Gjenocidi në Srebrenicë

Xhelal Zejneli

“Masakra e madhe ndaj boshnjakëve ka ndodhur pasi që forcat serbe e kanë pushtuar zonën e mbrojtur të KB-ve dhe se vëzhguesit e KB-ve s’kanë bërë asgjë për ta parandaluar një gjë të tillë” – mediat botërore

  • * *
    “Kombet e Bashkuara lejuan që në Bosnjë të vriten 8.000 boshnjakë” – gazeta angleze „Indipendent“
  • * *
    “Është turp për bashkësinë ndërkombëtare që një e keqe e këtillë ka ndodhur para hundës sonë, kurse ne s’kemi bërë asgjë për ta ndaluar atë” – Xhek Strau (1946- ), ministër i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar
  • * *
    Gjenocidi në Srebrenicë ka ndodhur më 11-19 korrik 1995. Janë ekzekutuar 8.372 boshnjakë. Ekzekutuese ka qenë Ushtria e Republikës Serbe dhe njësiti “Shkorpionët”.
  • * *
    Gjenocidi në Srebrenicë është krim lufte i kryer në korrik të vitit 1995, gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjenocidi përbëhej prej vrasjeve masive të kryera në mënyrë të planifikuar të meshkujve dhe të fëmijëve boshnjakë të zënë rob, të moshës 12 deri 77 vjeç. Ndodhi në rajonin e Srebrenicës. U krye nga Ushtria e Republikës Serbe nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq (1942- ) dhe nga formacioni paraushtarak “Shkorpionët”, bashkë me disa qindra vullnetarësh grekë dhe rusë. Kjo ngjarje konsiderohet si një prej masakrave më të mëdha në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. U vranë mbi 8.000 njerëz.
    Ndërkohë, Ratko Mlladiqi dhe një grup oficerësh të Ushtrisë së Republikës Serbe, nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, u fajësuan për krime lufte dhe për gjenocid. Masakrën në Srebrenicë kjo gjykatë e cilësoi si akt gjenocidi.
    Në vitin 2004, Kolegji ankimor i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë nxori aktgjykim sipas të cilit krimi i kryer ndaj banorëve meshkuj të enklavës së Srebrenicës paraqet gjenocid, krim ndaj të drejtës ndërkombëtare. Në vitin 2007, aktgjykimin e mbështeti edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ). Gjykata erdhi në përfundim se zhvendosja e dhunshme dhe keqtrajtimi i 25.000 deri 30.000 grave, fëmijëve dhe personave të moshuar, si dhe veçimi i meshkujve me qëllim vrasjeje të tyre – paraqet gjenocid.
    Në vitet 2013, 2014 dhe 2019, Holanda u shpall përgjegjëse nga Gjykata Supreme e Holandës dhe nga Gjykata e Qarkut e Hagës për arsye se nuk ka bërë sa duhet për të parandaluar mbi 300 vrasje boshnjakësh në Srebrenicë.
  • * *
    Bosnja dhe Hercegovina rrugën e vet drejt pavarësisë e filloi më 15 tetor të vitit 1991, me Deklaratën për Sovranitet – të Kuvendit. Më 6 prill 1992 Bashkimi Evropian e njohu pavarësinë e BeH-së. Pas një dite, këtë e bëri edhe SHBA-ja. Në këtë kohë, filloi ofensiva e forcave serbe për pushtimin e territorit dhe për spastrimin etnik.
  • * *
    Në mars të vitit 1993 Srebrenicën e vizitoi komandanti i Forcave mbrojtëse të OKB-së (UNPROFOR), gjenerali francez Filip Morion (1935- ). Qyteti ishte i rrethuar prej forcave serbe. Këto forca e ndërprenë furnizimin e qytetit me ujë të pijshëm. Njerëzit furnizoheshin me rrymë elektrike prej gjeneratorëve të improvizuar.
    Kishte mungesë të madhe ushqimi, barnash dhe gjërash të tjera të përdorimit të përgjithshëm. Para se të shkonte, gjenerali Filip Morion në tubimin publik u tha banorëve të frikësuar se qyteti ndodhet nën mbrojtjen e OKB-së dhe se ai kurrë s’ka për t’i braktisur.
    Midis muajve mars dhe prill të vitit 1993, nën mbikëqyrjen e Komisariatit të Lartë të KB-ve për Refugjatët (UNHCR), u evakuuan nga Srebrenica rreth 8.000 deri 9.000 boshnjakë. Sipas disa të dhënave, autoritetet boshnjake në Sarajevë nuk janë pajtuar me këto evakuime, duke thënë se kjo shkakton “pastrimin etnik” të territorit.
    Më 13 prill 1993, pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe u thonë përfaqësuesve të UNHCR-it: “Po qe se brenda dy ditëve boshnjakët nuk dorëzohen dhe nuk pajtohen të evakuohen, ne do ta sulmojmë qytetin”.
    Më 16 prill 1993 reagoi Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe nxori Rezolutën 819 me të cilën shpalli se “të gjitha palët dhe të tjerët, Srebrenicën dhe rrethin e saj duhet ta konsiderojnë zonë të mbrojtur e cila nuk duhet të sulmohet me armë, as t’i nënshtrohet ndonjë akti tjetër armiqësor”. Në të njëjtën kohë edhe enklavat Zhepa dhe Gorazhde, u vunë nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara. Më 18 prill 1993 mbërrin në Srebrenicë grupi i parë i ushtarëve të UNPROFOR-it.
    Forcat serbe kanë qenë të armatosura me tanke, mjete të blinduara, armë artilerie dhe me minahedhës. Njësiti i Armatës së BeH-së që qëndroi në enklavë, përkatësisht Divizioni i 28-të, nuk ka qenë sa duhet i armatosur. Por, Kolegji hetues i Tribunalit të Hagës, bazuar në dëshmitë e ndonjë dëshmitari, thotë se divizioni i sipërthënë nuk ka qenë aq i dobët siç e kanë përshkruar dëshmitarë të caktuar.
    Sipas të dhënave të caktuara, të dyja palët në konflikt, që nga fillimi e kanë shkelur marrëveshjen e “zonës së mbrojtur”. Autokolonave ndërkombëtare të ndihmës, serbët ia kanë kufizuar hyrjen në enklavë. Komandanti i batalionit holandez, nënkoloneli Tomas Karemans (1948- ) dëshmon: “… Forcat serbe i kanë penguar njerëzit e tij të kthehen në enklavë. E kanë penguar edhe sjelljen e pajisjes dhe të municionit. Ushqimet, barnat dhe karburantet kanë qenë gjithnjë më të pakta”.
    Në fillim të vitit 1995, numri i autokolonave që mund të mbërrinin në enklavë me stoqe ushqimesh dhe barnash ishte gjithnjë më i vogël. Ushtarët e batalionit holandez që kishin mbërritur në janar të vitit 1995, kishin konstatuar se disa muaj pas ardhjes së tyre situata ishte rënduar në mënyrë rapide. Burimet edhe ashtu të pakta të furnizimit të popullatës civile ishin shterrur akoma më shumë. Madje edhe rezervat e ushqimit, të barnave, të karburantit dhe të municionit – të forcave të Kombeve të Bashkuara – ishin pakësuar dukshëm. Forcat paqeruajtëse kanë pasur aq pak karburant saqë janë detyruar të patrullojnë nëpër enklavë në këmbë.
    Në mars të vitit 1995, kryetari i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq (1945- ), duke reaguar ndaj trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare që t’i jepet fund luftës dhe të bëhen përpjekje që marrëveshja e paqes të arrihet nëpërmjet bisedimeve, i jep direktivë Ushtrisë së Republikës Serbe:”… Me veprime luftarake të përditshme të planifikuara dhe të paramenduara, të krijohen kushte të pasigurisë së plotë, rrethana që e bëjnë të papërballueshme jetesën dhe që tregojnë mungesë perspektive për qëndrimin e mëtejmë të popullatës vendase në Srebrenicë”. Ky urdhër i tij njihet si “Direktiva 7”.
    Kah mesi i viti 1995, gjendja humanitare për qytetarët boshnjakë dhe për personelin ushtarak në enklavë është rënduar tej mase. Nga raportet e Divizionit të 28-të, vërehet se në fillim të korrikut të vitit 1995, forcat e Armatës së BeH-së në enklavë kanë kërkuar zhbllokimin e ngutshëm të korridorit për ndihmë humanitare. Zhbllokimi nuk bërë. Si pasojë, ka ndodhur tragjedia e civilëve boshnjakë të cilët kanë vdekur nga uria.
    Ofensiva e Ushtrisë së Republikës Serbe në Srebrenicë ka filluar më 6 korrik 1995. Në ditët në vijim, si pasojë e përparimit të forcave të Ushtrisë së Republikës Serbe, pesë pikë vrojtimi të UNPROFOR-it në pjesën jugore të enklavës, bien njëra pas tjetrës. Disa prej ushtarëve holandezë, pas sulmit ndaj pozicioneve të tyre, janë tërhequr në enklavë, ndërsa ekipet e pikave të tjera të vrojtimit i janë dorëzuar Ushtrisë së Republikës Serbe. Forcat mbrojtëse të Armatës së BeH-së janë gjendur nën zjarrin e fuqishëm të forcave serbe.
    Në mëngjesin e 10 korrikut të vitit 1995, për ta mbrojtur Srebrenicën, nënkoloneli Tomas Karemans (1948- ) ka kërkuar dërgimin e ngutshëm të mbështetjes ajrore të NATO-s. Nuk ka ardhur kurrfarë ndihme. Ndihma mbërrin një ditë më vonë, më 11 korrik 1995, diku rreth orës 14 e 30 minuta, kur NATO-ja i bombardon tanket e Ushtrisë së Republikës Serbe që i afroheshin qytetit (Srebrenicës).
    Sipas të dhënave të caktuara, aeroplanët e NATO-s qenkan përpjekur t’i bombardojë edhe pozicionet e artilerisë të Ushtrisë së Republikës Serbe, por këtë operacion qenkan detyruar ta ndërpresin “për shkak të dukshmërisë së vogël”. Sipas disa të dhënave, NATO-ja paska hequr dorë nga vazhdimi i sulmeve ajrore, pas kanosjes së Ushtrisë së Republikës Serbe se do t’i vrasë ushtarët holandezë të cilët ishin zënë robë nga forcat serbe dhe se do ta granatojë bazën e Kombeve të Bashkuara në Potoçar jashtë qytetit, si dhe zonat përreth ku janë larguar 20.000 deri 30.000 civilë boshnjakë.
    Me të rënë Srebrenica nën kontrollin e forcave serbe, mijëra banorë boshnjakë të Srebrenicës ikën në Potoçar. Aty kërkuan mbrojtje në bazën e Kombeve të Bashkuara. Deri në mbrëmjen e 11 korrikut të vitit 1995, në Potoçar u grumbulluan rreth 20.000 deri 30.000 refugjatë boshnjakë. Disa mijëra sish hynë në bazën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa të tjerët u vendosën në fabrikat përreth dhe nëpër ara. Në bazën e Kombeve të Bashkuara kanë gjetur strehim gratë, fëmijët, të moshuarit dhe persona me invaliditet. Sipas të dhënave të caktuara, në bazën e KB-ve janë vendosur të paktën edhe 300 meshkuj, ndërsa jashtë baze – diku rreth 600 e 900 meshkuj. Në Potoçar ka pasur sasi të vogël ushqimi dhe uji, ndërsa vapa e korrikut ka qenë e padurueshme. Gjendje kaotike.
    Më 12 korrik 1995 – Ushtarët serbë djegin shtëpi dhe mullarë. I shajnë boshnjakët, u thonë të shkojnë, se do t’i therin, se kjo është tokë serbe. Ndodhin vrasje. Është parë ushtari serb duke vrarë me thikë fëmijën boshnjak në mes të turmës së të dëbuarve. Kanë parë se si ushtarët serbë pas fabrikës së zinkut, kufomat e boshnjakëve të vrarë i kanë ngarkuar nëpër kamionë. Me të zënë muzgu, terrori është intensifikuar. Gjatë tërë natës janë dëgjuar klithma, krisma armësh dhe britma të tjera të frikshme. Ka pasur edhe përdhunime.
    (Vijon)

(Vijon nga numri i kaluar)
Ndarja e meshkujve – Një dëshmitar i batalionit holandez thotë: “Meshkujt i çonin në një lokacion para fabrikës së zinkut. Po atë natë i transportonin me kamionë. Kur refugjatët boshnjakë hipnin nëpër autobusë, ushtarët serbë i ndanin meshkujt e aftë për luftë, të cilët po ashtu tentonin të ngjiteshin në to. Kishte raste kur s’bënin dot dallim në ishin të rinj apo të moshuar. Meshkujt i vendosnin në një ndërtesë në Potoçar, të njohur si “shtëpi e bardhë”.
Meshkujt boshnjakë të ndaluar vriteshin nga Ushtria e Republikës Serbe. Për vrasjet më 12 e 13 korrik 1995 dëshmojnë oficerët dhe ushtarët e batalionit holandez. Për vrasjet e meshkujve pas “shtëpisë së bardhë”, ushtarët holandezë e kanë njoftuar vëzhguesin ushtarak të Kombeve të Bashkaura (UNMO) në zonën e Srebrenicës, kolonelin kenias Xhozef Kingori, por ky qenkësh penguar prej serbëve që të shkojë te vendi i kasaphanës.
Më 11 korrik 1995, komanda e Divizionit të 28-të të Armatës së BeH-së merr vendim që meshkujt e aftë për luftë të largohen nga Potoçari dhe nëpër pyje të mbërrijnë në Tuzëll. Sipas të dhënave të caktuara, në kolonë kanë qenë 10.000 deri 15.000 njerëz. Rreth një e treta kanë qenë ushtarë të Divizionit 28 të Armatës së BeH-së. Midis ushtarëve ka pasur edhe të tillë të cilët nuk kanë qenë të armatosur. Më 12 korrik 1995 forcat serbe kanë ndërmarrë sulm artilerie ndaj kolonës. Ajo është ndarë në dy pjesë. Gjithë ditën dhe gjithë natën, kolona i është ekspozuar zjarrit të armëve dhe granatimit. Kjo i ka ngjarë një gjuetie njerëzish.
Mijëra boshnjakë të zënë robër pas marrjes së Srebrenicës prej serbëve, janë ekzekutuar pothuajse për një. Shumica prej tyre janë vrarë nëpërmjet ekzekutimeve masive, të planifikuara me kujdes, duke filluar prej 13 korrikut, mu në veri të Srebrenicës. Nëpër arat ku janë kryer ekzekutimet nuk ka pasur njerëz. Të zënët robë kanë qenë të paarmatosur. Sytë ua kanë lidhur me shami, me duar të lidhura pas shpine dhe të zbathur. Me të mbërritur në vendet e ekzekutimit, njerëzit në grupe të vogla i kanë zbritur prej kamioni, i kanë rreshtuar dhe i kanë pushkatuar. Atyre që u kanë mbijetuar rafalëve të para, u kanë krisur nga disa plumba në kokë.
Edhe pse pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe një kohë të gjatë janë fajësuar për masakër, autoritetet e Serbisë, deri në qershor të vitit 2004, nuk e kanë pranuar një gjë të tillë. Më në fund, autoritetet e Serbisë e kanë pranuar se forcat e tyre të sigurisë kanë kryer masakër. Komisioni për Srebrenicën i Republikës Serbe në raportin e vet përfundimtar e ka pranuar se vrasja e 7.800 meshkujve dhe fëmijëve boshnjakëka qenë e planifikuar. Komisioni ka konstatuar se mbi 7.800 vetë janë vrarë, pasi janë grumbulluar 34 lista me emra të viktimave.
Mëngjesin e 13 korrikut të vitit 1995 një grup meshkujsh janë ekzekutuar në bregun e Lumit Jadar. Pasditen e po asaj dite është kryer ekzekutimi në luginën e Cerit. Atë ditë ka ndodhur ekzekutimi i parë i madh. Ndërmjet 1.000 dhe 1.500 meshkuj boshnjakë të zënë robër në kolonën e cila nëpër male, nga Potoçari synonte të arrijë në Tuzëll, i kanë sjellë në një depo në Kravicë. Rreth orës 18, ushtarët serbë kanë filluar të hedhin bomba dore dhe të qëllojnë drejtpërsëdrejti ndaj boshnjakëve që i kishin futur në depo.
Mëngjesin e 14 korrikut të viti 1995, boshnjakët që i kanë mbajtur në Bratunc, më 30 autobusë i çojnë në shkollën e Gërbavicës pranë Orahovcit. Sipas dëshmive, aty ka pasur 2.000 deri 2.500 vetë. Por ka edhe të dhëna që tregojnë se aty nuk ka pasur më shumë se 1.000 të zënë robër. Midis tyre ka pasur djem të rinj por edhe të moshuar. Aty paska ardhur edhe gjenerali Ratko Mlladiq. Prej aty, të burgosurit me kamionë i dërguan në vendet e ekzekutimit. Çdonjërit prej tyre i kanë dhënë nga një shami për t’i lidhur sytë. Pasi i kanë rreshtuar, i kanë qëlluar pas shpine. Ka dëshmi që thonë se disa ekzekutime i ka vëzhguar edhe gjenerali Ratko Mlladiq.
Dëshmitë e të mbijetuarve përputhen me provat forenzike dhe me fotografitë e xhiruara nga ajri. Në zhvarrimin e kufomave, midis tjerëve kanë marrë pjesë edhe Prokuroria e Tribunalit të Hagës dhe organizata Mjekët e të Drejtave të Njeriut.

  • * *
    Më 14-16 korrik 1995 boshnjakët janë mbajtur të mbyllur në shkollën e fshatit Pilicë, në veri të Zvornikut. S’ka pasur as ushqim, as ujë. Shumë meshkuj kanë vdekur nga vapa dhe nga dehidrimi në sallën e gjimnastikës të shkollës. Duarlidhur pas shpine, i çojnë me autobusë në Ekonominë Ushtarake në Branjevë. Të rreshtuar në grupe nga dhjetë, i pushkatojnë.
  • * *
    Krimineli serb i luftës, Drazhen Erdemoviq, para Tribunalit të Hagës e ka pranuar krimin. Ka qenë pjesëtar i Njësitit të 10-të të diversantëve të Ushtrisë së Republikës Serbe. Ka marrë pjesë në ekzekutimet masive. Si dëshmitar në procesin kundër gjeneralit të Ushtrisë së Republikës Serbe Radisllav Kërstiq (1948- ), deklaron: “Njerëzve para nesh u urdhërohej të ktheheshin me shpinë nga ne. Pas kësaj, ne krisnim në ta. Na jepej urdhër që të qëllojmë”.
    Dëshmia e tij vazhdon: “Ka pasur raste kur ekzekutuesit kanë qenë tejet brutal. Ndonjërin, para se ta vrisnin, e rrihnin dhe e përbuznin. Kisha kërkuar prej kolegëve të mi ushtarë që të pushojnë t’i përdorin mitralozat për pushkatim ngase vdekja nuk vjen menjëherë kështu që vuajtjet e të pushkatuarve zgjateshin”. Ai vazhdon dhe midis tjerash thotë: “Më 16 korrik 1995, në Ekonominë Ushtarake të Branjevës janë vrarë ose janë pushkatuar 1.000 deri 1.200 boshnjakë”.
    Komandanti i forcave serbe në Srebrenicë, gjenerali Radisllav Kërstiq kishte shkelur në minë dhe e kishte humbur këmbën. Pasi i ishte vënë protezë, ishte kthyer në fushëbetejë. Gjykata e Hagës e akuzoi për gjenocid ndaj boshnjakëve. U arrestua në vitin 1998 nga SFOR-i. Në vitin 2001 u dënua me 46 vjet heqje lirie. Më 15 gusht 2001, paraqiti ankesë. Dënimi iu zvogëlua në 35 vjet. Është i pari evropian i dënuar për gjenocid nga një gjykatë ndërkombëtare, pas Procesit të Nyrnbergut (nëntor 1945–1.10.1946). U dërgua në Britani për ta vuajtur dënimin.
    Për gjenocidin në Srebrenicë janë dënuar 46 vetë, si nga Gjykata e Hagës, ashtu edhe nga gjykatat e BeH-së dhe të Serbisë.
  • * *
    Më 17 korrik 1995 zona e lartpërmendur është xhiruar nga ajri. Në fotografi shihen një numër i madh kufomash.
    Deri në vitin 2002 ishin eks-humuar (zhvarrosur) 5.000 trupa, ndërsa ishin identifikuar jo më shumë se 200 sish. Sipas të dhënave të vitit 2005, numri i trupave të nxjerrë u rrit në 6.000, ndërsa i të identifikuarve në rreth 2.000.
    Provat forenzike dëshmojnë se në fillim të vjeshtës së vitit 1995 forcat serbe janë përpjekur t’i fshehin ekzekutimet masive, duke i zhvendosur varrezat parësore në varreza dytësore më të largëta.
    Gazeta angleze “Indipendent”, në faqen e ballinës shkruan: “Kombet e Bashkuara lejuan që në Bosnje të vriten 8.000 boshnjakë”.
  • * *
    Lajmet për masakrën në Srebrenicë në mediat botërore u paraqitën për herë të parë në gusht të vitit 1995. Më 10 gusht 1995, SHBA-ja i publikoi fotografitë satelitore të cilat tregonin varreza masive të mundshme pranë fshatit Nova Kasaba. Për ta hulumtuar rastin në vendin e ngjarjes, gazetari hulumtues amerikan David Rohde (1967- ) e viziton Bosnjën verilindore. Më 18 gusht 1995, në Christian Science Monitor publikoi lajme dhe prova të rëndësishme që tregonin se në zonën e Srebrenicës ka ndodhur masakër përmasash të mëdha.
    Mediat botërore kanë njoftuar: “Masakra e madhe ndaj boshnjakëve ka ndodhur pasi që forcat serbe e kanë pushtuar zonën e mbrojtur të KB-ve dhe se vëzhguesit e KB-ve s’kanë bërë asgjë për ta parandaluar një gjë të tillë”.
    The Enclave është një seri trepjesëshe e bazuar në ngjarjet në Srebrenicë. Është transmetuar në vitin 1995 në stacionin Dutch Public Broadcasting. Pas kësaj është bërë edhe film ku përfshiheshin pjesët e cekura të serisë.
  • * *
    Më 24.7.1995 Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte të kryera në ish-Jugosllavi (ICTY), liderin ushtarak të serbëve të Bosnjës, gjeneralin Ratko Mlladiq e fajësoi për kryerje gjenocidi, për krim kundër njerëzimit dhe për shkelje të ligjeve të luftës. U arrestua në Serbi më 26.5.2011, ndërsa më 2017 u dënua me burgim të përjetshëm.
    Në vitin 1995, Gjykata e Hagës ngriti aktakuzë ndaj liderit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq. U arrestua në Serbi në vitin 2008. Në vitin 2019 u dënua me burgim të përjetshëm.
  • * *
    Pas një diskutimi afatgjatë për gjenocidin në Srebrenicë, në prill të vitit 2002 qeveria holandeze (kabineti i dytë i Wim Kok, 1938-2018), pas hetimit zyrtar dhe raportit të hartuar nga Nederlands Instituut voor Oorlogsdocumentatie – dha dorëheqje.
  • * *
    Në mars të vitit 2003 u ndërtua Qendra Përkujtimore Srebrenicë – Potoçar, të cilën e hapi tanimë ish-presidenti i SHBA-së Bill Klinton (1946- ). Viktimat e para të identifikuara, 600 sish, u varrosën më 31 mars 2003. Më 11 korrik të po atij viti, në 8-vjetorin e gjenocidit u varrosën për t’u prehur në qetësi edhe 118 mbetje mortore. Më 11 korrik të vitit 2004, në 9-vjetorin e gjenocidit, u varrosën edhe 338 viktima të identifikuara.

Të fundit

më të lexuarat