Në ambientet e Hotelit “Mediteran” në Ulqin, të hënën, më 24 nëntor 2025, u organizua një pritje nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë me rastin e Ditës së Pavarësisë. Të ftuarit, ndër të cilët përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe diplomatike, u pritën nga Konsulli i Përgjithshëm, Arben Doçi, i cili shprehu fillimisht mirënjohjen për praninë dhe mbështetjen e tyre.
“Më lejoni të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen për praninë tuaj në këtë pritje me rastin e Festës Kombëtare të Shqipërisë – 113-vjetorit të Ditës së Pavarësisë”, u shpreh ai para të pranishmëve, duke theksuar rëndësinë historike e shpirtërore që mban kjo ditë për shqiptarët kudo që jetojnë.
Në fjalën e tij, konsulli Doçi theksoi se “28 Nëntori është për shqiptarët kudo gjenden një ngjarje kulmore në historinë e popullit tonë. Nuk ishte vetëm një ëndërr shumëshekullore, apo shpresë për mbarësi, por edhe fryt i sakrificave të panumërta.”
Ai përkujtoi figurën madhore të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke përmendur se “në zanafillë të këtyre sakrificave qëndron epopeja e rezistencës ndaj pushtimeve të huaja, përmendoret e të cilit tashmë lartësohen në disa qendra të shqiptarëve në Mal të Zi dhe pritet realizimi i projektit monumental të tij edhe në Ulqin”.
Konsullata – një urë e fortë bashkëpunimi shqiptar në Mal të Zi
Konsulli Doçi kujtoi se hapja e Konsullatës së Përgjithshme për Ulqinin dhe Tivarin përkon pikërisht me vitin e 113-të të pavarësisë së Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një zhvillim me simbolikë të veçantë.
“Konsullata është një vlerë e shtuar e pranisë sonë diplomatike në Malin e Zi, është tregues i marrëdhënieve shumë të mira midis vendeve tona, por simbolizon gjithashtu afrimin e mëtejshëm midis shqiptarëve”, u shpreh ai.
Në vijim, ai nënvizoi se Konsullata po punon për të nxitur projekte të rëndësishme dhe bashkëpunim në fusha të ndryshme: ekonomi, kulturë, arsim, si dhe iniciativa zhvillimi me interes të ndërsjellë.
Me tone optimiste, ai shtoi se “me vullnet të përbashkët, besim dhe optimizëm mund t’i tejkalojmë të gjitha sfidat”.
Ulqini – potencial për të qenë lokomotiva e zhvillimit shqiptar në Mal të Zi
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua vizionit për Ulqinin. Konsulli i Përgjithshëm theksoi qartë se qyteti nuk duhet të mbetet mbrapa në zhvillim.
“Ulqini nuk bën të jetë një provincë e anashkaluar, një xhep i izoluar ekonomik, apo me depresion demografik. Ulqini i ka të gjitha potencialet për të qenë faktor i spikatur ekonomiko-tregtaro-turistik në Malin e Zi”, nënvizoi Doçi.
Ai e përshkroi Ulqinin si një urë lidhëse shumëdimensionale ndërshqiptare, me rëndësi të posaçme në marrëdhëniet e tij me veriun e Shqipërisë dhe zonat Shkodër–Lezhë. Konsullata, tha ai, mbetet e përkushtuar për të “inkurajuar dhe mbështetur orientimin në fjalë.”
Duke prekur vizionin e integrimeve rajonale, Doçi theksoi se bashkëpunimi ndërshqiptar është njëkohësisht edhe zgjerim i natyrshëm i integrimeve shtetërore.
Ai theksoi se “integrimet ndërshqiptare janë njëkohësisht edhe integrime të shëndosha ndërshtetërore midis dy vendeve tona dhe nuk bien ndesh – janë premisë e integrimit më të gjerë rajonal e më tej atij evropian”.
Në këtë kontekst, ai e vuri theksin te përgjegjësia breznore për të mos zhgënjyer sakrificat e rilindësve dhe të dëshmorëve të pavarësisë së Shqipërisë.
“Ne, bashkëkohësit, kurrsesi nuk duam, nuk besojmë, se zhgënjejmë shpresat, sakrificat e rilindësve patriotë dhe të dëshmorëve të pavarësisë së Shqipërisë”, ka pohuar konsulli Doçi.
Në përfundim të fjalës së tij, ai i falënderoi të gjithë të pranishmit duke i ftuar për të vazhduar mbrëmjen në një atmosferë festive.
Pavarësia është një udhëtim i pandërprerë drejt forcimit të bashkëpunimit, integrimit dhe zhvillimit. Në këtë 113-vjetor, Ulqini u bë edhe një herë qendra e krenarisë dhe afërsisë shqiptare, duke dëshmuar se fryma e 28 Nëntorit vazhdon të jetojë në zemrat e të gjithë shqiptarëve.
D. Teliqi
