
Kohët e fundit po flitet shumë për monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Ulqin, qytet historik me një të kaluar të pasur. Ky qytet ilir është themeluar tri mijë vjet më parë dhe për këtë ka një histori të shkëlqyeshme. Kombi shqiptar është kryelart për të kaluarën e këtij qyteti antik parakristian.
Kohë më parë ka filluar fushata për ngritjen e një përmendoreje të heroit tonë kombëtar. Projekti fitues, që është bërë publik në rrjetet sociale, është i shëmtuar dhe i papranueshëm për botën shqiptare dhe atë ndërkombëtare. Ai vizatim nuk është aspak dinjitoz për këtë qytet të famshëm iliro-arbëror. Ai vizatim nuk përfaqëson asnjë karakteristikë të Skënderbeut. Kryqtar i fundit i Evropës, siç e cilëson historiani Virgjil Kule, meriton më shumë se atë projekt qesharak, i cili në përmbajtjen e tij nuk ka asnjë element historik, kulturor ose artistik.
Historianët shqiptarë dhe të huaj thonë se Ulqini ishte porti i dytë më i rëndësishëm për udhëtimet e tij në qytetet e Mesdheut. Siç tregojnë historianët, ai nisej nga porti i Durrësit drejt Ulqinit e deri në Raguza (Dubrovnik), duke vazhduar udhën detare për Napoli, Romë e Venedik. Biografët e tij thonë se Kastrioti qëndronte më shumë në Ulqin se kudo tjetër për gëzime familjare. Kalaja e Ulqinit e bënte të ndjehej mirë në këtë qytet historik dhe turistik. Skënderbeu e nderonte edhe më shumë për faktin se banorët e këtij qyteti të lashtë ishin iliro-arbërorë.
Njerëz me pikëpamje liberale kanë ide të mbrapshta për personalitete të rëndësishme të historisë. Kjo po ndodh edhe në Shtetet e Bashkuara, ku janë hequr ose mbuluar përmendoret e personave të atyre që fituan pavarësinë e këtij vendi. Për amerikanët seriozë, kjo do të thotë shkatërrim i historisë kombëtare. Kryeqyteti amerikan Uashingtoni ishte shumë tërheqës për turistët vendas dhe të huaj për faktin se atje ishin vendosur përmendore historike, siç ishte për shembull Thomas Jeffersoni, Wilsoni, Theodor Roosevelti e shumë të tjerë.
Nëse ndodh kjo, do të ishte si një lojë qesharake fëmijësh. Në qoftë se ndodh një gjë e tillë, përgjegjësinë kryesore për këtë do ta mbajë kryetari i kësaj komune, Genci Nimanbegu, mbiemri i të cilit tingëllon shumë afër atij të Skënderbeut. Gjatë një takimi në Nju Jork, ia kam thënë këtë në formë komplimenti. Ky personalitet i shquar politik deri sot ka bërë vepra shumë të mira dhe kombëtare për shqiptarët në Malin e Zi dhe për këtë është shumë i nderuar në diasporë. S’ka asnjë dyshim se ata që ia kanë dhënë emrin Genc, kanë qenë atdhetarë të vërtetë.
Nga vjen ky deformim i këtij titaniku të historisë evropiane? Kush janë ata “skulptorë” që e bënë atë skicë? Pse nuk i kishin parasysh monumentet e Skënderbeut në Krujë, Tiranë, Shkup, Prishtinë, Malësi, Romë dhe Nju Jork e Miçigan?
Të gjitha këto janë bërë nga skulptorë të njohur, duke filluar nga Odhise Paskali dhe disa të tjerë. Nëse Skënderbeu qëndron mbi kalë me shpatë në dorë në Romë, pse të mos qëndrojë i tillë në qytetin legjendar të Arbërisë?! Nëse kjo ndodh për të kursyer fonde, është edhe më keq, ngase bota shqiptare në përgjithësi dhe diaspora në veçanti janë gati të financojnë një përmendore ashtu siç janë ngritur në qytetet e lartpërmendura. Në bisedë e sipër me disa kryetarë shoqatash shqiptaro-amerikane, të gjithë ishin për një monument siç është bie fjala në Krujë ose në Nju Jork. Atje afër kalasë, përballë detit, do të qëndronte mbi kalë dhe me shpatë në dorë do të qëndronte kryelart heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
