Frekuentim masiv gjatë gushtit

Duhet potencuar se sikur kësaj perle të natyrës t’i kushtohej më tepër kujdes, të punohej në rregullimin e plazhit, të investohej në hapjen e ndonjë biznesi aty pranë, siç mund të ishte ndërtimi i ndonjë restoranti apo hoteli, kjo pikë turistike do të ishte padyshim njëra ndër pikat më të frekuentura, si nga banorët vendas ashtu edhe nga ata të huaj, të cilët rruga e re ndërkombëtare i afron më shumë për të vizituar Lumin Cem

Tërgajë – Lumi Cem- i vetmi lum në Malësi, është një destinacion shumë i admiruar për pushuesit vendas, e gjithashtu edhe për bashkatdhetarët tonë nga diaspora, të cilët në një numër mjaft të madh po shijojnë pushimet e tyre në vendlindje. Njëra ndër pikat e shumta ku mund të pushosh përgjatë brigjeve të Lumit Cem, është ajo e Tërgajës, e cila ka qenë më e njohura dhe historikisht më e frekuentuara nga pushuesit. Në Tërgajë nga viti në vit është organizuar edhe Logu i Tërgajës, ku mblidheshin numër i madh i publikut.
Si rëndom, në çdo sezon veror, vendi përfshihet nga temperatuara tropikale, ashtu siç ndodhi edhe këtë vit dhe kjo bëri që shumë pushues të zgjedhin Lumin Cem.
Ky plazh i vogël, por që shumë pushues e quajnë si perlë natyrore të kësaj pjese të Lumit Cem, kënaq dhe relakson një numër të madh të pushuesve të cilët e preferojnë këtë lum, për ujin e kristaltë, por edhe për bukuritë natyrore përrallore që e rrethojnë. Në Tërgajë në këto ditë vape, vihet re një fluks i shtuar i pushuesve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe kjo siç duket është rezultat i numrit më të madh të vizitorëve, bashkëvendësve nga Evropa, SHBA-ja, Australia, e gjetiu. Lumi Cem preferohet dhe ka frekuentim të shtuar edhe për arsye ekonomike, pasi në këtë kohë inflacioni ku çdo gjë është ngritur në stratosferë, Cemi ndodhet pak kilometra nga Tuzi, e shumë më afër vendbanimeve siç janë Mileshi e Dinosha. Dhe për këtë arsye, veç faktit që pushimet në det kushtojnë shumë më tepër kohë dhe para, Lumi Cem të kursen edhe kohë, edhe para.
Veç pushuesve vendas, për këtë pikë të lashtë pushimi, nostalgji kanë edhe shumë mërgimtarë që jetojnë nëpër vise të ndryshme të Evropës dhe të SHBA-së, të cilët në masë të madhe e vizitojnë vendlindjen e tyre gjatë muajve më të nxehtë të vitit. Në këtë vend të bukur tubohen çdo ditë një numër i madh vizitoresh ku për orë të tëra bisedojnë për hallet dhe jetën e përditshme, por dhe freskohen me ujin e freskët të këtij lumi, duke e përballuar më lehtë të nxehtit e gushtit.
Duhet potencuar se sikur kësaj perle të natyrës t’i kushtohej më tepër kujdes, të punohej në rregullimin e plazhit, të investohej në hapjen e ndonjë biznesi aty pranë, siç mund të ishte ndërtimi i ndonjë restoranti apo hoteli, kjo pikë turistike do të ishte padyshim njëra ndër pikat më të frekuentura , si nga banorët vendas ashtu edhe nga ata të huaj, të cilët rruga e re ndërkombëtare i afron më shumë për të vizituar Lumin Cem.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat