Ideja e Serbisësë Madhe si njësëmundje epidemike

Më 7 nëntor 1913 Austria dhe Italia u kërkuan serbëve që t‘i evakuonin tokat shqiptare të pushtuara, kështu që ata, pa dëshirë, u tërhoqën në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Disa muaj më vonë, më 28 qershor 1914, një nacionalist serb e shfryu zhgënjimin e tij të thellë duke vrarë princin austriak, Franc Jozefin, në Sarajevë. Kështu, falë ngathtësisë së Evropës në trajtimin e çështjes shqiptare, fuçia e barutit në Ballkan shpërtheu në një Luftë Botërore

Nikë Gashaj

Masakrat ndaj popullsisë civile në Shqipëri (1913)
Në maj 1913 Fuqitë e Mëdha u kërkuan trupave serbe e malazeze të tërhiqeshin nga Shqipëria Qendrore dhe Veriore, të pushtuara prej tyre. Serbia, nga zemërimi që po humbte portet e Shkodrës dhe të Durrësit, la pas një vazhdë shkatërrimesh gjatë tërheqjes së trupave të saj. Ashtu që në shtator 1913 shpërtheu një valë e re mizorish. Më 20 shtator ushtria serbe mori me vete të gjithë gjedhët e Malësisë së Dibrës. Barinjtë u munduan të mbroheshin dhe luftuan, por u vranë të gjithë.
Serbët vranë gjithashtu dy prijës të fisit të Lumës – Mehmet Ademin e Xhafer Elezin, dhe nisën t‘i plaçkitnin e t’i digjnin të gjitha (dhjetë) fshatrat që hasnin gjatë rrugës. Në të gjitha këto fshatra serbët kryen akte masakrash të tmerrshme dhe dhunime grash, fëmijësh e pleqsh… Duke hyrë në fshatin e Porçasit, ushtria serbe i nxori të gjithë burrat jashtë fshatit dhe pastaj dërgoi atje gratë që t’u merrnin para si shpërblim për lirimin e tyre; burrat e gjorë i kishin mbyllur në xhami, të cilën e hodhën në erë me katër predha.
Në fshatin e Sulpit, 73 shqiptarë pësuan një vdekje të tmerrshme, kurse 57 të tjerë nga fshati Çolopek u vranë në mënyrë të shëmtuar. Prefekti i Krushevës i kërkoi ushtrisë serbe haptas që t’i digjnin të gjitha fshatrat që ndodheshin midis Krushevës dhe Ohrit.
Në një letër të një ushtari serb, që u botua më 22 tetor të atij viti, thuhet: “Nuk kam kohë t’ju shkruaj gjatë, por do t’ju tregoj për gjërat e tmerrshme që po ndodhin këtej. Jam tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten se si mund të bëhet njeriu kaq barbar, sa të kryejë mizori të tilla. Është e tmerrshme. Nuk ma mban të them më shumë, por mund t’ju them se Luma (një fshat shqiptar anës lumit me të njëjtin emër), nuk ekziston më. Nuk kanë mbetur veçse kufoma, pluhur e hi. Ka fshatra me 100, 150 dhe 200 shtëpi, ku nuk gjendet më këmbë njeriu. Njerëzit i mbledhim në tufa me nga dyzet a pesëdhjetë vetë dhe pastaj i shpojmë me bajoneta deri tek i fundit (Edwin Jacques: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët sotme, Carolina, USA, 1995, f. 379).
Bie erë plaçkitje gjithandej. Oficerët u thanë ushtarëve që të shkonin në Prizren e të shisnin gjënë e vjedhur. Gazeta që botoi këtë letër shtonte: “Miku ynë na tregon për gjëra më të frikshme se këto(!), mirëpo ato janë aq të tmerrshme dhe sfilitëse, saqë preferojmë të mos i botojmë”.
Atë tetor, një ushtri serbe prej 60.000 vetësh shkretoi krahinat e Dibrës, Strugës, liqenit të Ohrit dhe Gollobordës në Shqipërinë Qendrore, si edhe Gashin, Krasniqen e Valbonën në veri.
B. Peel Uillet, një agjent i ndihmës amerikane, shkroi një raport rreth vëzhgimeve të tij.
Në Shqipërinë Veriore trupat serbe shkatërruan njëqind fshatra pa paralajmërim, pa asnjë provokim dhe pa kurrfarë arsyeje… 12.000 shtëpi u dogjën e u hodhën në erë, 8.000 bujq u vranë ose u dogjën të gjallë, 125.000 mbetën të pastrehë. Të gjithë bagëtinë e rrëmbyen. Kështu bënë edhe me drithërat e sapokorrura. Bujqit, si kafshë të përndjekura, merrnin arratinë për në Elbasan, Tiranë, Shkodër e fshatra të largët. Tani sa jam kthyer nga një udhëtim, përmes këtyre zonave të goditura. Pashë fshatra të rrënuara dhe shtëpi të djegura ose të hedhura në erë. Pashë refugjatë të uritur. Pashë gra e fëmijë që vdisnin nga uria.
Komisioni Karnegi i përmblodhi vëzhgimet e tij si më poshtë:
Trupat e rregullta serbe nuk lanë gjë pa bërë, që nga dita e parë kur pushtuan Shqipërinë, me qëllim që t’i detyronin banorët të linin kombësinë e tyre ose të shtypnin me egërsi racën shqiptare. Shtëpi e fshatra të tëra u bënë shkrumb e hi, popullsia e pafajshme dhe e paarmatosur u masakrua në masë, u kryen akte të shëmtuara dhune, plaçkitje dhe mizorie – të tilla ishin mjetet që përdorën dhe vazhdojnë të përdorin ushtarët serbë, me qëllim që të transformojnë rrënjësisht karakterin etnik të rajoneve të banuara dikur vetëm nga shqiptarë.
Kjo luftë shfarosëse e serbëve përgjatë kufirit verior të Shqipërisë u përshkrua edhe nga Edit Durham, bamirësja britanike që kaloi vite të shumta midis fiseve të malësisë.
Një shqiptar, të cilit i ra rruga nga Podgorica, deklaroi se në Vilajetin e Kosovës, në shumë vende toka ishte mbuluar me trupat e grave e të fëmijve dhe se kishte parë një gjymtyrë që ende përpëlitej mbi tokë.
Një oficer serb ishte mburrur gjithë gëzim: “Fisin e Lumës e shfarosëm”. Pastaj ai përshkroi masakrën e paparë të burrave, grave e fëmijëve, si edhe djegien e fshatrave. Oficerët serbë kishin rënë në ujdi që “kur vendi të bëhet sërish i yni, nuk do të ketë më asnjë këmbë myslimani”.
Mirëpo, më 7 nëntor 1913 Austria dhe Italia u kërkuan serbëve që të evakuonin tokat shqiptare të pushtuara, kështu që ata, pa dëshirë, u tërhoqën në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Disa muaj më vonë, më 28 qershor 1914, një nacionalist serb e shfryu zhgënjimin e tij të thellë duke vrarë princin austriak, Franc Jozefin, në Sarajevë. Kështu, falë ngathtësisë së Evropës në trajtimin e çështjes shqiptare, fuçia e barutit në Ballkan shpërtheu në një Luftë Botërore.

Viktimat e luftës në Kosovë 1998-1999
Regjimi shtetëror politik i Serbisë, respektivisht i RFJ-së, nuk ka pasur aftësi, as forcë që me matricën e paqes të zgjidhi konfliktet e brendshme dhe përçarjet, në veçanti ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Forcat ushtarake-policore dhe formacionet paraushtarake të Serbisë/RFJ-së, gjatë luftës në Kosovë 1998-1999 kanë bërë krime të mëdha. Ato kanë bërë vrasje masive, masakra, shfarosje dhe persekutime të popullsisë shqiptare nga Kosova me qëllim të spastrimit etnik. Për atë dëshmojnë dhe të dhënat vijuese: rreth 12 000 pjesëtarë të nacionalitetit shqiptar janë vrarë, masakruar dhe përndjekur. Nga ai numër janë 1741 gra dhe 1396 fëmijë. Në Kosovë ka 660 varreza masive nga ajo luftë. Gjithashtu janë përdhunuar rreth 20.000 gra. Më tutje, janë persekutuar më shumë se një milion shqiptarë nga Kosova.
Përveç vrasjeve, masakrave dhe përndjekjeve të qytetarëve nga shtëpitë e tyre, janë shkatërruar një numër i madh i objekteve për banim, si dhe objektet fetare, arsimore, kulturore dhe ekonomike (Burimet: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Tubimi i shqyrtimit të viktimave në luftë në Kosovë 1998-1999, e mbajtur në Prishtinë, më 24.02.2017, si dhe të dhënat statistikore nga UNHCR).

Përfundim
Serbizmi i madh është i gjallë, madje dhe në ato momente kur duket se nuk ka kurrfarë shansi për të mbijetuar, e jo më për t‘u zbatuar. Sot jemi dëshmitarë se funksionarët e lartë të shtetit të Serbisë dhe ata të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë parashtrojnë idenë dhe projektin e tyre politik “Bota Serbe” apo “Serbia e Madhe”, duke përfshirë aty dhe Kosovën, të cilën strukturat nacionaliste serbe e quajnë si pjesë të Serbisë. Një ideologji dhe projekt të tillë politik të Serbisë së Madhe e përkrahin dhe partitë politike proserbe dhe proruse në Mal të Zi.
Idetë e tilla të “Botës Serbe” nuk kanë të bëjnë me një politikë reale, por mitologjike, për çka nuk ka shërim. Për ithtarë të tillë pushtimi i tokave të huaja është detyrë e shenjtë dhe njëherit është arsyeja e vetekzistencës së tyre.
Ideja e Serbisë së Madhe, sikurse një sëmundje epidemike ekziston dhe mbijeton tashmë disa shekuj dhe gjithmonë shfaqet në kohën kur për atë arrihen kushtet e volitshme. Ajo mund të kapërcejë dhe gjenerata, periudha të tëra, por kurrë në të vërtetë nuk shuhet apo vdes.
Një konkluzë të tillë më së miri e ka vërtetuar dhe historiania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, e cila ndër të tjerat ka thënë: “Serbia është e lodhur nga luftërat për pushtimin e territoreve të huaja. Brenda 125 vjetësh, ajo ka luftuar çdo 14 vjet… Sot, kur një orientim i tillë do të duhej të përfundojë dhe kur një model i tillë politik do të duhej të jetë i zbrazur, bëhet e qartë se është e nevojshme të ndryshojë ai që quhet mentalitet. Mirëpo, parashtrohet pyetja: a mund të ndryshojë fare mentaliteti serb? Unë e pranoj se vetë po përballem gjithnjë e më tepër me këtë pyetje, por akoma nuk kam përgjegje?!“

Të fundit

më të lexuarat