
Marrëdhëniet që njerëzit kanë me gjumin ndryshojnë nga personi në person, për dikë është pjesa e preferuar e ditës, për dikë tjetër është kohë jete e shkuar dëm, por sidoqoftë të gjithë e dimë se pa të nuk jetojmë dot. Ndër temat më të diskutuara në rrjet, është marrëdhënia e adoleshentëve me gjumin. Adoleshenca është periudha gjatë së cilës fëmijët pësojnë një zhvillim fizik, mendor, social dhe në personalitet, në mënyrë që të përgatiteten për botën e të rriturve dhe të kalojnë në fazën e pjekurisë. Për një zhvillim sa më të mirë, fëmijët kanë nevojë për shprehi të shëndetshme të stilit të jetesës. Sipas ekspertëve të fushës, gjumi është një ndër faktorët kyç, ndaj rekomandohet që adoleshentët të bëjnë nga 8 deri në 10 orë gjumë çdo natë. Për arsye të ndryshme shumë adoleshentë nuk flejnë më shumë se 6 apo 7 orë.
Sipas një studimi të kryer nga “Better Health Channel”, ekzistojnë një sërë faktorësh që bëhen shkak për humbjen e gjumit tek adoleshendët, dhe disa nga ata janë: zhvendosja hormonale e kohës, që do të thotë se ata ndihen të përgjumur një apo dy orë më vonë se grupmoshat e tjera; orari i tensionuar pas shkollës, që përfshin detyrat e shtëpisë, sportin, punën me kohë të pjesshme apo çdo lloj angazhimi tjetër social; aktivitetet e kohës së lirë që pëfshijnë internetin dhe video-lojërat; ekspozimi ndaj dritës së paisjeve celulare, pasi kjo e shtyn trurin që të qëndojë zgjuar; qëndrimet kulturore, për shembull në kulturën perëndimore të qenurit aktivë vlerësohet më tepër se fjetja; dhe çrregullimet e gjumit që mund të vijnë si pasojë e ndonjë sindromi.
Nëse këto janë disa nga shkaqet që çojnë në çrregullimin e gjumit tek fëmijët adoleshentë, për të kuptuar pasojat, Daniel Leuin, psikolog pediatrik, specialist i gjumit dhe psikolog klinik i licencuar, në një artikull të publikuar nga organizata “Rise and Shine”, na mëson se si privimi i gjumit ndikon në mirëqenien e përgjithshme të adoleshentëve.
Për shembull, gjumi REM kontribuon drejtpërdrejt në rregullimin emocional, të mësuarit dhe kujtesës, të gjitha të nevojshme për performancën e suksesshme në shkollë, marrëdhëniet shoqërore dhe vetëvlerësimin. Kjo do të thotë që problemet me të mësuarit, vëmendjen dhe emocionet mund të shkaktohen nga gjumi i dobët. Ulja e REM-it ndikon po ashtu tek mënyra se si adoleshendët mësojnë dhe mund të pengojë kreativitetin. Doktor Leuin gjithashtu tregon se ekziston një rrezik më i lartë për obezitet dhe imunitet të dobët. Gjithashtu nëse një adoleshent është vazhdimisht i privuar nga gjumi, muaj pas muaji, kjo mund të kontribuojë në depresion, mungesë shprese, madje mund të ketë rritje të idesë për të kryer vetëvrasje.
Por, për të përmirësuar gjumin dhe shmangur pasojat negative që rrjedhin nga çrregullimi i tij, për fëmijët, adoleshentët apo edhe të rriturit, specialistët rëndisin disa këshilla elementare: si fillim duhet të përcaktoni një orar gjumi, kjo nënkupton që ora e fjetjes nga nata në natë, të mos ketë diferencë më shumë se një orë; shpenzoni kohë jashtë në diell; bëni aktivitet fizik rregullisht; mos shkoni të uritur në krevat por as mos konsumoni vakte pak para gjumit; shmangni konsumimin e kafes gjatë darkës; si dhe 30 minuta para gjumit hiqni dorë nga televizioni, telefoni dhe paisjet e tjera digjitale.
