Kundërshtojnë ndërtimin evaskave të rejatë paralajmëruara

“Sot këtu jemi një trup dhe duhet të reagojmë ndaj padrejtësisë e cila është bërë ndaj nesh për hedhjen e mbeturinave jashtë kufijve të deponisë dhe punimin e vaskës së pestë dhe të gjashtë. Ne e dimë se këto nuk janë të ligjshme, sepse elaboratet e shprehura nuk përputhen me atë që është në terren, prandaj nuk kanë asnjë të drejtë të na e imponojnë këtë dhe të na helmojnë ajrin që thithim, ujin që pimë dhe tokat nga të cilat mbledhim ushqimin”, tha Mark Gorvokaj, njëri ndër organizatorët, përkatësisht udhëheqësi i kësaj proteste paqësore

Pas paralajmërimit të Ndërmarrjes Publike “Deponija” të Podgoricës, e cila ka planifikuar të ndërtojë vaskën e pestë dhe të gjashtë sanitare në vendbanimin Omerbozhaj (komuna e Tuzit), ku ndodhen tashmë katër vaska të tjera, disa dhjetëra banorë të Malësisë organizuan të shtunën, më 13 shtator 2025, një protestë paqësore në rrugën përballë hyrjes së deponisë, ku për katër orë bllokuan këtë aks rrugor në shenjë revolte dhe kundërshtimi të këtij plani.
Protestuesit mbanin në duar slogane me mbishkrime: “Mjaft është mjaft“, ”Ndalo hedhjen e mbeturinave”, “Ndalo grumbullimin e mbeturinave” etj., mesazhe që tregonin shqetësimin e banorëve dhe vendosmërinë për ta kundërshtuar këtë plan.
Në emër të banorëve të fshatit Omerbozhaj, njëri ndër organizatorët, përkatësisht udhëheqësi i protestës, Mark Gorvokaj, i tha gazetës “Koha javore” se kjo protestë ka për qëllim që të ndalojë hedhjen e mbeturinave jashtë kufijve të deponisë, mbylljen e vaskës së katërt, që sipas tij është ndërtuar dhe hidhen mbeturinat, si dhe ndalimin e ndërtimit të vaskës së pestë dhe të gjashtë që janë planifikuar të ndërtohen.
Ai tha se për këtë problem kanë zhvilluar takim me zyrtarë të Komunës së Tuzit dhe drejtorin e ‘Deponisë’ së Podgoricës, Aleksandar Bozhoviq, duke nënvizuar se Komuna e Tuzit do t’i mbështesë në këto protesta.
“Ndërsa në biseda me drejtorin, ai e njeh situatën tonë, por është shprehur se nuk ka mundësi ta ndryshojë situatën, pasi siç na ka thënë, të gjitha gjërat që janë bërë, janë në përputhje me standardet evropiane dhe që s’ka asnjë arsye që ne të brengosemi”, theksoi Gorvokaj.
Mirëpo, ai tha se në lidhje me këtë problematikë, njëjtë u është thënë edhe nga Ministria e Ekologjisë, se këto vaska janë bërë me standarde evropiane dhe se nuk prekin shëndetin e njeriut.
“Mirëpo këto nuk përputhen absolutisht me gjendjen që është në terren, sepse kundërmon një erë jashtëzakonisht e keqe. Nuk është çështje veç e aromës së keqe, por është çështje e vetë shëndetit. Kjo gjendje po na e rrënon marrëdhënien me vetë jetën këtu në këtë vend, sepse nuk po na lejon të bëjmë një jetë cilësore”, u shpreh Gorvokaj.
Në pyetjen për hapat e mëtejmë në lidhje me këtë problematikë, Gorvokaj thotë se përpos protestave që do të vazhdojnë, ata do të bëjnë një padi penale dhe do t’ua dorëzojnë organeve kompetente.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, i pranishëm në këtë protestë, u shpreh se ata do t’i mbështesin përherë banorët, të cilët, siç tha, kanë gjithmonë të drejtë, posaçërisht kur bëhet fjalë për deponinë, jo të Podgoricës por të Tuzit.
“Ndoshta nuk jeni të njoftuar, por drejtori i kësaj deponie nuk e thotë të vërtetën, pasi kjo deponi nuk punon në bazë të lejes, sepse ajo nuk ka asnjë leje nga Komuna e Tuzit, dhe se deponia e Tuzit ndodhet në territorin e Komunës së Tuzit”, u shpreh Kajoshaj.
Duke njoftuar për konsultimet që, sipas tij, ka kërkuar drejtori i kësaj ndërmarrjeje me disa institucione, ai tha se nuk është e ndershme, para së gjithash, të mos bëjë asnjë konsultim me Komunën e Tuzit, në territorin e së cilës ndodhet kjo deponi.
“Dhe ky është veç fillimi i kësaj pakënaqësie dhe i protestave të qytetarëve. Dhe të jeni të sigurt se nëse do të jetë e nevojshme, këto protesta do të jenë më drastike dhe dinamike dhe me siguri në numër më të madh të qytetarëve”, tha Kajoshaj.
Duke iu referuar deklaratës së drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Deponija” që, siç tha Kajoshaj, është shprehur se ka marrë leje nga Komuna e Tuzit, ai tha se kjo është e pavërtetë.
“Për çfarëdo pune që kryhet në këtë deponi, nevojitet pëlqim i Kuvendit të Komunës së Tuzit, dhe një pëlqim të tillë, as drejtori, as vetë deponia nuk e ka. Pra, është e jashtëligjshme gjithçka që punohet në vetë deponinë dhe këtë me siguri nuk do ta lejojmë. Nëse drejtori dhe zotërinjtë e tjerë na shohin ne si qytetarë të rendit të dytë, gabohen rëndë. Ne do t’i përkrahim përherë qytetarët, edhe më shumë dhe në numër më të madh”, u shpreh Kajoshaj.
Nga protesta u theksua se kjo gjendje nuk u është imponuar vetëm fshatrave të Omerbozhajve, Dinoshës, Konikut, Novosellës, Tojeqit, Mileshit, Rrogathit, Dheut të Zi, por të gjithë Malësisë.
“Sot këtu jemi një trup dhe duhet të reagojmë ndaj padrejtësisë e cila është bërë ndaj nesh për hedhjen e mbeturinave jashtë kufijve të deponisë dhe punimin e vaskës së pestë dhe të gjashtë. Ne e dimë se këto nuk janë të ligjshme, sepse elaboratet e shprehura nuk përputhen me atë që është në terren, prandaj nuk kanë asnjë të drejtë të na e imponojnë këtë dhe të na helmojnë ajrin që thithim, ujin që pimë dhe tokat nga të cilat mbledhim ushqimin”, u shpreh duku iu drejtuar turmës, Mark Gorvokaj, njëri ndër organizatorët, përkatësisht udhëheqësi i kësaj proteste paqësore.
Ndërkaq, pak ditë më parë, në një deklaratë për mediat malazeze, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj është shprehur se kjo komunë nuk ka dhënë dhe as nuk do t’i japë kushtet tekniko-urbanistike apo lejen për ndërtimin e vaskës së pestë dhe të gjashtë në lokacionin e quajtur “Livadhet”.
Ai i është referuar nenit shtatë të Vendimit mbi rregullimin e përkohshëm të marrëdhënieve midis Kryeqytetit dhe Komunës së Tuzit deri në ndarjen përfundimtare të pasurisë, në të cilin thuhet se pasuria e patundshme e përfshirë në projektin urbanistik “Deponia sanitare me qendër riciklimi” ndodhet në territorin e komunës së Tuzit – një vendim që Kuvendi i Komunës e kishte miratuar në vitin 2021.
Banorët kishin dalë në protestë edhe disa ditë më parë kundër së njëjtës problematikë. Një numër i konsiderueshëm qytetarësh protestuan edhe të hënën, më 15 shtator 2025, pranë godinës së Komunës së Tuzit, ndërsa janë paralajmëruar edhe protesta të tjera në ditët në vijim.
Në këtë deponi depozitohen mbetjet e nëntë komunave të Malit të Zi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat