Ornitologu dhe ekologu i njohur malazez, Darko Saveliq, i cili që prej vitesh merret me mbrojtjen e natyrës dhe të mjedisit në zonat më të çmuara në komunën e Ulqinit, ngre shqetësime mbi investimet e paralajmëruara në zonën e liqenit të Shasit, i cili, sipas tij, është ndër liqenet më të bukura, nëse jo më i bukuri në Mesdhe.
Javën e kaluar kompania Eagle Hills Montenegro e biznesmenit arab Muhamed Alabbar ka firmosur marrëveshje me kompaninë Cungu&Co të biznesmenit të njohur nga Ulqini, Nazif Cungu, dhe kompaninë Bond nga Podgorica, për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët Eagle Hills Ecovillage Shas, me qëllim të ndërtimit të ekofshatit në zonën e liqenit të Shasit.
Ai thotë se nuk është kundër valorizimit të liqenit të Shasit, por ajo që kanë kërkuar ekologët është që ai të mbrohet së pari dhe pastaj, pasi që të mbrohet, valorizimi i tij të bëhet me kujdes.
“E them përsëri, nuk kam asgjë kundër investimeve, nuk kam parë asnjë plan etj., thjesht nuk dua që Mali i Zi dhe Komuna e Ulqinit të ndajnë dhjetëra e qindra miliona euro në mënyrë që ndonjë investitor të realizojë investimin e tij”, shprehet Saveliq.
Sipas tij, nëse do të ekzistonte mbrojtja e liqenit të Shasit në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, i cili përcakton tri zona mbrojtëse, do të ekzistonte mundësia që në zonën e tretë – më pak të cënueshme, të ndërtohej në mënyrë të kujdesshme dhe të zgjuar.
Në rrethanat ekzistuese, Saveliq thotë se ka frikë që liqeni i Shasit, përkatësisht banorët e Shasit dhe të Anës së Malit, të mos pësojnë fatin e atyre në Shën Stefan, Llushticë, ishullin Mamulla etj.
“Nuk dua të jem i huaj në vendin tim, sepse komplekset e tilla nuk hapen ndaj njerëzve. Pra, ekziston një rrezik i madh që qytetarët e Ulqinit të jenë të huaj në qytetin e tyre, domethënë, në liqenin e Shasit“, shprehet ai.
Ornitologu i njohur rikujton se në të kaluarën ka pasur disa nisma për mbrojtjen e liqenit të Shasit, duke filluar nga ajo e vitit 2002. Kjo iniciativë është përsëritur disa herë, por ka hasur në vesh të shurdhër nga zyrtarët e Komunës së Ulqinit.
“Tani mund të shihet se në fillim kjo ndodhi për shkak të gjuetisë, sepse liqeni i Shasit ishte një zonë e rëndësishme për gjueti, kështu që kishim disa gjuetarë në Komunën e Ulqinit të cilët lobuan që ai të mos mbrohej kurrë”, pohon Saveliq.
Duke mos e thënë konkretisht, por duke aluduar në ish-drejtuesit e Komunës së Ulqinit, ai thotë se më pas e kuptuan se në komunën e Ulqinit, bile në pushtetin lokal “ekzistonin persona të cilët kishin plane më serioze për liqenin e Shasit sesa si zonë gjuetie”.
i. k.
