
(vijon nga numri i kaluar)
Platoni e ka shpjeguar me kohë se bindja nuk mund të jetë qëllimi i duhur i retorikës, ngaqë është pyetje e hapur se si i shërben interesave të një audience kur një fjalim bindës ndikon në pikëpamjet e tyre [Pernot:2005]. Ashtu siç është i gabuar refuzimi i një fjalimi bindës për shkak se folësi “nuk i përket partisë që preferoj”, është po aq i gabueshëm pranimi i çdo fjalimi që na duket bindës. Fjalimet e Nyrnbergut të Adolf Hitlerit qenë bindëse dhe të efektshme në përforcimin e pushtetit të Partisë Naziste dhe në ndryshimin e pikëpamjeve të gjermanëve, por qenë shkatërrimtare për vetë Gjemaninë [Burleigh:2000]! Te “Mein Kampf” (1925), Hitleri ishte shumë i hapur në nevojën e propagandës, përkatësisht në aftësinë e të zgjuarit të imagjinatës së publikut përmes ngashënjimit të ndjenjave të audiencës, një formë kjo e përshtatshme psikologjike për të mbërthyer vëmendjen dhe për të bërë për vete zemrat “e masave kombëtare” [Hitler:1940]. Është ajo që Platoni e quan “retorikë lajkatare”, kurse Sokrati e konsideron si “botëkuptim të varfër të psikologjisë njerëzore” dhe e përjashton nga të qenit art.
Gjithsesi gjatë historisë njerëzore ka pasur njerëz që kanë mahnitur njerëzit para të cilëve kanë ligjëruar. Thuhet se halifi Abdurrahmani III i Kordovës (889-961) gjeti një orator të famshëm që me retorikën e tij habiti perandorin bizantin dhe e la tepër të kënaqur [Thomas&Mallett:2010, f. 360]. Kur Vincent Ferrer (1350-1419) predikonte me një oratori tejet të fortë për mëkatin, për vdekjen, për ferrin dhe për ardhjen e pashmangshme të ditës së gjykimit, pjesëtarët e kongregatës mbusheshin me aq frikë sa Ferrer detyrohej ta ndërpriste predikimin për shkak të vajtimeve të mëdha të audiencës. Kroniku Salimbene thotë se predikuesi françeskan Berthold i Rosenburgut ligjëronte para një numri të madh njerëzish 60.000 deri në 100.000 dhe ligjëronte nga një kullë e lartë e ngritur enkas, e cila u bart prej një qyteti në tjetrin për gjashtë vjet [Richards:1991, f. 54]. Është po ajo fuqi magjike e gjuhës së politikanit që tërheq njerëzit, ua ndez gjakun dhe i shtynë të shohin ëndrra me sy çelë: djegin, rrënojnë, vrasin, presin e shkretojnë botën “për ditët e fitores që do të vijnë”!
Dikur fjalimet e politikanëve të kohës mbaheshin mend nga elektorati dhe simpatizuesit e tyre në vite, madje edhe në shekuj. Fjalimet e Abraham Linkolnit (1809-1865) edhe sot konsiderohen model i oratorisë amerikane. Në tre paragrafët e ngjeshur të fjalimit, ai preku të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Mandela i fliste audiencës: “Unë po qëndroj para jush jo si profet, por si një shërbëtor i përulur i juaj… Ne kemi pritur shumë gjatë për lirinë tonë, nuk mund të presim më shumë… Aty ku ka përçarje, a mund të sjellim harmoninë, aty ku gabim, a mund ta sjellim të vërtetën, aty ku ka dyshim, a mund të sjellim besimin dhe atje ku ka dëshpërim, a mund të sjellim shpresën” [Sampson:2011]. Këtu kontrasti i kësaj gjuhe politike është “të mos jesh profet”, por “të jesh një shërbëtor i përulur”, ku ‘negativi’ vjen përpara ‘pozitivit’. Me fjalë të tjera, në çdo fuqi të veçantë që do t’i përkiste “një profeti”, ofron veten si “një shërbëtor i përulur”. Kanë ndikim mjaft të dukshëm pastaj vendosja e kontradiktave përçarje – harmoni, gabim – e vërtetë, dyshim – besim dhe dëshpërim – shpresë, ky i fundit si sugjerim për një të ardhme të ndritur, që do të nisë me mandatin e tij!
Të kundërtën e kësaj retorike e gjejmë në fjalimet e herëpashershme të Presidentit amerikan George W. Bush. Ne po veçojmë vetëm tre raste. Në vizitën që i bëri Romës më 22 korrik 2001, ai tha: “Unë e di çka besoj. Unë do të vazhdoj për të artikuluar atë që unë besoj dhe atë që besoj, unë besoj se ajo që besoj është e drejtë”! Në vizitën që i bëri Kanadasë më 21 prill 2001,ai tha: “Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se kur ka më shumë tregti, ka më shumë tregti”. Ndërsa në vizitën që i bëri Nashville’s [Tenn] më 17 shtator 2002, u përpoq të tregonte urtësinë: “në më gënjesh herën e parë fajin e ke ti, në më gënjesh herën e dytë, fajin e kam unë”, në këtë mënyrë: “Ekziston një thënie e vjetër në Tenesi – Unë e di që është në Teksas, ndoshta në Tenesi – që thotë, më mashtro një herë, turp – turp për ty. Më mashtro, nuk mund të mashtrohesh përsëri” [BBC, 17. 9. 2002]. Gjykimi i kësaj “retorike” le t’i mbetet lexuesit, por nuk janë të rralla sot fjalimet e liderëve që mund t’i llogaritësh në këtë kategori, nga e cila deshëm apo nuk deshëm ne, na jep të kuptojmë nivelin e tyre të edukimit! Për fat të keq, ka disa mekanizma psikologjikë që i mundësojnë një idioti të zgjidhet në pozicione të fuqishme!
Fuqia bindëse e një fjalimi politik në fushatat zgjedhore, përbëhet jo vetëm nga aftësia e tij për të ngjallur pasionet e audiencës dhe për të ngjizur besimin, por edhe në aftësinë e ngulitjes së vetëdijes për idealet dhe zbatimin e tyre në praktikë. Brenda këtij konteksti, premtimet janë tejet të rëndësishme. Ato duhet të sillen rreth çështjeve që ndajnë një komb, ose që krijojnë një interes emocional, por nuk duhet të jenë aq të lira sa edhe individët me qëllimet më të mira të mos kenë mundësi për t’i realizuar. Ato mund të jenë të ndryshme, si: ndërprerja e luftës, arritja e paqes (në rastin kur vendi është në luftë), siguria shëndetësore, edukimi, krijimi i vendeve të punës, ulja e tajksave etj [Arendt:2007]. Dy të fundit janë premtimet më të shpeshta që mund të bëjë një kandidat, por këto zakonisht nuk shkojnë bashkë, sepse për të krijuar vende pune kandidati duhet të paraqesë programin me të cilin do të realizojë premtimin, ndërkohë që punët mund të krijohen vetëm nga ndërhyrja dhe shpenzimet e drejtpërdrejta të qeverisë!
Në kandidaturën e dytë të Woodrow Willson-it për President (1916), njerëzit e votuan për shkak se “na mbajti larg luftës”. Vetëm 29 ditë pas betimit Willson kërkoi një sesion të përbashkët të Kongresit për të shpallur luftë kundër Gjermanisë! Më 1928 Herbert Hoover premtoi prosperitet për të gjithë: “një pulë në çdo tenxhere” dhe “një makinë në çdo oborr”. Pas tetë muajsh në detyrë, vendi u zhyt në atë që u bë e njohur si “Depresioni i Madh”! Duke garuar kundër Hoover-it (1932), Franklin Roosevelt (1882-1945) premtoi se do ta vinte kombin përsëri në punë. Por kur kandidoi për një mandat të tretë të paparë më 1940, premtoi se “djemtë tuaj nuk do të dërgohen në asnjë luftë të huaj”.
Një vit më pas ai i kërkoi Kongresit t’i shpallte luftë Japonisë. Kështu edhe kandidati për rizgjedhje më 1964, Lyndon Johnson (1908-1973), pikturonte kundërshtarin Barry Goldwater (1909-1980) si një skifter lufte dhe premtoi se “nuk jemi gati të dërgojmë djem amerikanë 9 ose 10 mijë milje larg shtëpisë për të bërë atë që djemtë aziatikë duhet të bënin për veten e tyre” [The American Promise]. Por ishte pikërisht ai që dërgoi trupa luftarake në Vietnam dhe përshkallëzoi luftën shumë herë! Richard Nixon (1968) premtoi gjithashtu se do t’i jepte fund luftës në Vietnam, por në gjashtë muajt e parë viktimat amerikane u rritën për shumë herë, kurse trupat nuk u tërhoqën as në mandatin e tij të dytë! George H. W. Bush (1988) premtoi se gjatë mandatit të tij nuk do të kishte rritje të reja taksash, por në vitin e parë të mandatit ai nënshkroi ligjin për rritjen e taksave! George W. Bush (2000) premtoi të zvogëlojë shpenzimet qeveritare dhe se do të ndalë shtrirjen e trupave në gjithë botën, por gjatë mandatit të tij shpenzimet qeveritare u rritën, pjesërisht për shkak të luftërave të reja në Afganistan dhe Irak! Donald Trump premtoi se do të shfuqizonte “Obamacare”, do të ndërtonte një mur përgjatë kufirit të Meksikës, për të cilin do të paguante Meksika dhe do të burgoste Hillary Clinton-in. Asnjë nga këto nuk u realizuan, sipas “Washington Post”, asnjë nga 60 premtimet që ai bëri gjatë fushatës!
Është i drejtë konstatimi i Lyndon B. Johnson (1908-1973) se: “e drejta e votës është e drejtë themelore pa të cilën të gjitha të tjerat janë të pakuptimta, sepse u jep njerëzve kontroll mbi fatet e tyre”, por, si ka mundësi që ne duhet të zgjedhim njërin nga vetëm dy kandidatët për president, ndërsa kemi 50 kandidate për “Miss America”?! A mund të jetë i drejtë konstatimi i Bob Hope’s se: “Asnjë parti nuk mund t’i mashtrojë të gjithë njerëzit gjatë gjithë kohës dhe kjo është arsyeja pse ne kemi dy parti” e rrjedhimisht dy kandidatë, të cilët i shpenzojnë gjithë energjitë e veta në përpjekje për të provuar se pala tjetër është e papërshtatshme për të qeverisur! Nëse pozitë dhe opozitë punojnë e veprojnë me anën tjetër për të qeverisur, ata shikohen si tradhtarë të përkrahësve dhe votuesve të tyre [Thompson:2016, f. 12]. A nuk është kjo një mundësi e parashikimit të Edward R. Murrow (1908-1965) se: “një komb prej delesh do të lindë një qeveri prej ujqërish”!? (Fund)
