Atdheu mbi të gjitha

Mbrëmja festive e 23 nëntorit në Ulqin ishte një ndalesë e shpirtit shqiptar - një rikthim te rrënjët, te historia, te simboli më i dashur i kombit tonë - flamuri kuq e zi. Mes këngës, fjalës, artit dhe një publiku të zjarrtë, u ringjall ndjenja e bashkimit dhe e përkatësisë, e cila i ka mbajtur shqiptarët të pathyeshëm ndër shekuj. “Atdheu mbi të gjitha” - dhe mbi të gjitha, flamuri që i bashkon të gjithë shqiptarët, kudo që janë

Në një atmosferë solemne dhe përplot emocion, Qendra për Kulturë e Ulqinit u mbush plot e përplot mbrëmjen e 23 nëntorit, ku Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi organizoi manifestimin qendror për Ditën e Flamurit dhe 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Me një pjesëmarrje të gjerë të autoriteteve shtetërore, përfaqësuesve diplomatikë, intelektualëve, artistëve dhe qytetarëve nga të gjitha trevat shqiptare, mbrëmja u shndërrua në një festë kombëtare të denjë, të mbushur me art, kulturë dhe krenari shqiptare.
Në sallë ishin të pranishëm personalitete të larta, ndër ta kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, Ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, Sh. S. Zhaklina Peto, Ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Sh. S. Ariana Hoxha – Zherka, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Ulqin, Arben Doçi, përfaqësues të ambasadave të Kroacisë dhe Këshillit Kombëtar të Romëve, deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi – Ilir Çapuni dhe Artan Çobi, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Ulqinit, personalitete të institucioneve kulturore, arsimore dhe shoqërore, qytetarë dhe bashkatdhetarë nga Rozhaja, Plava, Gucia, Malësia, Tuzi, Tivari dhe troje të tjera shqiptare.
Mbrëmjen e hapën artistët Kastriot Tusha dhe Gjylie Pelingu – Hoxha, me interpretimin dinjitoz të himnit kombëtar.
Në mbrëmjen festive kushtuar 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, fjalën përshëndetëse e mori fillimisht kryetari i Komunës së Ulqinit, i cili duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi vlerat kombëtare, sfidat aktuale të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, si dhe domosdoshmërinë e unitetit dhe të mbrojtjes së të drejtave të fituara ndër vite.
“Kam kënaqësi të veçantë që, në emrin tim dhe në emër të koalicionit të cilin e përfaqësojmë në komunën e Ulqinit, t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju uroj 28 Nëntorin. Duke i përshëndetur të gjithë personalitetet e pranishëm, më lejoni të theksoj se komuniteti ynë, në këto ditë festive, me shumë krenari feston simbolin tonë kombëtar – flamurin shqiptar. Ne festojmë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por gjithashtu festojmë edhe unitetin që këtë vit e kemi dëshmuar si komunitet. Komuniteti ynë – të gjitha partitë udhëheqëse dhe ato opozitare – ka treguar unitet përballë sfidës së rëndë me të cilën jemi përballur këtë vit, një sfidë e cila ka cenuar pozitën e komunitetit tonë”, ka thënë ai.
Nimanbegu ka vijuar duke thënë se ne flamurin e kemi të lirë, festimet i kemi të lira, por si duket kur vjen koha, këto të drejta rrezikojnë të cenohen nga një hije ekonomike.
“Nuk është mirë, të nderuar qytetarë, kur euroja, paraja bëhet simbol i gjithçkaje. Nuk është mirë kur e ardhmja financiare rrezikon të ardhmen e fëmijëve tanë. Prandaj, nga kjo foltore, ju drejtohem të gjithëve: na duhet një bashkim i përbashkët. Ashtu siç kemi mbijetuar në këto treva për 2500 vite e më tepër, duhet të krijojmë kushtet që e ardhmja jonë të jetë e sigurt”, ka theksuar ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka thënë se koncerti festiv, i organizuar nga KKSH, është një hap i rëndësishëm drejt asaj që ne të gjithë e ndiejmë thellë në zemër.
“Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë. Jemi krenarë që duam të jetojmë në breza demokratikë, në një Mal të Zi që synon të ecë drejt Evropës. Por, megjithatë, diskriminimi ende vazhdon. Të mirat tona detare, të mirat ekonomike që na cenohen, janë çështje që qëndrojnë përpara politikës shqiptare në Mal të Zi dhe para udhëheqjes së Komunës së Ulqinit. Prioritet mbetet që vitet e ardhshme të kemi të drejta më të plota dhe më të arritura. Prandaj, edhe një herë: Rroftë flamuri shqiptar, rroftë Pavarësia e Shqipërisë!”, ka përfunduar Nimanbegu.
Në vijim të programit, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, në fjalën e tij ka përkujtuar peripecitë dhe sakrificat e shqiptarëve në të kaluarën, si dhe sfidat me të cilat përballen sot shqiptarët në Malin e Zi.
“Festa e Flamurit Kombëtar dhe e Pavarësisë së Shqipërisë është festa më e madhe për të gjithë shqiptarët – në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës e në mërgim. Sonte, në këtë mbrëmje që jemi mbledhur të festojmë së bashku, duhet të kujtojmë shqiptarët e këtyre trojeve, paraardhësit tanë që fatin e kombit e morën në duart e veta e që nuk rreshtën për të ruajtur gjuhën, kulturën e flamurin kombëtar si amanetin më të shenjtë”, u shpreh Nika.
Ai solli në kujtesë figurat dhe ngjarjet kyçe të historisë shqiptare, që lidhen ngushtë me Ulqinin, Krajën, Malësinë dhe hapësirat tjera shqiptare.
“Nga këto vendbanime shekullore shqiptare kemi dëshmitë e para të gjuhës shqipe: Fjalori i Von Harfit që zuri fill nga Ulqini; Gjon Buzuku filloi shkrimin e gjuhës shqipe nga Brisku i Krajës; Ded Gjo’ Luli në Deçiq të Malësisë ngriti flamurin kombëtar; Ali Hafiz Ulqinaku e Dom Simon Filipaj ishin të parët që i përkthyen në gjuhën shqipe librat e shenjta; Ymer Prizreni këtu pushon përgjithmonë”, ka theksuar kryetari i KKSH-së.
Në vazhdim, Nika vlerësoi me mirënjohje mbështetjen e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Falë mbështetjes së pakursyer, sot kemi shkolla në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Mal të Zi, një armatë intelektualësh me taban kombëtar që ruajnë dhe kultivojnë kulturën kombëtare dhe gjuhën shqipe”, ka thënë ai.
Duke apeluar për ruajtjen e identitetit kombëtar, ai shtoi se “si shqiptarë duhet të vazhdojmë me kërkesat tona: të punojmë e të angazhohemi për t’u mbrojtur nga tjetërsimi kombëtar, që fëmijët tanë të dinë se Shqipëria është mëmëdheu dhe të krenohen me tokën e bekuar shqiptare.”
Fjalimin e mbylli me një mesazh të fuqishëm që u shndërrua në moto të mbrëmjes.
“I bindur se ky është shekulli i rilindjes së shqiptarëve, ta ruajmë identitetin, këtë gjuhë të bukur, me krenarinë e një shqiptari. Urime 28 Nëntorin! Rroftë flamuri ynë kombëtar, simboli i qëndresës dhe unitetit!”, ka përfunduar kryetari i KKSH-së.

Programi artistik – një udhëtim i gjallë në shpirtin shqiptar
Pjesa artistike, e konceptuar me titull domethënës “Atdheu mbi të gjitha”, solli në skenë disa prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare. Artistët e mëdhenj si: Ilir Shaqiri – artisti i njohur i këngës atdhetare, i cili e ngriti atmosferën në lartësinë e ndjenjës së kësaj feste; Kastriot Tusha – një artist i madh që solli në skenë forcën dhe emocionin e këngës shqipe me një energji të veçantë; Selami Kolonja – një zë i pastër, i dashur, që ka kënduar prej vitesh për dashurinë ndaj vendit dhe trashëgimisë sonë kulturore; Nikollë Nikprelaj – zëri i fuqishëm, i rrënjosur në traditën e Malësisë, gjithmonë i denjë për të bardhësuar krenarinë shqiptare; Gjylie Pelingu – Hoxha – artistja vendase, e cila sjell me delikatesë, elegancë, emocione të thella me zërin e fuqishëm prej një sopranoje meloditë e kulturës sonë.
Të gjithë së bashku interpretuan këngë të fuqishme, patriotike dhe emocionale, të cilat ngritën sallën në këmbë disa herë. Secili prej tyre i dha ngjyrë dhe emocion mbrëmjes, duke sjellë atë që publiku e pret nga një festë e flamurit: madhështi, emocion dhe krenari.
Aktori i mirënjohur Bislim Muçaj u kujdes për pjesën artistike letrare, duke sjellë me mjeshtëri vargje, interpretim dramatik dhe mesazhe të thella shpirtërore që lidhnin natyrshëm të gjitha segmentet e programit.
Pjesë e programit ishte edhe ekspozita me motive kombëtare e nxënësve të shkollës së mesme në Ulqin, e hapur në Galerinë e Qendrës së Kulturës.
Mbrëmja festive e 23 nëntorit në Ulqin ishte një ndalesë e shpirtit shqiptar – një rikthim te rrënjët, te historia, te simboli më i dashur i kombit tonë – flamuri kuq e zi. Mes këngës, fjalës, artit dhe një publiku të zjarrtë, u ringjall ndjenja e bashkimit dhe e përkatësisë, e cila i ka mbajtur shqiptarët të pathyeshëm ndër shekuj. “Atdheu mbi të gjitha” – dhe mbi të gjitha, flamuri që i bashkon të gjithë shqiptarët, kudo që janë.
Në këtë mbrëmje nuk u festua vetëm një datë historike, por u festuan ngjyrat e shpirtit tonë kombëtar, kujtesa e gjeneratave dhe amaneti i atyre që ëndërruan një atdhe të lirë. U festua flamuri – atë që Asdreni e quante ‘shenj’ e shenjtë e atdheut’, dhe që Fan Noli e ngriti në vargje si ‘flamur gjak, flamur shqiponjë’.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat