
Gratë shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës, në krahasim me meshkujt, janë të nënpërfaqësuara në pozita udhëheqëse në të gjitha fushat e jetës publike (me përjashtime të vogla). Edhe pse ato përbëjnë gjysmën e popullsisë shqiptare, hapësira e tyre në pozita drejtuese është e vogël, krahasuar me shkollimin, përgatitjen dhe aftësimin e tyre. Kjo ndodh për fat të keq edhe sot në kohën e demokracisë për shumë arsye. Pengesat e shumta nisur nga traditat e hershme dhe të forta, ligjet zakonore, historiku komunist, barrierat strukturore përmes ligjeve, institucionet diskriminuese dhe një mori formash të tjera kufizuan mundësitë e tyre për të siguruar pjesëmarrje në jetën politike dhe për t’u bërë udhëheqëse aktive. Shqiptarët politikën historikisht e kanë konsideruar dhe cilësuar si një punë (veprimtari) të denjë vetëm për gjininë mashkullore, duke u kthyer në aksiomën e famshme të gabuar se gratë nuk janë për politikë. Se vërtet nuk është kështu e kanë dëshmuar femrat e suksesshme shqiptare presidente, deputete, ministre, udhëheqëse të disa segmenteve të rëndësishme institucionale…
Derisa femrave shqiptare në trevat e tyre etnike iu vështirësohet pjesëmarrja nga pamëshira e burrave, kontributi dhe ushtrimi i detyrave më të larta shtetërore, ato në diasporë i kanë të hapura dyert e suksesit njësoj si meshkujt, pavarësisht gjinisë e prejardhjes. Raste të tilla ka mjaft në Evropë e kontinente të tjera. Ne kësaj herë veçojmë historinë e suksesit të tri femrave shqiptare në Shtete të Bashkuara të Amerikës, të cilat këtë vit fituan në zgjedhjet amerikane dhe bënë krenarë të gjithë bashkëkombësit e tyre kudo që janë.

Edita Shkreli – gjyqtarja e parë shqiptare e Gjykatës Civile në Nju-Jork
Edita Shkreli u lind në Shkodër. Në Shtete të Bashkuara të Amerikës ka emigruar bashkë me prindërit e saj, kur ajo ishte vetëm 13 vjeç. E gjithë kjo për t’u shpëtuar trazirave të marsit të vitit 1997 në Shqipëri. Kjo intelektuale shqiptare është profesoreshë dhe avokate me një karrierë të pasur në SHBA. Ajo, si kandidate e Partisë Demokratike, më 7 nëntor 2023 fitoi garën për gjykatëse në Gjykatën Civile të Nju Jorkut dhe është e para shqiptare në Amerikë, që ka një post të tillë.
Në vitin 2011, Edita Shkreli, ka përfunduar studimet e avokaturës tek New York Law School, duke u diplomuar si “Juris Doctor, Cum Laude”. Ajo ka më shumë se tetë vjet që punon pranë gjykatave të Bronx-it dhe të White Plains, kryesisht për rastet komerciale, të divorceve dhe rasteve të tjera. Ajo zotëron njohuri të larta juridike, që së bashku me eksperiencat e saj e bëjnë atë të kualifikuar për të marrë vendime të drejta për komunitetin në tërësi. Përpos një avokate me eksperiencë, ajo është edhe një pedagoge e përkushtuar në mësimdhënie, profesion të cilin ajo e ushtron te New York Law School, që në vitin 2019.
Përveç anës profesionale, Edita Shkreli ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e saj për komunitetin shqiptar, ku është anëtare pranë Bronx Community Board dhe po ashtu është edhe anëtare e Bordit të organizatave jofitimprurëse, “Neighborhood Initiatives Development Inc” dhe “Albanian-American Educators Association”. Edita beson fort në fuqinë dhe ndikimin e përfshirjes së komunitetit. Gjatë vitit shkollor 2018-2019, për shembull, ajo stërviti nxënësit e klasës së tetë në Icahn Charter School 1 për të konkurruar në Programin Thurgood Marshall Mock Trial. Për tërë këtë angazhim të saj në komunitet shqiptar, ajo shpesh quhet edhe “Lidere e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan”.
Edita Shkreli është e njohur dhe në Shqipëri, kryesisht Tiranë, për angazhimin e saj në administratën vendore. Në fillimet e veta ka shërbyer si mbikëqyrëse e Departamentit të Nxitjes së Investimeve të Huaja në Zyrën e kryetarit të Bashkisë në Tiranë, nga viti 2012 deri në vitin 2014.

Violeta Berisha – gruaja e parë kryetare e Bashkisë Fairviev të Nju Xhersit
Familja e saj e madhe kishte lënë Pukën – Shqipërinë në fundin e dhjetorit të vitit 1952 për të mbërritur në fillim të janarit në vitin 1953 në Podujevë të Kosovës në ish- Jugosllavinë e asaj kohe, të detyruar për shkak të regjimit komunist dhe për t’i shpëtuar persekutimet e pushtetit, i cili shumë të tjerëve u kishte ngrënë kokat.
Violeta lindi në Romë të Italisë dhe nga aty një pjesë e familjes së saj emigruan në Evropë, kurse pjesa tjetër në Shtete të Bashkuara të Amerikës, në vitin 1970. Përpara se t’i futej politikës, ajo kishte punuar si bookkeeper dhe ekonomiste. Rrugëtimi i saj politik filloi në maj të vitit 2017, ku Këshilli i Borough-it zgjodhi për herë të parë një shqiptare si anëtare të Këshillit Bashkiak.
Për demokraten Violeta Berisha raportohet se është e para grua kryetare në 129 vjet prej se qyteti Fairview në Nju Xhersi u shpall bashki. Berisha, përballjen më të fortë e kishte katër muaj më parë, në radhët e Partisë Demokrate në muajin qershor të këtij viti , kur ajo mundi të fitojë brenda partisë së saj, me një tjetër ish-anëtar të Këshillit Bashkiak, ish- kryetarin me mandat të kufizuar, Vincent A. Bellucci, i cili për arsye moshe u tërhoq nga bashkia.
Ajo kandidoi gjatë zgjedhjeve paraprake dhe të përgjithshme si një kandidate e moderuar, duke e fokusuar pjesën më të madhe të kandidaturës së saj në përpjekjet e saj për të rritur mirëqenien e qytetarëve.

Emiljana Ulaj – ligjvënëse e Distriktit 9-të të Nju-Jorkut
Kjo shqiptaro-amerikane, anëtare e Partisë Demokratike të Nju-Jorkut, fitoi zgjedhjet lokale për ligjvënëse lokale për Distriktin 9. Ajo dhe familja e saj u larguan nga Shqipëria në vitin 1997 në mes të një lufte civile. Pas gati një viti të kaluar si refugjatë, familja emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku iu dha azili politik. Familja u vendos në North Westchester dhe prindërit e Emiljanës punonin shumë punë për të siguruar një jetë të qëndrueshme familjare. Babai i Emiljanës ishte me fat që gjeti një punë sindikale në një shkollë publike lokale, e përfaqësuar nga Mësuesit e Bashkuar të Shtetit të Nju Jorkut (NYSUT), që siguronte sigurimin shëndetësor për të gjithë familjen dhe sigurinë financiare për fëmijët për të shkuar në kolegj dhe për të ndjekur karriera të përmbushura.
Duke shfrytëzuar këtë mundësi, Emiljana filloi një karrierë të fokusuar në shërbimin publik. Sot, Emiljana punon si organizatore sindikale për të njëjtën sindikatë, NYSUT, që i dha kaq shumë familjes së saj. Pasi ka punuar si avokate praktike e publikut, anëtare e stafit për Senatin e Shtetit të Nju-Jorkut dhe tani si organizatore sindikatash, Emiljana është e gatshme të paguajë mundësitë që i jepen duke evokuar për të tjerët në Bordin e Ligjvënësve të Qarkut.
Emiljana është diplomuar në shkollën e mesme John Jay në Cross River dhe Bard College në Annandale-on-Hudson. Historia e saj e punës përfshin shërbimin si Drejtoreshë e Komunikimeve dhe Planifikimit Strategjik për Senatorin Shtetëror Shelley B. Mayer, Specialiste e Komunikimit për Unionin Ndërkombëtar të Punonjësve të Shërbimit (SEIU) Local 32BJ, dhe Organizatore Politike Rajonale për NYSUT. Emiljana zgjidhet gjithashtu në Komitetin Shtetëror të Partisë Demokratike të Shtetit të Nju Jorkut për Distriktin e Asamblesë 95.
Këto figura të shquara shqiptare të politikës aktive amerikane, me profilin e tyre kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë denjësisht femrën shqiptare në shtetin më demokratik në botë ,duke manifestuar vullnetin, këmbënguljen vizionin dhe energjinë për të dhënë kontributin e tyre si profesioniste dhe politikane. Ato janë personalitete ndikuese në jetën publike amerikane , me njohje e vlerësim nga autoritete të larta politike në SHBA dhe jo vetëm.