Hasan Llunji, i biri i Alushit, myfti dhe myderriz i qytetit, lindi në Ulqin. Ka dy data, vitet 1897 dhe 1900. U rrit dhe u formua në një familje arsimdashëse dhe përparimtare. Ne moshën 13-vjeçare kryen hafizllekun-merr thirrjen hafiz, ndërsa diploma e tij, e lëshuar në vitin 1916/17, dëshmon se ai kreu shkollën dyvjeçare kroate-shqipe të Ulqinit. Më tej dëshironte të vazhdonte shkollimin në medresenë e Sarajevës. Nga të parët e tij trashëgoj një bibliotekë të pasur me literaturë sa fetare dhe artistike me alfabet arabo-osman. Pasi kreu kualifikimet shkollore, bëri njohuri solide nga lëmi i së drejtës trashëgimore të sheriatit. Në këtë lëmë u diplomua dhe u specializua në Shkodër te Sabri Begu, atëbotë kryemyfti i Shkodrës. Gjatë shërbimit në vise të ndryshme si mësues i fesë, ofiqar, myderriz dhe myfti, ka qenë pajtues në disa revista që botoheshin në Sarajevë, në Shkup e sidomos çmonte lart revistën “Zani i naltë” që botohej në Shkodër. Nga ajo revistë informohej për të arriturat e ndryshme në fushëveprimin e tij, sidomos për veprimtarinë e shumë emrave të dëgjuar të kulturës dhe të së kaluarës sonë kombëtare.
Gjatë veprimtarisë dhe shërbimit hafiz Hasan Llunji ka shërbyer ne disa vende nga viti 1918-1944. Ka shërbyer në Ulqin, në Krajë, në Anë të Malit, në rrethinat e Tivarit dhe të Tuzit. Ai nuk ka mundur të qenrojë imun ndaj disa dukurive antikombëtare që organizonte pushteti i kohës në Mbretërinë SKS. Kështu, në pranverë të viteve 30-ta në Ulqin flitej së do te vinin disa anije turke për të marrë familjet ulqinake, të cilat nga skamja ekonomike dhe shtypja nacionale bëheshin gati për ta lëshuar Ulqinin e për të emigruar në Turqi. Ndaj një veprimi të tillë të strukturave të pushtetit që si qëllim kishin shpërnguljen e shqiptarëve nga ky qytet, me plot guxim reagoi hafiz Hasan Llunji, duke i bindur bashkëqytetarët e tij për te mos e lëshuar Ulqinin. Nga një qëndrim i tillë ai ishte në shënjestër të pushtetit dhe u detyrua për një kohë ta lëshojë Ulqinin dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, por po ashtu ka qëndruar edhe në Durrës, ku pati takime edhe me Mujo Ulqinakun.
Tokat shqiptare i bashkohen shtetit amë-Shqipërisë (1941-1944)
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore solli ndryshime edhe ne hartën politike të Ballkanit. Kështu pushtuesit e rinj italian u angazhuan për të përmirësuar gabimin e mëparshëm, duke ia bashkangjitur tokat etnike shqiptare nën Mal të Zi shtetit shqiptar te kohës nga muaji prill i vitit 1941. Një veprim i tillë ishte një befasi e për shqiptarët, sepse pushtuesit fashist sollën lirinë dhe të drejtat e mohuara nga koha e mbretërisë së Malit të Zi dhe ajo e ish-Jugosllavisë.
Ne rrethana të reja politike dhe shoqërore nga viti 1941-44 Ulqini ishte bashki dhe nënprefekturë e Shkodrës. Nënprefekt ishte Luigj Lufi, me origjinë nga Mirëdita i cili kishte të kryer Fakultetin e Historisë, ku përveç gjuhës amtare dinte edhe tre gjuhë të huaja. Truproje e tij ka qenë Rrok Shkreli. Zyrat e nënprefekturës kanë qenë afër Ranës në shtëpinë e Bidin Selitës, ku është sot pushimorja e pensionistëve. Gjatë kësaj kohe ne Ulqin për të parën herë vendoset administrata në gjuhën shqipe, hapet shkolla shqipe “Skënderbe” me arsimtarë vendas, por shumica ishin nga Shkodra ndërsa drejtori i saj ishte shkodrani Jahja Domnori. Ne qytet ka funksionuar edhe gjykata, xhandarmëria, ushtria ku të gjithë ishin shqiptarë. Komandanti i qytetit të Ulqinit ishte Gjon Zefi Ivanaj.
Nuk ka dilemë se ngritja e Flamurit Kombëtar Shqiptar me 14.6.1941 paraqet ditën dhe datën me të shenjtë për popullin shqiptar në krahinën e Ulqinit. Atë ditë u mblodhën para kishës së Shën Zefit (Mal të Bardhë) rreth 5000 qytetarë pa dallim feje e krahine.
Ja si përshkruan ketë moment historik Rrok Shkreli: ”Atë ditë ishte mbledhur popull i madh nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Shestani…. Erdhën edhe krerët e iu bashkuan popullit, dom Nikollë Tusha, Cafo Begu, dom Ivo Bellashi, hoxhë Llunja, Lush Paloka, Dedë Gjo Nikë Delija, Selë Lamoja me të birin Elezin, Rexhep Dollari e shumë ulqinakë me ta. Së pari ka mbajtur një fjalim të fuqishëm atdhetari dom Nikolla, pastaj ka folur Cafo Begu e ne fund dom Ivo Bellashi në kroatisht pasi ishte kroat…Pas kësaj kemi kërkuar një shkallë për të hipur në kompanjel të kishës, shkallën e ka sjellë Kolë Lucë Ndoja që asokohe iu binte kambanave të kishës. Flamurin e kishte dom Nikollë Tusha, i cili ia dorëzoi Cafo Beg Ulqinit e ky ia dha Dedë Gjo Nikë Delisë; shkallët i solli dhe i mbështeti fort për mur të kishës Kolë Lucë Ndoja, kurse Dedë Gjoni ma afroi mua shtizën e Flamurit, të cilin e valëvita disa herë në ajër e kjo ndezi zemrat e të pranishmëve, pastaj e vendosa dhe e shtrëngova mirë në kompanjol.
Me rastin e ngritjes së Flamurit u ndez gazmendi liridashës e atdhetar, ashtu që të gjithë së bashku i kënduan Flamurit këto vargje:
O Flamur ti kuq e zi
po valon një bukuri
për Shqipni e për liri
në Kosovë e Çamëri
me gazmend e hijeshi
për të shtrenjtën këtë liri.
More djelt e Traboinit,
të Shestanit e t’ Ulqinit
banju bashkë e lutni i festë
për kufinin që u kanë hjekë,
shkoi kufini ku a kenë motit
n’ Sutorman e n’ Qafë t’ Kokotit “.
Bashkëpunimi me dom Nikollë Tushën
Gjatë tërë kësaj kohe deri në vitin 1944 ne Ulqin edhe pse kanë pasur kërcënime dhe akuza nga qarqe të ndryshme, këto dy figura fetare të nderuara ishin shembull me sjelljen, komunikimin dhe bashkëpunimin me popullin. Te dy dilnin vazhdimisht së bashku. Ishte kjo një shoqëri dhe tolerancë që nuk ishte ne favorin e individëve dhe qarqeve të ndryshme antishqiptare. Këta dy udhëheqës fetarë së bashku me disa atdhetarë të tjerë iu bashkuan Cafo Begut i cili ishte personaliteti me njohur në Ulqin dhe më gjerë në hapësirën shqiptare.
Burgosjet në Ulqin
Më 24 nëntor 1944, Ulqinin e vërshuan njësitë lokale partizane. Me të hyrë të tyre fillojnë menjëherë ndjekjet, maltretimet, burgimet dhe vrasjet. Një pjesë e veprimtarëve nuk u gjet në Ulqin, një pjesë arratiset, e frikësuar nga hakmarrjet që tashmë ishin bërë skena të ditës, ndërsa një pjesë mbetet në Ulqin.
Bëhet me dije se pushteti i ri i vendosur në Ulqin, për 24 orë i ka pasur duart e lira për të arrestuar dhe pushkatuar kënd kanë llogaritur si armiq, apo pengesë kundër pushtetit të tyre. Duhet thënë me ketë rast se me vendosjen e pushtetit të ri në Ulqin, pushteti faktik ishte në duar të OZN-ës/UDB-ës, ndërsa partia LKJ ishte fasadë formale, andaj edhe pasojat janë të njohura.
Nuk ka dilemë se më të rrezikuar ishin ata që mbeten në Ulqin ku bënte pjesë edhe hafiz Hasan Llunji. Natën e 26 nëntorit nga OZNA arrestohet në shtëpinë e tij dhe dërgohet ne një burg të improvizuar të tyre në Ulqin. Aty gjen edhe tre ulqinakë të tjerë të cilët i kishin burgosur më parë: Hodo beg Bushatin më të birin Ahmetin, noter i Gjykatës së Ulqinit dhe Rafo Goranën, oficer aviacioni.
Vrasja e Rafo Goranës
Viktima e parë e pushtetit komunist në Ulqin është Rafo Gorana. Ai në mëngjesin e datës 26 nëntor 1944 në shtëpi është marrë nga disa persona gjoja për një takim në Cetinë, për të festuar fitoren ndaj okupatorëve. Sipas të dhënës së bashkëshortes së tij në momentin që do të largohej nga shtëpia, tre herë e përqafon djalin e vogël Agimin i cili ishte dyjavësh, duke mos e parë më. Ishte ky momenti i fundit i ndarjes nga familja, sepse kriminelët, në vend që të niseshin në drejtim të Cetinës, shkuan në drejtim të Limanit në Ulqin.
Rafo Gorana (1916-1944) me bashkëshorten Halimen
Ai u pushkatua në mëngjesin e datës 27 nëntor 1944, mbi Lima tek Çinari duke shkuar për Valdanos. Aty është vrarë vetë i katërti: Hodo beg Bushati dhe i biri i tij Ahmeti, i cili ishte noter i Gjykatës së Ulqinit dhe Radovan Aleksiqi. Ata u pushkatuan, dhe nuk i njoftuan fare familjet e tyre, për ti marrë e varrosur, e sot e asaj dite nuk dihet gjë për varrin, apo varret e tyre, duke mbetur enigmë deri në ditët tona(!.?). (vijon)