
Kur mendojmë për holokaustin, e para gjë që na vjen ndër mend janë kampet e përqendrimit, dhomat e gazit dhe oxhakët që nxirrnin tymin e zi të furrave ku nazistët i digjnin hebrenjtë. Ndaj shpesh holokaustin e identifikojmë pikërisht me këto elemente.
Kështu shpesh harrojmë që tymi që nxirrnin oxhaqet e zeza të nazizmit ishte produkti final i një procesi të gjatë të dehumanizimit, demonizimit dhe diskriminimit të hebrenjve brenda shoqërisë gjermane dhe asaj evropiane në përgjithësi.
Kampet naziste të përqendrimit, dhomat e gazit dhe vrasja e djegia masive e hebrenjve ishte fundi i një procesi që kish filluar kohë më parë me propagandën anti-semite, me reduktimin e hebrenjve në qyetarë të dorës së dytë, me natën e kristaltë (Kristallnacht), ku vandalët nazistë dhunuan dyqanet dhe pronat e hebrenjve, dhe me getot ku nazistët i mblodhën hebrenjtë për t’i vdekur urie.
E njëjta gjë po ndodh sot me palestinezët në Gaza. Gjenocidi i popullsisë palestineze, vrasja në masë e grave, fëmijëve, të moshuarve dhe të rinjve është akti final i një procesi të gjatë diskriminimi, dehumanizmi dhe demonizimi të popullsisë palestineze. Në këtë proces paralelet me holokaustin e hebrenjve janë rrënqethëse.
Që para fillimit të gjenocidit izraelit, Gaza ishte kthyer në një geto ose kamp të madh përqendrimi, e rrethuar nga ushtria izraelite, tejet e ngjashme me getot ku nazistët grumbullonin dhe vdisnin urie hebrenjtë.
Kjo ngjashmëri është akoma më tragjike sot kur Netanjahu dhe qeveria e tij e ekstremit të djathtë ka vendosur t’i vdesë urie palestinezët. Trupat e tharë të fëmijëve palestinezë sot na kujtojnë kufomat e gjalla të hebrenjve dje në kampet e përqendrimit nazist.
Ndërkohë dhuna, vjedhja dhe vanadalizmi që kolonët izraelitë prej dekadash ushtrojnë ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre janë të ngjashme me natën e kristaltë kur rrugeçërit nazistë vodhën dhe dhunuan pronat e hebrenjve në Berlin. Sot në Bregun Perëndimor kolonët izraelitë sulmojnë, rrahin, dhunojnë dhe vrasin palestinezë të pafajshëm, të cilëve më pas ua vjedhin pronat, ullishtat dhe tokat.
Është një fenomen që ndodh prej dekadash dhe që është produkt i propagandës dhe politikave raciste të qeverisë izraelite, e cila prej dekadash i ka reduktuar palestinezët dhe arabët në qytetarë të dorës së dytë e të tretë. Izraeli është sot një shoqëri ku aparteidi mes izraelitëve dhe palestinezëve është më i thellë dhe më i egër se në Afrikën e Jugut dje.
Ideja se arabët dhe palestinezët janë kafshë, janë terroristë, janë njerëz primitivë, barbarë dhe të pacivilizuar është ngjizur prek kohësh nga propaganda izraelite dhe u shpreh haptas nga vetë qeveria Netanjahu pas sulmeve terroriste të Hamasit, më 7 tetor. Është kjo ide që justifikon shfarosjen në masë të palestinezëve, të cilët qeveria e Netanjahut i konsideron si një murtajë që duhet eliminuar përfundimisht.
Dhe këtu vijmë te ngjashmëria më themelore dhe tronditëse mes holokaustit të hebrenjve dhe holokaustit palestinez; ideja e zgjidhjes finale. Është e rëndësishme të kujtojmë se Holokausti i hebrenjve përbënte për nazistët dhe Hitlerin zgjidhjen finale të “problemit hebre”. Pasi i reduktoi në qytetarë të dorës së dytë, pasi ua hoqi të gjitha pronat, pasi i përqendroi në geto dhe në kampe përqendrimi, Hitleri vendosi që e vetmja zgjidhje finale ishte eliminimi fizik i hebrenjve, vrasja dhe djegia e tyre në masë.
Ajo që po zhvillon Netanjahu sot në Gaza është zgjidhja finale e problemit palestinez sipas idologjisë së ekstremit të djathtë izraelit. Pasi u morën tokat, shtëpitë dhe ullishtat, pasi i reduktuan në qytetarë të dorës së tretë, pasi i përqendruan në geto si Gaza, tashmë ideologët e fashizmit izraelit kanë vendosur t’i eliminojnë fizikisht palestinezët.
Rrafshimi dhe bombardimi pa karar dhe pa kriter i Gazës, ndërprerja e furnizmit me ujë, drita dhe ushqime, shkatërrimi i spitaleve dhe shkollave, vrasja e gazetarëve, mos-lejimi i asnjë gazetari apo medieje të pavarur në Gaza, janë të gjitha indicie të qarta se qeveria e Netanjahut synon rrafshimin e Gazës bashkë me të gjithë banorët e saj palestinezë.
Sot qeveria izraelite ka vendosur t’i vrasë dhe t’i vdesë urie palestinezët në mënyrë kolektive, ndaj nuk lejon asnjë organizatë humanitare të dërgojë ushqime atje. Madje edhe ata pak aktivistë që guxojnë të shprehin humanizmin dhe mbështetjen e tyre ndaj palestinezëve arrestohen dhe keqtrajtohen si të ishin kriminelë.
Tashmë është e qartë se lufta ndaj Hamasit nuk ishte veçse një justifikim për qeverinë e Netanjahut që të fillonte realizimin e Zgjidhjes Finale të çështjes palestineze. Nuk është rastësi që Hamasi u forcua dhe u ndërtua si organizatë me mbështetjen direkte të vetë Netanjahut dhe të djathtës ekstreme izraelite.
Qeveria e Netanjahut e forcoi Hamasin duke i lejuar financimin nga jashtë për të hequr qafe dhe dobësuar Autoritetin Palestinez, një oragnizatë më e moderuar dhe e pranuar ndërkombëtarisht. Netanjahu e kishte të qartë se për sa kohë palestinezët përfaqësoheshin nga Hamasi, një organizatë e cilësuar si terroriste nga shumë vende perëndimore, ata kurrë nuk do arrinin të krijonin shtetin e tyre të pavarur.
Ndaj identifikimi i palestinezëve me terrorizmin, kanalizimi i protestave të tyre legjitime vetëm në akte terroriste, ishte politika kryesore e qeverisë Netanjahu, që më pas prodhoi sulmet barbare të 7 tetorit kundër Izraelit. E thënë ndryshe, qeveritë izraelite nuk i kane lënë asnjë mundësi proteste paqësore palestinezëve përveç terrorizmit.
Sa herë palestinezët kanë protestuar në mënyrë paqësore, apo kanë tentuar të krijojnë lëvizje të tipit gandist, ata janë vrarë, burgosur dhe masakruar nga autoritetet izraelite. Këto të fundit kurrë nuk kanë qenë të interesuara të negociojnë me, apo të mbështesin, krahun e moderuar të lëvizjes palestineze.
Përkundrazi, ata kanë financuar dhe mbështetur organizata si Hamasi, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të identifikonin palestinezët me terrorizmin, me dhunën, me primitivizmin dhe barbarizmin e kështu t’i fshinin nga faqja e dheut si të ishin një murtajë.
Të gjithë ata që me zell denoncojnë terrorizmin palestinez duhet të kuptojnë mirë që ky terrorizëm është produkt direkt i terrorizmit shtetëror izraelit kundër palestinezëve. Ky i fundit është një terrorizëm i mirëfinancuar, me një makinë propagandistike impresionuese, me një ideologji raciste që fshihet pas idesë së “përplasjes së qytetërimeve”, me një lob izraelit (AIPAC) që kontrollon politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme dhe me një ushtri tejet të sofistikuar që shfaros popullsinë civile palestineze.
Ndaj është e rëndësishme të kutpojmë sot se kërcënimi më i madh për paqen në Lindjen e Mesme nuk është as Irani, as Siria, as Libani, as Jemeni dhe as Iraku, por Izraeli që ka hapur luftë me të gjitha këto shtete. Izraeli sot i ngjanë shumë Serbisë dje dhe Gjermanisë naziste pardje, shtete që ishin në luftë me të gjithë fqinjët e tyre.
Dhe nuk është një luftë mbrojtëse, siç pretendon Netanjahu, por një luftë ekspansioniste për të zgjeruar kufijtë e Izraelit dhe për të dobësuar dhe destabilizuar fqinjët. Qoftë në Gaza, qoftë në Bregun Perëndimor, qoftë në Siri (Lartësitë e Golanit), qoftë në Liban, Izraeli synon zgjerimin e kufijve të tij territorialë për të krijuar Izraelin e Madh.
Bëhet fjalë për doktrinën e lebenstraum (hapësira jetike) që është artikuluar haptas në një nga mediat e rëndësishme të izraelit The Times of Izrael (https://www.newsweek.com/israel-needs-lebensraum-says-blog-major-national-newspaper-1996635). Sipas kësaj doktrine, Izraeli ka nevojë për një hapësirë më të madhe gjeografike për të akomoduar dhe shtuar popullatën e tij. Nuk është çudi që Izraeli nuk ka kufij të përcaktuar as me Sirinë, as me Libanin dhe as me territoret palestineze, ku synon të zgjerojë kufijtë e tij.
Në këtë pikë lexuesi nuk besoj se do habitet nëse i kujtoj se doktrina e lebenstraum, pra doktrina e hapësirës jetike, u formulua nga Gjermania Naziste nën udhëheqjen e Hitlerit. Ishte doktrina që justifikoi zgjerimin e Gjermanisë drejt lindjes ku jetonin “racat inferiore” sllave, polakët, çekët, ukrainasit dhe rusët. Këto duheshin shfarosur ose skallavëruar për t’i hapur rrugën racës “superiore” gjermane.
Është trishtim i madh që sot Izraeli është flamurtar i kësaj doktrine dhe i racizmit të saj që justifikon shfarosjen e palestinezëve “inferiorë” dhe “barbarë” për të krijuar hapësirë jetike për izraelitët “superiorë” dhe “të civilizuar”, qeveria dhe ushtria e të cilëve vret, përdhunon dhe vdes urie gra e fëmijë të pafajshëm.
(Lapsi.al)
