
Më 7 gusht të vitit 1961, majori Gherman Titov (1935-2000) u bë kozmonauti i dytë sovjetik që u kthye nga orbita në tokë, dhe duke folur për përvojat e këtij ekskursioni në Gjithësi, tha se nuk e kishte parë Zotin: “Shikova përreth me shumë vëmendje, por nuk pashë askënd atje” [Seattle Daily Times, 7. 05. 1962]! Nuk e pa madje as me “teleskopët që shohin thellësitë e qiellit”! Një mendje kaq e brishtë nuk ka mundësi të formojë idenë mbi Krijuesin, që pret ta shohë në qiell të ulur në fron!
Pak vite më vonë (1968), tre astronautë amerikanë qenë të parët që shkuan në anën e errët të Hënës, nga ku për herë të parë syri njerëzor pa planetin Tokë! Kur u kthyen, njëri prej tyre tha: “Zotin nuk e pashë, por shenjat e Tij i pashë kudo”. Ajo mrekulli e paraqitur para syve të tyre dhe mënyrat e ndryshme që ata i përshkruan, i shtyri shumë studiues të mendojnë seriozisht: A ekziston vërtet Zoti? Është Ai krijues i njeriut, apo njeriu krijuesi i Tij? A është vdekja qëllimi final i jetës? A duhet të vështrohet diçka pas kësaj jete të bukur e të çuditshme? Cili është qëllimi i Universit (Gjithësisë) [Mahmood:1994]?
Këto mbetën për një kohë të gjatë pyetjet themelore që preokupuan njeriun ‘shkencor’ më shumë se çfarëdo tjetër [Adler:1952, f. 543] dhe pikërisht këtu u nda feja nga shkenca. Nëse e para është mbushur me mite, kjo e fundit është e korruptuar, por gjithsesi të dyja pretendojnë se e vërteta është me to. Të dyja janë përpjekur për atë dhënë një përgjigje kundrejt gjithë këtyre krijesave të mrekullueshme, rreth këtyre planetëve të pafundta me një sistem të rregullt lëvizjesh! Ne mund të priremi ta shohim ateizmin si një ide që është shfaqur vetëm kohëve të fundit në shoqëritë laike apo shekulare, por edhe shoqëritë e hershme kishin të tilla ide mohuese, të cilat na japin të kuptojmë se format e mosbesimit mund t’i gjejmë në të gjitha kulturat. Studiuesit pretendojnë se etimologjia e fjalës “ateizëm” përkundër teizmit (që pranon së paku një Hyjni), e ka origjinën pesë shekuj para erës sonë dhe buron nga fjala greke “atheos”, që ka kuptimin “pa zot(ëra)”. Heraclitus (535-475), për shembull, pohonte dikur se “feja është sëmundje” [Stenger:2009, f. 19]!
Shumë kohë më parë vetë Faraoni, i cili e shpalli veten “Zot”, nuk ishte asgjë më pak se një ateist. Madje edhe tregimi mbi “banorët e shpellës” në kohën e mbretit Declius (201-251), na tregon për detyrimin që i bënte popullit për të mohuar Zotin! Të tilla ide u paraqitën pastaj të maskuara me emrin e “përparimtares” dhe ‘shkencores”! Shumica e historianëve të ateizmit veçojnë filozofët grekë dhe romakë si Epikurin, Demokritin dhe Lukretin për shkrimtarët e parë ateistë, që disave u pëlqen t’i quajnë “materialistë”, edhe kjo një doktrinë filozofike që mohon çdo pavarësi të botës shpirtërore dhe që po e shpie Perëndimin drejt shkatërrimit, duke e lënë të zbrazët “vendin e Zotit”.
Filozofët klasikë Arisipi dhe Epikuri pohonin se: “qëllimi i jetës është lumturia, përkatësisht dëfrimi apo zbavitja”, duke mohuar kështu rregullat Hyjnore dhe jetën e amshueshme. Ata madje edhe vjedhjen e prostitucionin nuk i konsideronin si gjëra aq të ndaluara! Në këtë mënyrë, me dokrtinat e tilla filozofike, mohonin Zotin dhe e binin njeriun në nivelin shtazor, në një qenie që jeton për të ngrënë dhe nuk ha për të jetuar!
Edhe për Demokritin (460-370) para tyre: “Gjithçka është prej natyrës dhe rastësive që përfundojnë këtu”! Kështu, në botën e vjetër greke dhe romake, feja konsiderohej një e vërtetë për masën popullore, një gjë e përdorueshme për magjistarët dhe një shpifje për filozofët, të cilët merreshin me shkrime! Whitmarsh përmend shkrimet ateiste të Ksenofanit nga Kolofoni (570-475 p.e.s)! Vetë Platoni (427-324) thoshte se jobesimtarët e kohës së tij: “nuk ishin të parët që kishin pikëpamje të tilla për perënditë” [Whitmarsh:2015]! Ai kishte këtë pikëpamje, kur në “Shtetin ideal” përjashtonte “jetën familjare, dashurinë dhe pronësinë”, që janë të rëndësishme tek teistët. Por, në kohën e hershme moderne, ateisti i parë i qartë i njohur me emër konsiderohet ‘kritiku’ danez i fesë në gjuhën gjermane Matthias Knutzen (1646–1674), i cili botoi tre shkrime me përmbajtje ateiste në vitin 1674 [“Epistola amici ad amicum”].
Mesjeta ishte në fakt periudha religjioze, që kulminoi përgjatë shekullit XIV. Skepticizmi ndaj saj u mbyll në Angli me mendimtarët e filozofisë më shumë se te shtresa mesatare, që u shndërrua në një lloj skepticizmi agnostik [Encyclopedia of Philosophy, 1967, f. 92] në vend të karakterit ateist. Proverbi mesjetar: “në mesin e tre mjekëve janë dy ateistë”, ishte në kundërshtim me armiqësinë e kishës në disa aspekte të kërkimeve mesjetare. “Ateizmi” i mjekëve përgjithësisht nuk bazohej në refuzimin e “Zotit Trinitar” dhe as në vlefshmërinë e sakramenteve. Njeriu i shekullit XIV e kishte në pikëpyetje besimin nëse kishte ndonjë lidhje me filozofinë, por ky lloj skepticizmi kishte të bënte më shumë me korruptimin e elitës fetare. Filozofi Geoffrey Chaucer (1340-1400) asnjëherë nuk e sulmoi fenë drejtpërsëdrejti. Ai shqetësohej për shkak se ‘rojtarët e fesë’, atyre që dukeshin të devotshëm, nganjëherë nuk ia vlente t’u besohej [Bowden:1964, f. 44, 47] dhe kjo kishte të bënte drejtpërdrejt me Krishterimin.
Natyrisht që në periudha të ndryshme, pikëpamjet ateiste ishin të padëshirueshme e shpesh edhe të ndaluara. Gjatë shekullit IX, për shembull, ateistët britanikë, megjithëse ishin të pakët në numër, ishin subjekt i praktikave diskriminuese [Larson:2003]. Poeti Percy Bysshe Shelley (1792-1822) u përjashtua nga Universiteti i Oksfordit dhe mohoi kujdestarinë e dy fëmijëve të tij pasi publikoi një broshurë me titull “Nevoja e ateizmit” [Gey:2007, ff. 253–255]. Në vitin 1871, Gjykata Supreme e Tennessee’s lëshoi këtë deklaratë: “Njeriu që ka guxim të pohojë se nuk beson në Zot, tregon pakujdesi në karakterin e tij moral dhe mungesë të plotë të përgjegjësisë morale. Si të tillë, fjalët e tyre nuk duhet të dëgjohen në gjykatën e drejtësisë në një vend të krishterë” [Swancara:1950, f. 140]. Kështu ishte edhe në Mbretërinë e Bashkuar ku ateistët që nuk ishin të gatshëm të betoheshin në betime të krishtera gjatë procedurave gjyqësore, nuk lejoheshin të jepnin prova në gjykata për drejtësi, derisa kjo kërkesë u shfuqizua nga Aktet e miratuara në vitin 1869 dhe në vitin 1870 [Larson:2003]!
Gjatë inkuizicionit ateistët (dhe blasfemuesit) u nënshtroheshin torturimeve dhe ekzekutimeve. Filozofi Giulio Cesare Vanini (l. 1585) u dogj në vitin 1619, fisniku polak Kazimierz Lyszczynski (1634-1689) u ekzekutua në Varshavë [Brooke:2005], kurse francezi Etienne Dolet (l. 1509) u ekzekutua në vitin 1546 [Copley:1889]. Edhe vetë Sebastian Castellio (1515-1563), i cili në “De Hereticis” (1554) kishte bërë thirrje për tolerancë, bëri disa përjashtime duke pranuar persekutimin e ateistëve dhe të blasfemuarve [McClendon:1999, ff. 19-42].
Në pjesën e parë të shekullit XX, goditjen më të madhe religjioni i krishterë e mori nga Cari i Rusisë (1917), kur shteti më i madh mijëvjeçar i krishterë i botës, u shkëput nga lidhja fetare në çdo kënd të jetës [Panichas:1968, f. 454]. Por, në shumë shtete ende nuk u jepej e drejta ateistëve që të dëshmonin në gjykatë, për shkak se ata nuk besonin ‘në jetën pas vdekjes’ dhe si të tillë nuk ndiheshin moralisht të obliguar të thonin ‘të vërtetën përpara trupit gjykues’.
Në një fjalim në vitin 1933, Hitleri (1889-1945) pretendoi se kishte “shuar” lëvizjen ateiste [Baynes:1969, f. 378]. Në negociata me Vatikanin, më 26 prill të atij viti, ai deklaroi se “shkollat laike nuk mund të tolerohen kurrë”, për shkak të tendencave të tyre jofetare [Helmreich:1979, f. 241]. Heinrich Himmler – njeriu më i rëndësishëm i Partisë Naziste, pohonte: ”Ne besojmë në një Zot të Plotfuqishëm që qëndron mbi ne. Ai ka krijuar tokën… Çdo qenie njerëzore që nuk beson në Zot duhet të konsiderohet arrogant, megalomaniak dhe budalla”.
(vijon)
