gjitha informatat kundrejt “shokut të zemrës” i kishte dërguar në Sigurimin e Shërbimeve Sekrete, si shkak i së cilës u burgos deri në torturim. Pas gjithë atyre mundimeve, para se të vdiste, e kishte lënë amanet ta varrosnin pranë “shokut”, i cili kishte ndërruar jetë më parë. Mirëpo kur u hapën dosjet e krimit, djali i tij zbuloi se kishte qenë pikërisht ky “shok i zemrës” zagari dhe spiuni i tij. Pas 50 vitesh e ndjeu veten të obliguar t’i nxjerrë eshtrat e babait dhe t’i rivarrosë në një vend tjetër larg “shokut të zemrës”!
Ky rrëfim i dedikohet një rasti në Hungari, por të tilla raste nuk do të mungonin as në Shqipëri e Kosovë po të hapeshin dosjet, sepse është tashmë botërisht e njohur se përgjatë një shekulli ka patur spiunë e zagarë shqipfolës, të cilët kanë bërë argatin e ‘kasapit’ që ka vrarë e ka prerë prapa kurrizit në të dy anët e kufirit! Mjafton të shikohet dokumentari “Varret pa emër” për të mësuar një pjesë të historisë së zhdukjes së mijëra shqiptarëve gjatë regjimit komunist, nëpërmjet dëshmive të familjarëve dhe dokumenteve arkivore, një realitet i hidhur për të gjithë, veçanërisht për ata që i kanë përjetuar me dhimbje.
Cilët ishin këta spiunë? Ishin njerëz vullnetarë që spiunonin edhe njerëzit e tyre për inate personale. Njerëz që pranonin “ofertat” e spiunimit, të kërcënuar me pushkatime, burgosje apo internime. Njerëz të joshur për punësim ose privilegje. Njerëz mediokër që synonin të bëheshin dikushi. Nxënësit që kishin nevojën e partisë për privilegje në shkollim. Njerëz nga radhët e artit e letërsisë, nga ata që më të mëdha i kishin ambiciet sesa aftësitë. Ushtarakë në këmbim të lehtësimit të kryerjes së shërbimit ushtarak dhe lejeve të shpeshta për të vizituar familjet. Njerëz mediokër në profesion, servilë e dembelë, të cilët me paaftesinë e tyre i shkaktonin dëme financiare dhe ekonomike institucioneve ku shërbenin. Në bazë të detyrave dhe shërbimeve, shpërblimi i këtyre spiunëve, veç privilegjeve, ishte nga 80 deri në 220 lekë të reja në muaj [Dielli, 13. 08. 2022]. Këta duhej të ishin “informatorët” kundër sabotimit të luftës dhe të pushtetit, kundër tradhtisë ndaj atdheut, kundër spiunazhit, kundër organizimit dhe pjesëmarrjes në bandat e armatosura, kundër diversionit, kundër agjitacionit dhe propagandës, kundër pushtetit popullor, kundër propagandës së luftës dhe pjesëmarrjes në një organizatë kundër pushtetit popullor, etj. (vijon)
