Heroizmi i tij u nderua me shumë dhimbje

Gazeta “The Wall Street Journal” shkruante dy vjet më parë se në Washington D.C do të ndërtohet një memorial ku do të gdhenden emrat e të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për shpëtimin e të tjerëve. Në këtë monument do të gdhendet me germa të arta edhe emri i Kristjan Lekës

Për Koha Javore: Gjek Gjonlekaj New York

Dy vjet më parë më 31 tetor, natën e Halloween, humbi jetën tragjikisht në moshën 25-vjeçare shqiptaro-amerikani Kristjan Leka. Në muzgun e asaj nate tragjike, Kristjan Leka kishte vajtur për të shoqëruar motrën Fionën 10-vjeçare dhe të dashurën Gretën. Kishin shkuar në Morris Park Avenue, ku organizimet e këtij festimi ishin më të përgatitura. Natyrisht se motra dhe e dashura e tij ishin përgatitur për aktivitetet e këtij festimi shumë të njohur në shoqërinë amerikane. Nata e Halloween është festë pagane shumë e vjetër, bile keltët qysh në kohët antike kishin filluar të parët të kremtojnë këtë natë që për qytetërimin e sotëm mund quhen ndonjëherë qesharake. Në malësitë tona shqiptare “dita e halloween” quhej “dita e koreve”. Ato karnevale ishin shumë të ngjashme me ditën e halloween të Amerikës. Atje nuk jepte kush dhurata siç bëjnë në Amerikë. Në ato lojëra nuk kishte shtriga, por në vend të tyre kishte burra të veshur për hukubet, bile disa nga ata dukeshin si majmunë. Lojërat e tyre shumë herë ishin qesharake por disa herë edhe banale. Këtu në Amerikë këto ceremoni pagane shumë herë janë shoqëruar me incidente e tragjedi. Kështu ndodhi edhe me Kristjan Lekën. Ata ishin përgatitur për çaste të gëzuara por sa filluan aktivitetet e atij argëtimi një veturë që kishte humbur kontrollin total, kishte dalur nga rruga dhe ishte përplasur në anën tjetër në trotuar ku po kalonin Kristjani, Fiona e vogël dhe Greta. Pas pak sekondash kjo rrufe do të shpërthente në tragjedi. Ndjenjat e tij superhumane e çuan Kristjanin drejt e fill në vdekje, duke shpëtuar kështu motrën e të dashurën. Ungjilli i Ri thotë se nuk ka vepër më të madhe se të japësh jetën për të shpëtuar dikë tjetër. Fundi i jetës së Kristjanit ishte shumë i ngjashëm me fundin e jetës së Shëlbuesit, emrin e të cilit e mbante me shume krenari. Fionën dhe Gretën i largoi nga vdekja, por ai vetë u godit nga ajo veturë si të kishte qenë shkëmbe meteori. Kristjani e pa vdekjen e tij me sy por nuk iu shmang vetëm për të shpëtuar motrën dhe të dashurën. Shoferi vuante nga epilepsia dhe nuk kishte marrë ilaçe ato ditë. Pasi kishte goditur Kristjanin, vetura u vërsul kundër 65-vjecarit Louis Perez dhe mbesës së tij Nyanna Aquill. Gjyshi dhe mbesa u goditën për vdekje. Edhe ata dhanë shpirt në vend. Louis Perez ishte dalluar në Luftën e Vietnamit dhe mbante titullin hero.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “789” të revistës Koha Javore

Të fundit

më të lexuarat