Përfaqësuesit më të lartë të dy organizatave më të njohura botërore për mbrojtjen e të drejtave dhe të punës së gazetarëve, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Organizatës “Korrespondentët pa Kufij”, Christophe Deloire dhe Drejtori Ekzekutiv i “Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve”, Joel Simon janë takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres për të biseduar mbi sigurinë e gazetarëve anembanë botës. Gjatë takimit, dy organizatat për mbrojtjen e gazetarëve i bënë gjithashtu thirrje shefit të OKB-ës që të emërojë një Përfaqësues të Posaçëm të organizatës botërore për t’u marrë ekskluzivisht me sigurinë e gazetarëve, anembanë botës
Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork
Sipas një njoftimi të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, përfaqësuesit e lartë të dy organizatave për mbrojtjen e gazetarëve, siguruan angazhimin dhe mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm për kauzën e sigurisë së gazetarëve. Drejtori i Përgjithshëm i organizatës “Korrespondentët pa Kufij”, me qëndër në Paris, Christophe Deloire u shpreh në emër të organizatës së tij se, “Mirëpret angazhimin e fuqishëm personal të Sekretarit të Përgjithshëm ndaj sigurisë së gazetarëve.” Christophe Deloire shtoi se shefi i OKB-ës beson se liria e shtypit dhe kauza e sigurisë së gazetarëve, “janë themelore për funksionimin e demokracisë dhe për zbatimin e të drejtave të njeriut”, duke shtuar se si përfundim i takimit me ’të, ai është zotuar se do të ndërmarrë masat e nevojshme në këtë drejtim. Deloire u citua, në njoftimin mbi takimin e tyre me Antonio Guterres, të ketë thënë se u larguan nga takimi me udhëheqsin botëror, të bindur për mbështetjen e tij dhe se llogarisin që ai të bëjë veprimtarinë OKB-së më efikase, ashtu që gazetarët të jenë më të mbrojtur në punën e tyre të përditshme, në mbarë botën.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “755” të revistës Koha Javore