Gruaja kranjane

Gratë kranjane (katolike e myslimane) shquhen për faktin se ruajtën me fanatizëm gjuhën e vjetër shqipe, traditën dhe veshën e bardhë (këmishë të gjatë dhe degermi të bardhë si bora në mal), me çka puqet edhe përshëndetja tradicionale e tyre: “Kjoshi t’bardhë/t’bardha!” (në kuptimin e nderit, moralit)

Hajrullah Koliqi

Në një artikull për Krajën, Gordana Majstoroviq, ndër të tjera, shkruan: “Prej duarve të saj (Hanifes, grua kranjane, H. K.) gjatë endjes (në tezgjah) dalin motive të ilirëve të vjetër, të cilët janë ruajtur vetëm këtu, në kufi me Shqipërinë”. Gratë kranjane (katolike e myslimane) shquhen për faktin se ruajtën me fanatizëm gjuhën e vjetër shqipe, traditën dhe veshën e bardhë (këmishë të gjatë dhe degermi të bardhë si bora në mal), me çka puqet edhe përshëndetja tradicionale e tyre: “Kjoshi t’bardhë/t’bardha!” (në kuptimin e nderit, moralit). Ato nuk përdoren brandaveke, as ferexhe. Nga tradita mësojmë se nuk praktikohej bigamia (“Dy gra, dyqind bela”, thuhej me shpoti në Krajë), gratë nuk mbylleshin brenda mureve të shtëpisë, nuk kishte “oda burrash” e “oda grash”. Por, jeta në Krajë, edhe për gratë ishte e vështirë, me buljerë me ujë dhe me barrë gjethi në shpindë, me punë bujqësore e blegtorale! Edhe ato ishin nën presionin e patriarkalizmit, “yrfit” të vendit dhe diskriminimit në pronësi, shkollim, sjellje etj. Kohët ndryshuan. Ndryshoi edhe jeta e kranjaneve në Krajën e tyre dhe në diasporë.
Rrënjët e historisë së gruas kranjane shkojnë në lashtësi, në kohën kur, sipas Ndre Mjedës, “Me lkur’ harushet vesh’ e njesh’ barija / Gjith rrotull Krajës e kah merr Rumija”.
Supozojmë se në ato kohë midis legjendares dhe historikes i ka rrënjët edhe emërvendi “Shtegvashë/a” (Shtegu i vashës), kodra-kapërcyell natyror midis Krajës e Shkodrës dhe Krajës e Anës së Malit. Pa dyshim, ky emërvendi shqip është i hershëm dhe ka të bëjë me një vashë (vajzë), sigurisht të veçantë nga këto anë, e cila kaloi nëpër këtë shteg – kapërcyell. Por, kush ishte ajo, kjo është gjithnjë një enigmë! Fantazia mund të çojë edhe tek ajo vasha (Rozafa), mbi gjakun e së cilës, sipas legjendës, u ngrit kalaja e Shkodrës (Rozafati). Kënga “I ra mjeglla Buenasë”, kushtuar kalasë së Rozafës, ishte njëra nga këngët më të kënduara nga kranjanët dhe kranjanet në vallen e tyre tradicionale.
“Vasha” e Shtegvashës mund të ishte edhe një virgjinë kranjane, për të cilat Josip Rela shkruan kështu: “Virgjinat, siç quheshin vajzat që shpalleshin mashkull përgjithësisht, për t’i shpëtuar një martese, ose për të marrë gjak të hidhur, d.m.th. kur ishin vrarë meshkujt e familjes a ndonjë vëlla i vetëm e s’kishte kush t’ua merrte gjakun, betoheshin para dymbëdhjetë pleqve të fisit të tyre ose para kishës, se nuk do të martoheshin, ndërronin emrin, duke marrë emër mashkulli, prisnin flokët, visheshin si burrat, rrinin me burrat, s’bënin punë grash, përgjithësisht mbanin armë dhe, shumë herë, merrnin pjesë aktive në luftë”.

Vend të veçantë ndër gratë kranjane zë atdhetarja e shquar, Nazire Curaj (1946-2019). Ajo dhe Fatime Gjeçbritaj ishin vajzat e para në Krajë që kryen shkollën tetëvjeçare (1961/62). (Para tyre ishte Adlije Canaj, lindur dhe shkolluar në Tivar). Nazirja kreu Normalen në Ferizaj. Ishte mësuesja e parë krajane. U shqua për veprimtari atdhetare. Formoi dhe drejtoi grupin patriotik “Jehona e Krajës”, organizoi dhe drejtoi demonstratat e nxënësve të shkollave të mesme në Ferizaj (1981) etj. Autoritetet jugosllave e arrestuan dhe e burgosën disa herë (Ferizaj, Nish, Mitrovicë, Prishtinë dhe Beograd). Tërë jetën dhe veprimtarinë e saj ia kushtoi lirisë dhe bashkimit kombëtar, siç shkruan ajo, “Nanës Shqipni.”


Midis grave të shquara që lidhen me Krajën ishte edhe princesha Kosara, vajza e mbretit bullgar Samuil dhe gruaja e princit të Duklës, Gjon Vladimirit, me seli në “qytezën e Arbrit” (town of Alba), në Krajë (rreth vitit 1000-1016), të cilin Teodor Haxhifilipi e cilësoi si “famëlarti i Arbërisë dhe lavdia e Ilirisë.” Edhe jeta e veprimtaria e princeshës Kosara (duke përfshirë edhe emrin e saj) janë shumë misterioze, midis legjendës dhe historisë. Ndër të tjera, thuhet se ajo ishte një princeshë shumë besnike, fetare e devotshme dhe me kulturë. Themeloi një kolegj fetar për gra (Collegium sacrarum Virginum) dhe njëfarë shkolle për vajza. Thuhet se ndërtoi edhe ublën monumentale të Krajës, në vitin 1001. Burrin e saj (Gjonin) e mbytën në pabesi në Prespë, më 1016. Trupin e tij ajo e solli dhe e varrosi pranë kishës së Shmrisë së Krajës, pranë të cilit, pasi vdiq ajo, e varrosën edhe atë. Eshtrat (lipsanet) e Gjonit gjenden në kishën e Shjonit në Bradashesh të Elbasanit, ndërsa për varrin dhe eshtrat e saj nuk ka asnjë gjurmë.
Ishte shekulli XV kur Evropa dhe qytetërimi perëndimor kërcënohej nga pushtuesit osman. Përballë këtij rreziku evident qëndroi populli shqiptar, në krye me kryetrimin Gjergj Kastrioti -Skënderbeun, i cili vdiq më 17 janar 1468. Vdekjen e tij populli shqiptar e përjetoi si një fatkeqësi e gjëmë të kobshme, ashtu siç e përjetuan edhe gratë kranjane, të cilat të mbështjella “në futa” dhe me fytyrë nga Rumia e shenjtë, e vajtuan (njehen) kështu: “Ç’kje kjo gjamë e keqeo-oh,/ Qi erdh prej Shkodreo-oh,/ E t’idhnoj o Rumiooo,/ Heu-ooo! / Heu-ooo!/ Skenderbegu, s’ka dekooooo,/ O bjeshko,…”
Studiuesi shkodran Tahir Dizdari shkruan: “Krajani dhe krajanja, tradicionalisht e ndiejnë veten të lirë dhe prandej n’at mënyren dhe botkuptimin e tyre, si punën ashtu edhe jetën e ndjekin me siguri dhe entuziazëm, siç janë gadi të rrokin edhe pushkën kurdo që ta kërkojë nevoja për të mirën e kolektivitetit dhe t’ Atdheut të shtrejtë”. Dëshmi për këtë është edhe lufta në Muriq të Poshtëm e të Sipërm, më 15 nëntor 1861, në ato vite konfliktesh kufitare, kur “Ne Lesender vargjehaja (d.m.th. u vra qehaja) / Të mirë luftë po bante Kraja”, në krye me Selman Alinë, përkatësisht në kohën kur ndodhi epopeja e Oso Kukës në Vraninë (1862). Në këtë luftë të pabarabartë në Muriq kundër “sekirashëve”, plaçkitësve dhe piromanëve malazezë të pop Ilia Pllamencit dhe pop Savo Vujoviqit, krahas muriqasve trima, qëndruan dhe morën pjesë me guxim për admirim edhe gratë e motrat e tyre, për luftën e të cilave flitej me shumë admirim nga të moshuarit.
Me reformën arsimore në Perandorinë Osmane (1869), disa shkolla fillore publike katërvjeçare (“mektebi iptidaie”) u hapën edhe në Krajë, midis të cilave ishte edhe ajo në Ostros të Vogël. Objektin e kësaj shkolle e ndërtoi zonja Hatixhe (Hatixhe Hatun), gruaja e gjeneral Tahir Pashë Kranjanit, komandant i gardës së Portës së Lartë në Stamboll. Ndonëse jetonte në Stamboll, ajo nuk e harroi vendlindjen e saj (Ostrosin), por ndër të tjera, aty ndërtoi edhe një shkollë për fëmijët kranjanë. Shkolla kishte 43 nxënës (23 djem e 20 vajza). Zonja Hatixhe ishte grua e respektuar në Stamboll, e shquar sidomos për vepra bamirësie.
Vend të veçantë ndër gratë kranjane zë atdhetarja e shquar, Nazire Curaj (1946-2019). Lindi në Ostros të Vogël. Ajo dhe Fatime Gjeçbritaj ishin vajzat e para në Krajë që kryen shkollën tetëvjeçare (1961/62). (Para tyre ishte Adlije Canaj, lindur dhe shkolluar në Tivar). Nazirja kreu Normalen në Ferizaj. Ishte mësuesja e parë kranjane. Filloi të punojë në Ostros para diplomimit. Në vitin 1967 (kur diplomoi) emigroi në Shqipëri, ku punoi si mësuese, studioi dhe qëndroi deri në vitin 1971. Më pas ishte mësuese në Komaran dhe në Ferizaj. U shqua për veprimtari atdhetare. Disa herë doli ilegalisht në Shqipëri. Formoi dhe drejtoi grupin patriotik “Jehona e Krajës”, organizoi dhe drejtoi demonstratat e nxënësve të shkollave të mesme në Ferizaj (1981) etj. Autoritetet jugosllave e arrestuan dhe e burgosën disa herë (Ferizaj, Nish, Mitrovicë, Prishtinë dhe Beograd). Tërë jetën dhe veprimtarinë e saj ia kushtoi lirisë dhe bashkimit kombëtar, siç shkruan ajo, “Nanës Shqipni.”
Arsimin e mesëm (mësuesi, mjekësi etj.), gjatë viteve në vijim, e kryen edhe vajza të tjera kranjane, si: Aishe Maxhuri, Sulltane Gjenashi, Fatime Tutaj, Lime Berjashi, Safete Vukaj, Sanije Bardhi, Sadete Koliqi, Behije Mujeziqi, Sadije Kacaj, Nadire Mujeziqi, Hasije Vukaj e shumë të tjera. Shumë prej tyre, nga gjeneratat që pasuan, mbaruan studimet universitare në Prishtinë, Shkodër, Tiranë, Podgoricë e gjetkë. Profesoresha e parë në Krajë ishte Aishe Çobaj. Studime universitare kryen edhe shumë vajza të tjera, si: Mejreme Maraj, Hasije Perezaj, Aishe Hajdari, Ardita Bardhi, Teuta Gjeçbritaj, Lindita Koliqi, Arlinda Gjeçbritaj, Albina Koliqi, Garentina Kraja, Arzana Kraja, Lumnije Bardhi, Blerina Marshiqi etj. Studimet e larta i kryen edhe shumë vajza të tjera kranjane në diasporë, midis të cilave është edhe ekspertja e sigurisë Drita Pereziqi. Ajo studioi në Universitetin Shtetëror të New York-ut dhe aktualisht është këshilltare e jashtme e sektorit të Sigurisë Kombëtare e Presidentes së Republikës së Kosovës. Me origjinë nga Kraja janë edhe shumë gra të shquara në Shkodër, Tiranë etj., midis të cilave është edhe Voltana Ademi, ish-prefekte e Qarkut Shkodër dhe ish-kryetare e Bashkisë Shkodër.
Me rrënjë nga Kraja janë edhe doktoreshat e shkencave, motrat Rozafa dhe Donika Koliqi.
Rozafa (1982-), doktoreshë e shkencave të mjekësisë, lindi në Prishtinë, ku mori edhe arsimin fillor dhe të mesëm. Doktoroi më 2017, në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Është pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Cikël ligjëratash mbajti edhe në Universitetin e Kamerinos (Itali), Universitetin Amerikan të Irakut (Bagdad) dhe në Universitetin e Atikës së Veriut (Athinë). Punimet shkencore të saj i paraqiti në SHBA, Turqi, Francë, Gjermani etj., të cilat i publikoi edhe në revista ndërkombëtare. Botoi veprat shkencore: “Application of Design experiments for Formulation development of POE-PPO-POE/P (DL)LCL” (2017) dhe “Sistemet e reja terapeutike” (2025).
Donika (1991-), doktoreshë e shkencave të edukimit, lindi në Pejë. Arsimin fillor dhe të mesëm i mori në Prishtinë. Doktoroi më 2023, në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Është pedagoge në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës. Veç punimeve në revista ndërkombëtare, publikoi edhe veprat: “Funksioni edukativ i bashkëpunimit shkollë-familje” (2012), “Barazia gjinore në tekstet e gjuhës shqipe dhe të lëndëve shoqërore të shkollës fillore të Kosovës” (2014), “Qëndrimet e mësimdhënësve parauniversitarë ndaj edukimit gjithëpërfshirës” (2023).
Të shkruash për gruan kranjane dhe për ato me rrënjë nga Kraja po bëhet gjithnjë e më e vështirë, sepse shumica syresh bashkë me familjarët e tyre kanë marrë botën në sy. Shumë nga ato i ruajnë traditat, gjuhën dhe kujtimet e tyre, jetojnë dhe vdesin me mallin për vendin e të parëve, për Krajën e Shkodrës, aty nën të shenjtën Rumi.

Të fundit

më të lexuarat