
Në takimet apo forumet e ndryshme që mbahen kohë pas kohe në mes pjesëtarëve të diasporës me zyrtarët e ndryshëm të Komunës së Ulqinit, qofshin ato në vendlindje apo në vendet e qëndrimit të tyre në botën e jashtme, flitet shpesh për mënyrën e komunikimit dhe krijimin e mekanizmave të mundshëm institucionalë të bashkëpunimit në mes këtyre dy entiteteve, që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, pra në mes mërgatës dhe vendit të saj të origjinës, që është Ulqini. Ulqinit i mungon një mekanizëm i tillë institucional, i cili do të merrej ekskluzivusht me çështjet dhe punët që i preokupojnë pjesëtarët e diaporës së vet.
Komuna e Ulqinit me numrin e lartë të banorëve të saj që jetojnë në botën e jashtme, renditet një ndër komunat me diasporën më të madhe në Mal të Zi, çka do të thotë se asaj duhet t’i kushtohet një vëmendje e posaçme.
Duhet theksuar se në të kaluarën ka pasur tendenca dhe iniciativa për formalizimin e bashkëpunimit ndërmjet vendlindjes dhe diasporës, por për arsye të ndryshme ato fatëkeqësisht kanë dështuar. Në gusht të vitit 2015 Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Ana Malit” në bashkëpunim me BKA-në (Bisnes Klubin “Ana e Malit”) hapën Zyrën e përbashkët për bashkëpunim në Katërkollë (Anë të Malit). Pak më vonë, në tetor të të njëjtit vit, u hap edhe Zyra e Diasporës pranë Komunës së Ulqinit. Por ka kohë që këto dy zyra nuk funksionojnë dhe kanë pushuar së vepruari.
S’ka aspak dyshim se “Zyrat për Diasporën” kanë qenë iniciativa qëllimmira, por për shkak të kapaciteteve të tyre të kufizuara nuk kanë pasur mundësi t’i trajtojnë në të njëjtin nivel apo me të njëjtin seriozitet çështjet që kanë të bëjnë me diasporën, ashtu siç do ta trajtonte një sekretariat eventual me funksion të barabartë me sekretariatet e tjera që funksionojnë në kuadër të kësaj komune.
Në faqen zyrtare të Komunës së Ulqinit renditen nëntë sekretariate që veprojnë në kuadër të qeverisjes lokale. Pyetja që na imponohet është se përse themelimi i një Sekretariati për Diasporën në Komunën e Ulqinit, deri më tani, nuk ka gjetur mirëkuptimin e asnjë kryetari të Komunës?!
Është interesant të përmendet fakti se në 41 faqet sa ka Statuti i Komunës së Ulqinit dhe në 190 nenet e tij, vetëm në një vend përmendet diaspora. Në nenin 59 të këtij Statuti, i cili përcakton punët e Kuvendit, një ndër 10 forumet e themeluara të këtij Kuvendi figuron Forumi për Bashkëpunim me Diasporën, për të cilin nuk ka qartësi lidhur me rolin, detyrën apo ndonjë aktivitet që ky Forum ka zhvilluar deri më tani në raport me diasporën.
Ky është edhe një argument më tepër se deri më tani është humbur kohë me zgjidhje simbolike apo sa për sy e faqe, duke u shmangur konstituimi i një organi (dikasteri) të mirëfilltë që ka për qëllim intitucionalizimin e marrëdhënieve të diasporës me vendin e tyre të lindjes apo të origjinës.
Pra, Sekretariati për Diasporën do të luante një rol të rëndësishëm në adresimin dhe zgjidhjen eventuale të problemeve dhe nevojave të natyrave të ndryshme me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e diasporës. Kuptohet se një sekretariat i tillë nuk do të zgjidhte çdo problem të pjesëtarëve të diasporës, por ai do të shërbente si pikë referimi dhe udhëzimi lidhur me çështjet që mund t’i preokupojnë ata. Për shembull, dihet mirë që pjesëtarët e diasporës gjatë kohës së qëndrimit të tyre në vendlindje shfytëzojnë pushimet e tyre edhe për të kryer punë të ndryshme në zyrat e organeve administrative të Komunës dhe është me rëndësi që në këtë aspekt atyre t’u mundësohet një procedurë sa më e shpejtë dhe në mënyrë ekspeditive. Është për të ardhur keq, por kjo nuk ndodh. Ka kohë që ankesat kryesore të mërgimtarëve kanë të bëjnë me procedurat e gjata burokratike me rastin e nxjerrjes së dokumenteve të ndryshme personale të tyre. Shpeshherë për një dukument të thjeshtë apo pagesë duhet të shkosh në disa zyra të ndryshme, si brenda ashtu edhe jashtë ndërtesës së Komunës, çka konsumon me orë të tëra por nganjëherë duhet të ndash edhe ditë të tëra të pushimit për të kryer punë të kësaj natyre.
Përveç kësaj, Sekretariati mund të jetë gjithashtu një pikë ku investuesit potencialë nga diaspora mund të marrin informata të drejtpërdrejta lidhur me mënyrat dhe procedurat më të shpejta ligjore në realizimin e planeve e projekteve të tyre në vendlindje. Në aspektin kulturor, Sekretariati në bashkëpunim me organizatat shqiptare autentike në diasporë, me prejardhje nga komuna e Ulqinit, mund të bëjnë përpilimin e planprogrameve dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme artistike, kulturore, sportive etj. në vend, ku përfshihet edhe organizimi i manifestimit të Ditëve të Diasporës. Këto janë vetëm disa nga punët që mund t’i kryejë një sekretariat eventual për diasporën.
Aktualisht në kuadër të Komunës së Ulqinit ekziston pozita e Koordinatorit për Diasporën, e krijuar kohëve të fundit nga kryetari i tanishëm Genci Nimanbegu. Uroj dhe shpresoj që kjo nismë e vullnetit të mirë të kthehet sa më parë në një Sekretariat për Diasporën, sepse kjo është mënyra dhe forma më e mirë dhe më e qëndrueshme e vendosjes së lidhjeve institucionale si dhe fuqizimit të marrëdhënieve në mes mërgatës dhe vendlindjes.
