Bashkekzistenca par exellence trikonfesionale ndër shqiptarët, e verifikuar ndër shekuj, me një tolerancë dhe dialog shembullor, është shtyllë e qytetërimit shqiptar. Multikonfesionaliteti është një proces i përfunduar historik, prandaj shqiptarët evropianë nuk kanë drojë se mund të ballafaqohen me “thyerje” të reja dhe “konvertime” fetare. Fundja, për shqiptarët trikonfesionaliteti paraqet një begati të trashëgimisë shpirtërore dhe mendore
Qani Osmani
Ndjenja fetare është instinkt i natyrshëm i njeriut dhe ai u shfaq që nga kohët më të lashta. Ernest Renana në librin e tij “Historia e feve”, thotë: “ Mund të ndodhë të pakësohet çdo gjë që ne dëshirojmë, të dobësohet mendja, të stagnojë shkenca dhe të menduarit, të zvogëlohet entuziazmi i njeriut për përdorimin e lirive të njeriut. Mirëpo është e pamundur të përfytyrojmë mënjanimin e fesë në shoqëri apo pezullimin e dukurisë së bindjes fetare. Këtë më së miri e vërtetoi dështimi i materializmit që nuk pati sukses të bindë shoqërinë me teoritë dhe konceptet e tij, sepse njeriu me instinktin e tij të natyrshëm orvatet të ngrihet mbi botën e materies, të plotësojë nevojat e tij shpirtërore dhe intuitive. Besimi i sjell njeriut qetësinë, i zvogëlon streset, tenton ta pajtojë me realitetin, sado i hidhur qoftë ai, i ushqen shpresën për diçka më të mirë, e largon nga hakmarrja, i forcon mbi të gjitha ndjenjën e drejtësisë, duke goditur egoizmin, burimin e të gjitha të këqijave sociale”.
Hulumtimet dhe studimet e fesë tek ne shqiptarët janë ende në shkallën fillestare. Aty-këtu kemi ndonjë vlerësim më tepër në nivel intuitiv, sipas njohurive të pakta dhe sipërfaqësore, shpeshherë edhe të ngarkuara me përcaktime e vlerësime ideologjike, politike e fetare, pa ndonjë shqyrtim ndërdisiplinor dhe shkencor. Kjo edhe sot e vështirëson vlerësimin fetar të popullit shqiptar, në këtë gjendje të ndërlikuar politike, ekonomike, sociale, kulturore e fetare. Vlen të theksohet se ndër shqiptarët deri më tash bartëset e vetmë të jetës fetare janë bashkësitë fetare, qofshin ato islame apo të krishtera, kurse institucionet e tjera kombëtare deri tani nuk kanë treguar ndonjë interesim të veçantë ndaj fesë dhe avancimit të saj. Për këtë arsye, vetiu shtrohet pyetja: Çfarë roli e rëndësie ka pasur dhe duhet të ketë feja te populli shqiptar? Kjo do shikuar nga shumë këndvështrime, në radhë të parë nga ai historik, sociologjik, psikologjik, kulturor dhe moral.
