Në një konferencë të posaçme për media, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka bërë të ditur të premten se është arritur marrëveshja përfundimtare me Qeverinë e Malit të Zi për themelimin e ndërmarrjes së re publike “Parku i Natyrës Kriporja e Ulqinit”.
Ky vendim, i konsideruar prej vitesh si një nga më të rëndësishmit për të ardhmen ekologjike, turistike dhe ekonomike të qytetit, vjen pas një procesi shumëvjeçar, të ndërlikuar dhe të shoqëruar me sfida të shumta institucionale, politike dhe administrative.
Sipas kryetarit Nimanbegu, marrëveshja është rezultat i një pune intensive që ka përfshirë Komunën e Ulqinit, Ministrinë e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të Veriut, Ministrinë e Financave, si dhe një rol të pazëvendësueshëm të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, të cilët kanë monitoruar dhe përkrahur procesin që nga fillimi.
“Ky është një hap historik për qytetin tonë dhe një fitore për të gjithë ata qytetarë që për vite me radhë janë angazhuar në mbrojtjen e Kripores nga interesat e ngushta dhe presionet e vazhdueshme që rrezikonin ta shkatërronin këtë zonë me rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike”, deklaroi ai.
Kriporja e Ulqinit është e njohur gjerësisht në Evropë dhe më gjerë si një prej habitateve më të rëndësishme për shpendët shtegtarë, një zonë me biodiversitet unik dhe një pasuri natyrore që ka qenë e rrezikuar prej dekadash. Për komunitetin lokal, ajo nuk është vetëm një pasuri ekologjike, por edhe simbol identitar dhe ekonomik.
Nimanbegu theksoi se themelimi i ndërmarrjes publike është “kthesa më e madhe në historinë e Kripores”, sepse për herë të parë pas shumë dekadash krijohet një mekanizëm që e mbron dhe e menaxhon atë në mënyrë profesionale, transparente dhe në interesin e qytetit.
“Kriporja më në fund do të vihet në shërbim të komunitetit dhe do të menaxhohet si një aset publik, i cili ruhet dhe zhvillohet për gjeneratat që vijnë”, theksoi ai.
Në fjalën e tij, Nimanbegu vuri në dukje se ky proces dëshmon qartë se angazhimi qytetar është më i fuqishëm se çdo interes i ngushtë privat.
“Ka pasur përpjekje të vazhdueshme për shfrytëzimin e Kripores për qëllime të tjera, shpeshherë në kundërshtim me interesin publik. Qytetarët e Ulqinit, së bashku me shoqërinë civile, kanë treguar për më shumë se një dekadë se rezistenca e organizuar dhe qëndrimi i palëkundur mund t’i mbrojë resurset tona natyrore”, tha ai.
Po ashtu, ai kujtoi se komuniteti shqiptar në Mal të Zi, tradicionalisht promotor i proceseve demokratike, ka luajtur rol të jashtëzakonshëm si në pavarësinë e vendit, ashtu edhe në anëtarësimin në NATO, dhe se vazhdon të jetë thelbësor në procesin e integrimit evropian.
Rruga drejt mbrojtjes së Kripores ka qenë e gjatë, e vështirë dhe e mbushur me sfida të ndryshme. Në vijim, disa prej momenteve kyçe të këtij procesi:
Kriporja ka qenë në proces falimentimi për më shumë se 20 vjet, pa investime dhe pa strategji menaxhimi, duke rrezikuar degradim të plotë. Në vitin 2008, në planet hapësinore u propozua transformimi i saj në zonë turistike, një ide që shkaktoi reagime të forta publike.
Në vitin 2012, përmes amendamentit të deputetit të atëhershëm Genci Nimanbegu dhe me mbështetjen e OJQ Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS), u ndryshua Plani Hapësinor, duke e ndaluar përfundimisht ndërtimin dhe planet për betonizimin e kësaj zone të mbrojtur.
Në vitin 2016, koalicioni “Shqiptarët e Vendosur” e përfshiu qartë Kriporen në listën e zonave që duhen të shpallen Park Natyror.
Më 24 qershor 2019, Kuvendi i Komunës së Ulqinit e shpalli zyrtarisht Kriporen Park Natyror, duke i dhënë asaj status të mbrojtur ligjor.
Aktualisht, zona menaxhohet nga Ndërmarrja Publike “Parku Kombëtar”, e cila assesi nuk ka pasur kapacitetet e plota për ta zhvilluar zonën në nivelin që kërkohej.
Me themelimin e ndërmarrjes së re publike, pritet të nisë edhe një cikël i ri investimesh madhore. Kapitali fillestar do të jetë 4 milionë euro, të cilat do të investohen në një periudhë 5-vjeçare, në raportin 60 për qind Qeveria dhe 40 për qind Komuna e Ulqinit.
Po ashtu, vlerësimet tregojnë se Bashkimi Evropian mund të sigurojë deri në 15 milionë euro për projekte të rimëkëmbjes së Kripores, duke përfshirë rikthimin e funksioneve natyrore, investime në infrastrukturë të qëndrueshme dhe krijimin e kushteve për turizëm ekologjik.
Në fund të fjalës së tij, kryetari Nimanbegu shprehu mirënjohjen e thellë për të gjitha institucionet, organizatat dhe individët që kontribuuan në këtë proces shumëvjeçar.
“Ky është rezultat i qindra orëve punë, qindra diskutimeve, dhjetëra iniciativave qytetare dhe angazhimit të palodhur të ekspertëve të fushës. Falënderojmë bashkësinë ndërkombëtare dhe organizatat e mbrojtjes së natyrës për ndihmën e tyre të çmuar dhe presim përkrahjen e tyre të vazhdueshme”, u shpreh ai.
Sipas Nimanbegut, ky hap do të shënojë fillimin e një epoke të re për Ulqinin – një epokë të zhvillimit të qëndrueshëm, të ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe të promovimit të identitetit ekologjik të qytetit.
“Kriporja e Ulqinit nuk do të jetë më thjesht një kujtim i së kaluarës, por një burim krenarie, zhvillimi dhe prosperiteti për të ardhmen”, përfundoi kryetari i Komunës së Ulqinit.
D. Teliqi
