Një ditëkrenariekulturore e kombëtare

Në kuadër të kursit të Gjuhës dhe Kulturës Shqipe dhe në prag të festave të nëntorit, duke veçuar Kongresin e Manastirit dhe 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, të premten, më 21 nëntor 2025, në Qendrën e Kulturës – Rozhajë u shfaq koncerti festiv “Festojmë shqip për trojet tona”, një manifestim i përmasave të veçanta, që në thelb mbartte një mesazh të fuqishëm identitar, kulturor dhe mirënjohës.
Organizimin e këtij manifestimi e kanë mbështetur Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.
Manifestimi u moderua nga Haxhi Lajçi dhe Senada Pepiq, të dy ligjërues të kursit të gjuhës shqipe në Rozhajë, njëherësh organizatorë të këtij aktiviteti, të shndërruar tashmë në traditë kulturore.
Në këtë manifestim morën pjesë dhjetëra personalitete të jetës publike, kulturore dhe shoqërore nga Rozhaja, Kosova dhe trojet shqiptare në Malin e Zi, në mesin e të cilëve nënkryetari i Komunës së Rozhajës, Ismet Kallaç, kryeimami i Bashkësisë Islame – Rozhajë, Rejhan ef. Hot, kryetari i Lidhjes Demokratik në Mal të Zi, Saubih Mehmeti, dhe kryetari i nderit i kësaj partie, Mehmet Bardhi, nga Malësia Marash Dedvukaj dhe Gjergj Camaj, drejtori i RTV “Fontana” – Istog, Zeqir Mehmetaj, mjeku i Qendrës Spitalore të Rozhajë, Dr. Jaho Pepiq.
Vlerën kësaj ngjarjeje me praninë e tyre ia shtuan nënkryetari i Komunës së Gucisë, Asdren Çelaj, i shoqëruar nga Ibër Hoti, Zeqir Haxhaj, Shaban Prelvukaj etj. nga Plava dhe Gucia.
Nga Istogu i Kosovës në këtë aktivitet morën pjesë humanisti Xhafer Balaj, drejtori ekzekutiv i Klubit Letrar “Podguri, Nuradin Imeraj, nga SHFMU “Ndre Mjeda” – Rakosh, Egzon Haxhiu, si dhe profesori Ramiz Dakaj.
Për rëndësinë e Kongresit të Manastirit, në pika të shkurtra foli Marash Dedvukaj. Pas fjalimit të tij, tri nxënëse kursante, të veshura me kostume ku mbizotëron flamuri me shqiponjën dykrenare, recituan poezi kushtuar Alfabetit – Kongresit të Manastirit.
Drejtori i SHFMU “Ndre Mjeda”, Egzon Aliu mbajti një fjalë përshëndetëse, duke evokuar kujtime të dhimbshme, por fisnike, nga eksodi i vitit 1999, si dhe duke shprehur falënderim të thellë për mikpritjen e jashtëzakonshme që Rozhaja dhe qytetarët e saj treguan ndaj refugjatëve shqiptarë gjatë luftës së Kosovës më 1999.
Me këtë rast, Haxhi Lajçit, organizator i këtij manifestimi dhe ligjërues i kursit të shqipes në Rozhajë, i është ndarë nga Klubi Letrar “Podguri” mirënjohja “Mik i Madh i Istogut”, në shenjë vlerësimi dhe respekti për punën e tij shumëvjeçare në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe në këtë trevë.
Pjesa tjetër e manifestimit përbëhej nga programi kulturor – një mozaik arti, tradite dhe ritmi shqiptar, që u pasurua nga një program i gjerë artistik dhe u moderua nga dy nxënëse shembullore të Gjimnazit në Rozhajë, njëkohësisht edhe ndjekëse të suksesshme të kursit të gjuhës shqipe – Dina Ganiq dhe Nerma Shkrijeli, ku para publikut interpretuan Ansambli Folklorik “Rozhaja”, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Deçani”, nën udhëheqjen e koreografit Prof. Genc Tetajt – një ansambël me paraqitje të nivelit të lartë, në kuadër të të cilit luajtën edhe disa anëtare të folklorit të grupit të kursistëve; kori i Shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim” – Ulqin, i drejtuar nga dirigjenti Blendi Maxharri; Sherif Zabelaj, interpretues i njohur i fyellit, i cili për herë të parë para pjesëmarrësve ka interpretuar në okarinë, një instrument i lashtë frymor ilir.
Programi me simbolikë të thellë kombëtare u prit me entuziazëm nga audienca dhe u shndërrua në një festë të gjallë të kulturës shqiptare. Ndërsa mesazhi kryesor ishte se manifestime si ky dëshmojnë edhe një herë se gjuha, kultura dhe tradita shqiptare vazhdojnë të jetojnë fuqishëm në këto troje.
Në shenjë respekti dhe nderimi për mysafirët dhe artistët pjesëmarrës, organizatorët shtruan një drekë në ambientet e hotelit “WAHELLS” – Rozhajë, duke e përmbyllur me sukses manifestimin dhe duke dëshmuar për nivelin e lartë të organizimit.

Haxhi Lajçi

Të fundit

më të lexuarat