
Intelektualët serbë kanë nxitur dhe përhapur pakënaqësi te serbët dhe kanë krijuar bazat doktrinare të politikës imperialiste serbe. Ekziston një vëllim i madh i literaturës për angazhimin e intelektualëve të njohur serbë në krijimin e frymëzimit nacionalist serbomadh dhe të arsyetimit historik të qëllimeve të nacionalizmit imperialist serb. Madje edhe intelektualët disidentë të kohës së komunizmit janë angazhuar për promovimin e historiografisë romantike, të miteve të shtetit serb nga shekulli i mesjetës, të ideve dhe qëllimeve imperialiste të krijimit të shtetit në të cilin do të dominojnë serbët ose të gjithë serbët do të jetonin së bashku në një shtet.
Një numër i madh i intelektualëve serbë kanë thënë haptazi se për arsye të numrit më të madh të viktimave në krahasim me popujt tjerë të ish-Jugosllavisë, në luftërat prej vitit 1912 deri më 1941, çdo pozitë tjetër për serbët, përpos asaj dominuese, paraqet gjendje të pabarazisë së tyre. Kështu, Këshilli për Mbrojtjen e Mendimit dhe të Shprehurit, i cili ka tubuar kundërshtarët më të tërbuar të regjimit ish-jugosllav në Serbi: Dobrica Qosiq, Matija Beqkoviq, Lubomir Tadiq, Kosta Çavovski, Mihaillo Markoviq, Tanasije Mlladenoviq, Andrija Gams e të tjerë, publikisht, më 12 shkurt 1988 ka kërkuar formimin e “autonomive vetëqeverisëse serbe” në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. Idetë dhe qëllimet e Serbisë së Madhe, në veçanti i kanë thurur dhe formuluar intelektualët serbë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Shoqatën e Shkrimtarëve Serbë, Shoqatën e Filozofëve të Serbisë dhe Shoqatën e Sociologëve të Serbisë. Pas vdekjes së Titos, mprehtësia e kritikës së tyre ka qenë e drejtuar ndaj regjimit shtetëror dhe LKJ-së, trashëgimisë së Titos dhe në veçanti ndaj kushtetutave të Jugosllavisë të viteve 1963 dhe 1974. Ata kanë thënë se Titoja nuk është më, por ka mbetur titoizmi i konfederalizmit jugosllav, të cilin në kohën e vet e ka konceptuar Edvard Kardel, dhe gjoja një sistem i tillë politik i ka sjellë serbët dhe Serbinë në një pozitë diskriminuese në pikëpamje politike, ekonomike dhe kulturore, si dhe për dallim prej popujve të tjerë, serbët nuk e kanë shtetin e vet.
Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (1986)
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Sërbisë e ka hartuar Memoradumin e saj mbi situatën shoqërore-politike në Serbi dhe Jugosllavi, më 1986. Në atë dokument është nënvizuar rrezikimi i serbëve: çereku i tyre jetojnë në mënyrë të vuajtur jashtë Republikës së tyre të ngushtë amë, derisa Jugosllavia është në shkatërrim. Serbët janë në pozitë të vështirë sidomos në Kosovë dhe Kroaci. Serbia është sakrificë dhe viktimë e diskriminimit politik dhe ekonomik që e zbatojnë Kroacia dhe Sllovenia qysh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Andaj, çështja e tërësisë dhe integritetit të popullit serb (të bashkuar në një shtet) dhe të kulturës së tij në Jugosllavi, është çështje vitale për ekzistencën dhe zhvillimin e kombit serb.
Në Memorandum, ndër të tjerat thuhet: Vendosja e plotë e integritetit nacional dhe kulturor të popullit serb, pavarësisht nga ajo se në të cilën republikë apo krahinë gjendet, është e drejtë e tij historike dhe demokratike.
Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve i vitit 1986 ka qenë baza ideologjike e nacionalizmit ekstrem serb si dhe më vonë mbështetje për aksionet ushtarake të Serbisë në ish-Republikat e Jugosllavisë dhe të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.
Hapësira e ardhshme e Serbisë
Për ilustrim të kontributit të intelektualëve serbë në përcaktimin dhe realizimin e qëllimeve ekspansioniste serbomëdha, po japim një fragment nga ditari i kryetarit të Kryesisë së RSFJ-së, Borisav Joviq, në të cilin është shënuar biseda e tij me Dobrica Qosiqin, më 11 shtator 1990. Joviqi shkruan se Qosiqi i ka thënë: Nuk ka më asnjë arsye serioze të ekzistencës së Jugosllavisë. Andaj, tani ka të bëjë me kartën etnike të hapësirës serbe, në veçanti në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, që në mënyrë të qartë të paraqitet territori ku serbët janë shumicë; nga Shibeniku, përkrye Like, krahinës së Bosnjës, pranë Savës deri te Bijelina, gjithkund janë serbët shumicë. Në qendër të Bosnjës janë myslimanët. Serbët e prejnë gjeografisht dhe Sanxhakun pranë Drinit, ashtu që myslimanët nuk mund të bashkohen.
Duke modeluar vetëdijen ekstreme nacionaliste nëpërmjet krijimit të një disponimi luftarak në shoqërinë serbe, intelektualët serbë, më 1980, e kanë sjellë në pushtet pikërisht Sllobodan Millosheviqin, duke shkaktuar në një masë të madhe shkatërrimin e ish-Jugosllavisë me luftë të pëgjakshme.
Marrëdhëniet shqiptaro-serbe
Shikuar historikisht, shqiptarët në bashkësinë shtetërore me Serbinë kanë kaluar kohëra me vuajtje dhe kanë pasur një përvojë të vështirë, kanë nxjerrë mësim në vazhdimësi në luftë për të drejtat e liritë e tyre qytetare dhe kombëtare – kundër regjimeve borgjeze, diktaturës së monarkisë jugosllave, deformimeve të pushtetit realsocialist, si dhe politikës shoviniste të Sllobodan Millosheviqit.
Për marrëdhëniet ndërnacionale shqiptaro-serbe ekziston një literaturë voluminoze, dokumente e të dhëna historike-politike. Por me këtë rast do të fokusohemi vetëm në disa vlerësime dhe qëndrime të një autori të njohur socialdemokrat serb, publicistit e humanistit Dimitrije Tucoviq, i cili thotë: ”Sot është bërë shumë i rrezikshëm predikimi i nevojës së punës së përbashkët me shqiptarët. Për synimet e dëmshme dhe fatale, për ta justifikuar një politikë të gabuar, shtypi borgjez ka formuar për shqiptarët një bedem të tërë të pikëpamjeve të pavërteta dhe tendencioze, ndërsa politika pushtuese e Serbisë me metodat e veta barbare i ka detyruar shqiptarët që të mbushen me urrejtje të thellë ndaj nesh…” (Dimitrije Tucoviq, Punime të zgjedhura, libri II, “Prosveta”, Beograd, 1950, ff.128-133).
Dobrica Qosiq dhe ndarja e Kosovës
Dobrica Qosiq është i pari në Serbi që publikisht e ka paraqitur idenë e ndarjes së Kosovës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, sepse sipas tij, një variant i tillë është real duke pasur parasysh strukturën nacionale në Kosovë. Këtë variant të ndarjes së Kosovës është përpjekur dhe përpiqet për ta realizuar Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kështu Vuçiqi, me përkrahjen politike të ndonjë diplomati të huaj, por edhe të ndonjë funksionari politik shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria, ka tentuar për të hyrë në historinë serbe si ekzekutues i politikës së Millosheviqit dhe Qosiqit për formimin e Serbisë së Madhe në dëm të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.
Mirëpo, edhe sot Vuçiqi ka të njëjtin qëllim politik për dezintegrimin territorial, destabilizimin politik dhe humbjen e sovranitetit të Kosovës. Për pretendimet e tilla nacionaliste imperialiste serbe kundër Kosovës, e ka përkrahjen politike dhe nga partitë politike proserbe dhe proruse në Mal të Zi. Për çudi dhe fatkeqësi, partitë politike shqiptare në Mal të Zi kanë hyrë në koalicion apo “përqafim” politik dhe bashkëpunim me partitë politike proserbe (proçetnike) dhe proruse, respektivisht me partitë antishqiptare.
Së fundi, në bazë të asaj që cekëm më sipër, mund të konstatohet se bëhet fjalë për politikën aktuale të rrezikshme nacionaliste dhe shoviniste të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës. Për dezintigrimin territorial dhe destabilizimin politik të Kosovës, Serbia nuk kursen t’i japë edhe paratë, aty ku e vlerëson se është nevoja politike dhe ku ndodhen indidvidë – diplomatë të huaj pro-serbë me ndikim politik.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)
