Protesta paqësore e banorëve të fshatit Omerbozhaj kundër ndërtimit të vaskës së pestë për hedhjen e mbeturinave nga Ndërmarrja Publike “Deponia” e Podgoricës, po vazhdon si shenjë e revoltës qytetare dhe kundërshtimit ndaj këtij projekti.
Përfaqësuesi i protestuesve të fshatit Omerbozhaj, Mark Gorvokaj thotë për gazetën tonë se prej afro pesë muajsh (nga shtatori 2025) protesta fatkeqësisht nuk ka pasur asnjë ndryshim thelbësor në favor të banorëve.
“Përkundrazi, kemi marrë vetëm informata zhgënjyese, të cilat nuk kanë qenë në interesin tonë. Protestat tona kanë shërbyer për ta bërë problemin publik dhe më të dukshëm, por ndërtimi i vaskës së pestë ka vazhduar, pa u adresuar shqetësimet reale të komunitetit, ndërkohë që paralelisht është paralajmëruar edhe ndërtimi i vaskës së gjashtë”, shprehet ai.
Në pyetjen se cilave institucione u janë drejtuar zyrtarisht për të adresuar problemin dhe cili ka qenë reagimi i tyre, përfaqësuesi i kësaj proteste shprehet se zyrtarisht i janë drejtuar Komunës së Tuzit, ndërmarrjes që menaxhon deponinë, si dhe institucioneve përkatëse mjedisore.
“Reagimet e ndërmarra kanë qenë kryesisht formale, pa masa konkrete në terren dhe pa një dialog serioz e gjithëpërfshirës me banorët”, shprehet Gorvokaj.
Ai më tej thotë se kërkesa e tyre kryesore është ndalimi i funksionalizimit të vaskës së pestë, si dhe sanimi i zonës jashtë deponisë, e cila, siç thotë ai, sipas planeve duhet të jetë zonë e gjelbër.
“Aktualisht, në këtë hapësirë ka grumbullime mbeturinash të përziera që dëmtojnë tokën, ajrin dhe potencialisht edhe ujërat nëntokësore. Po ashtu, kërkojmë transparencë të plotë dhe përfshirjen e këshillit të sapoformuar të banorëve në procesin e vendimmarrjes”, shprehet Gorvokaj.
Ai shton se ndërtimi i kësaj vaske ndikon negativisht në shëndetin dhe jetën e përditshme të banorëve.
“Erërat e padurueshme, ndotja e ajrit dhe frika e vazhdueshme për pasojat shëndetësore e kanë bërë jetën normale pothuajse të pamundur, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit”, shprehet Mark Gorvokaj, përfaqësues i protestuesve të fshatit Omerbozhaj.
Në fund të këtij prononcimi, ai zotohet se këtë protestë janë të gatshëm ta vazhdojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Kjo nuk është një çështje politike, por një çështje e së drejtës për shëndet, mjedis të pastër dhe dinjitet njerëzor, si dhe një thirrje për përgjegjësi institucionale”, përfundon Gorvokaj.
Ndërkaq, lidhur me këtë shqetësim të banorëve të fshatit në fjalë, gazeta “Koha javore” ka komunikuar me Komunën e Tuzit, për të mësuar qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje dhe masat institucionale që kanë ndërmarrë deri tani.
Kreu i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, shprehet se institucioni që ai drejton ka ndërmarrë veprime konkrete institucionale, duke shfuqizuar aktet e planifikimit hapësinor që parashihnin zgjerimin e deponisë në territorin e saj dhe duke kundërshtuar hapur çdo tentativë për ndërtimin e vaskave të reja pa pëlqimin e pushtetit lokal dhe të qytetarëve.
“Komuna e ka adresuar vazhdimisht këtë problem te ministritë përkatëse, përmes shkresave dhe kërkesave zyrtare, duke kërkuar ndalimin e zgjerimit të deponisë. Në momentin kur u lëshua leja e ndërtimit, Komuna reagoi pa ngurrim, duke e dërguar çështjen në gjykatë, me kërkesë për pezullimin e menjëhershëm të punimeve”, tha ai.
Gjelaj thekson se Komuna e Tuzit ka pasur komunikim institucional me autoritetet e Podgoricës, por, siç tha ai, ky komunikim ka qenë më tepër formal sesa thelbësor.
“Autoritetet e Podgoricës janë informuar vazhdimisht për shqetësimet e qytetarëve dhe për pasojat që ky projekt ka mbi territorin dhe banorët e komunës së Tuzit. Megjithatë, realiteti tregon se qëndrimet dhe kërkesat e Komunës së Tuzit janë injoruar, ndërsa Podgorica ka vazhduar të sillet sikur ka kompetencë mbi një territor që nuk i përket. Komuna e Tuzit ka theksuar qartë se kjo qasje përbën shkelje të parimeve të vetëqeverisjes lokale dhe një përpjekje për të anashkaluar vullnetin e qytetarëve të Tuzit në proceset vendimmarrëse që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre”, thotë Gjelaj.
Në përgjigje të pyetjes sonë nëse pritet ndonjë hap konkret ose vendim në të ardhmen e afërt që do të çonte drejt një zgjidhjeje për këtë problem, që tashmë po zgjat me muaj, kryetari i Komunës së Tuzit thotë se në vazhdim fokusi kryesor mbetet beteja ligjore, e cila është tashmë e hapur dhe në zhvillim.
“Komuna e Tuzit pret vendimin e gjykatës për pezullimin e lejes së ndërtimit, vendim që do të ishte një sinjal i rëndësishëm se ligji dhe interesi publik janë mbi vendimet e njëanshme. Në të njëjtën kohë, Komuna do të vazhdojë presionin politik dhe institucional ndaj Qeverisë, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet seriozisht dhe jo të zvarritet në dëm të qytetarëve”, shprehet Gjelaj.
Ai pohon se Komuna e Tuzit mbetet e vendosur që kjo çështje të mos mbyllet përmes imponimit, por përmes ligjit dhe respektimit të interesit të qytetarëve.
T. Ujkaj
